Pushteti gjyqësor nën kthetrat e politikës

493
Sigal

Flet kostitucionalisti Sokol Hazizaj/ Vendimet e gjykatës po jepen nën presionin e politikës. U çliruam nga paratë, por filloi uzurpimi nga politika, e cila nuk është më sundim i ligjit. Sot ndodhemi në pamundësi të kryerjes së funksionit të gjykatës Kushtetuese, të Lartë dhe pas disa muajsh do jemi edhe pa gjykatë Apeli. Përdorimi i shumë standardeve në vetting, ka cënuar procesin e rregullt ligjor të Reformës

Sokol Hazizaj, kostitucionalist

Duhet pranuar se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Kolegji Posaçëm i Apelimit në gjykimin e tyre kanë përdorur shumë standarde dhe metoