Pushteti i Rilindjes arreston kundërshtarët politikë me motive politike

918
Sigal

Bujar Vreto kryetari i PD-së Librazhd

Petraq BARJAMI

Bujar Vreto është kryetari i PD-së në Librazh, i cili së bashku me 30 qytetarë u arrestuan dhe u burgosën pas protestave që bënë në qytet ditën e vizitës së kryeministrit Rama. Bujar Vreto në intervistën për gazetën “Telegraf” argumenton se policia e arrestoi me motive politike, për ta frikësuar, ndërsa gjykata e shkallës së parë në Librazhd e dënoi pa fakte, ngaqë ka marrë urdhër politik. Zoti Vreto pohon se PD-ja ka krijuar një databazë për të gjithë drejtuesit e policisë, policët e punonjës civilë që ushtrojnë terror kundër protestuesve.

-Zoti Vreto përse u arrestuat?

– Qytetarët e Librazhdit, masivisht në dt 13 Qershor 2019 u bashkuan me Degën e Partisë Demokratike  dhe opozitën në një tubim madhështor në mbështetje të dekretit të Presidentit dhe mbrojtjen e Kushtetutës, e cila u dhunua nga krye krimineli Edver droga. Ju më pyesni përse u arrestova. Unë në cilësinë e Kryetarit të Degës PD Librazhd, njoftova zyrtarisht Komisariatin e Policisë për zhvillimin e tubimit sipas ligjit, por drejtuesi i komisariatit, tashmë i kthyer në vegël të rilindjes më kërkoi të dhëna shtesë për numrin e pjesëmarrësve dhe të personave që do menaxhonin protestën. Menjëherë i kthyem përgjigje shkresërisht duke përmbushur kërkesat e tij, por përsëri rilindasi me uniformë kërkoi që qytetarët të mbështetur nga Dega e PD-së të mos zhvillonin protestën sepse kishte takim elektoral rilindja dhe aktivitet sportiv Federata Shqiptare e Futbollit. Në fakt protesta e qytetarëve, nuk kishte lidhje fare me aktivitetin elektoral të rilindjes sepse do zhvillohej në një vend tjetër ose 800 m largësi nga njeri tjetri, gjithashtu aktiviteti sportiv nuk ishte në të njejtën orë me protestën tonë, pra alibitë e pamundësisë për të garantuar protestën tonë nga policia, binin poshtë, por ç ishte më e rënda për policinë e unifikuar me rilindjen, na pengonte ne për të protestuar dhe garantonte një takim elektoral të paligjshëm. Gjithsesi, protesta u zhvillua, populli i Librazhdit u solidarizua me kauzën tonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe masiviteti detyrojë kryehalabakun që i thotë vetes kryeministër të ndërronte rrugë duke u futur në disa rrugica pa krye, ai tregoi se sa frikacak është para popullit. A mund ta duronte autokrati Edver këtë turp që i ndodhi në qytetin e vogël të Librazhdit, aq më tepër që lëpirësi apo lefaqeni Taulant e kishte mashtruar duke i thënë se PD-ja në këtë rreth nuk ka forcë, dhe gjithçka komandohet nga unë ? Tashmë para një realiteti të ri, duhej ndëshkimi nga organet ligjzbatuese, të cilat vetëm ligj nuk zbatuan por urdhëra të hajdutëve me pushtet. Marifetciu si sigurims i vjetër më detyrë komisarë më telefonoi dhe më tha hajde 5 minuta të japësh një deklaratë dhe do dalësh, (ndërkohë kishte ndaluar disa të tjerë) dhe unë i thash duhet të dalin të gjithë pasi e drejta e protestës është e mbrojtur nga ligji dhe policisë nuk i merret leje por njoftohet, ai më tha se të gjithë do dalin pasi të japin deklaratat. Unë shkova në komisariat dhe aty pashë mbi 30 të ndaluar me thënë të drejtën u mërzita pasi e vetmja gjë që kishte mbetur në këtë vend ishte e drejta e protestës dhe mendova që ky pushtet po sillej si tre dekada më parë. Dhamë deklaratat në kohën që po bëheshim gati të dilnim jashtë, pabesisht më ndaluan mua, sekretarin e degës, një militant por edhe nga Prrenjasi kryetarin dhe sekretarin, pak më vonë edhe dy të tjerë njerin nga Elbasani dhe tjetrin nga Cërriku.

-Ju keqtrajtuan juve dhe të tjerë?  

– Fizikisht në komisariatin e Librazhdit apo më vonë kur na dërguan në Drejtorinë e Policisë në Elbasan rreth orës 4 të mëngjesit në datë 14-06-2019 nuk na keqtrajtuan por psikologjikisht ushtruan dhunë verbale.

-Cilat janë akuzat ndaj jush dhe ndaj të tjerëve?

-Tubim i paligjshëm, bllokim të rrugës automobilistike dhe prishje të takimit elektoral.

-Sa u arrestuan dhe sa janë akoma në burg?        

– U ndaluan për disa orë 30 vetë, u arrestuan në flagrancë siç e cituan ata (pavarësisht se ne shkuam vetë në komisariat dhe nuk ishim në kushtet e flagrancës) 7 vetë.

-Cili është vendimi i Gjykatës?        

-Vendimi i gjykatës të shkallës së parë të rrethit gjyqësor Elbasan ishte tre detyrim paraqitje dhe 4 arrest me burg, për mua dhe tre të tjerë ishte masa më e rëndë me burg pa afat.

-Përse Ju e quani arrestim politik?

– Jo vetëm unë por çdo kush që e di në thelb këtë çështje e quan burg politik dhe është e turpshme që pas 29 vjetësh në demokraci kthehen dënimet politike të urdhëruara po nga pjella e atyre që mbajtën 50 vjet këtë popull të burgosur dhe izoluar nga bota perëndimore. Të mbrosh kushtetutën në një vend të lirë, të kërkosh të votohet lirshëm dhe të lexohet drejt vullneti i shprehur me votë, të denoncosh aferat korruptive dhe braktisjen e vendit nga të rinjtë e të rejat, të mbrosh lirinë dhe demokracinë nga autokracia dhe për këto arsye të dënohesh nga gjykata e urdhëruar ?! A nuk është burg politik ? Besoj se edhe juve si gazetar të njejtin qëndrim ndani me mua dhe shumicën që është burg politik.

– A ju lejuan të votonit nëse donit?             

– Puna e votës ishte shumë e turpshme për ne që ishim në paraburgim dhe të dënuarit e tjerë me vendim të formës së prerë, pasi ditën e votimit na thërritën dhe na thanë që do votoni. Unë e pyeta a e dini pse jam këtu ? Nuk më intereson pse jeni këtu por duhet të votoni. Unë, po mirë që nuk ju intereson pse jam këtu por si më thoni të votoj kur këto janë votime lokale dhe unë s’jam prej këtu. Ata, ju duhet të votoni këtu sepse këtu merrni shërbimet. Unë, po ç lidhje ka bashkia me shërbimet se burgjet administrohen nga shteti? Ata, paske llafe ti por shko dhe voto se ke lehtësira. Unë, po emrin se kam në listë se sjam nga këtu. Ata, s’ka problem se e rregullojmë me vendim gjykate. Unë, po si s’keni turp që vazhdoni me këtë maskaradë dhe farsë, çfarë votimesh janë këto kur s’ka datë zgjedhjesh dhe do mbani përgjegjësi për dhunën psikologjike mbi të burgosurit apo të paraburgosurit. Atëherë mbas rezistencës time dhe të disa të tjerëve nuk mundën ti trysnonin të gjithë për të votuar, por kuptohet qartë se çfarë fallsiteti dhe votime të degraduara realizuan fëlliqësirat.

-Ju keni bërë padi penale ndaj drejtuesve të Policisë së Shtetit që tejkaluan kompetencat ligjore ndaj Protestuesve?

-Ne vazhduam betejën ligjore në apel për të ndryshuar masën e arrestit me burg në një masë më të lehtë dhe kjo masë ndryshoi pas 21 ditësh në detyrim paraqitje dhe kemi katër ditë që jemi të lirë. Sa për padi penale ndaj drejtuesve të policisë si shtonjcë e rilindjes apo derivat i saj patjetër që do bëjmë por kur gjyqi të fillojë në themelin e tij se atëherë do dalin tejkalimet e kopetencave dhe dhuna verbale e ushtruar mbi protestuesit.

– Kur ju arrestuan si kohë dhe ku? Ju personalisht por edhe të tjerët? A bënë arrestimet në shtëpi dhe natën?

– Në fakt ata nuk na arrestuan në flagrancë, si dhe e kanë shkruar në fletën e arrestit për në komisariat që shkuam vetë, përfshi edhe mua përveç një personi nga Cërriku që e kanë marrë në shtëpi në orën 1.30 pasmesnate.

– Cilat ishin provat e policisë të akuzave ndaj Jush?

– Policia nuk ka asnjë provë për ç ka më akuzon mua dhe të tjerët. Unë jam Kryetari i Degës së PD në Librazhd dhe opozitës, apsolutisht kam organizuar dhe do organizoj protesta por kurrë nuk udhëhiqem nga verbëria para ligjit edhe kur ai është dhunuar nga maskarenjtë e rilindjes, edhe kur ligji s’është zbatuar si duhet nga gjyqtarë të indoktrinuar, sepse mendoj që do vijë një ditë dhe ligji do jetë i barabartë për të gjithë duke marrë drejtësi secili që e meriton atë. Prandaj, provat e policisë ndaj meje janë urdhërat politikë dhe dëshmitë e sajuara nga disa fakirë police, se pamjet filmike tregojnë tjetër gjë.

-A keni identifikuar me emra drejtuese dhe policë që kanë dhunuar protestues gjatë gjithë protestave për të patur databazë?

– Kemi evidentuar çdo drejtues policie, polic të thjeshtë, shiks apo persona të tjerë të paautorizuar që kanë ushtruar dhunë mbi protestuesit apo qytetarët dhe kemi krijuar databazë të ruajtur në disa kopje dhe njëra prej tyre është dërguar në qendër.

– PD-ja kishte premtuar që në 30 Qershor nuk do lejonte zgjedhje. Tani cili është qëllimi i Protestës së sotme?

– PDSH-ja kishte premtuar që në 30 Qeshor nuk do zhvilloheshin zgjedhjet dhe e mbajti premtimin se në fakt ju jeni dëshmitarë që nuk pati zgjedhje por votime të sektit mavi. Presidenti si autoriteti kushtetues e anulloi datën 30 dhe caktoi datën 13 Tetor 2019 datën e zgjedhjeve. Kryetari i PDSH-së bëri thirrje të bojkotohet farsa e 30 Qeshorit dhe populli e braktisi Edverin, pra nuk doli në votimin farsë 85%, kjo tregoi edhe njëherë se sa e drejtë është kauza e opozitës për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe kjo arrihet pa Edi Ramën kryeministër. Protesta e datës 8 Korrik 2019 është në vazhdimin e protestave të mëparshme për largimin e Ramës, krijimin e një qeverie tranzitore e cila të largojë krimin nga zgjedhjet dhe të krijojë të gjitha mundësitë të votohet lirshëm dhe pushteti të burojë nga sovrani. Të mbrohet dekreti i Presidentit duke mos u njohur votimet farsë të rilindjes në 30 Qeshor. Marrëveshje për ndryshimet kushtetuese dhe kodin zgjedhor. Masiviteti në këtë protestë është thembra e Akilit për arritjen e marrëveshjes pa Edi Ramën kryeministër dhe integrimin e vendit në Europë duke shtuar shancet për hapjen e negociatave në Tetor. Librazhdas jeni krenaria ime dhe më motivoni për vazhdimësinë në mbrojtje të vlerave, prandaj të gjithë bashkë sot në Tiranë ti japim goditjen e fundit matrapazit dhe ta dërgojmë para drejtësisë si të pandehur për dëmet e mëdha që i ka shkaktuar këtij populli në këto 20 vjet.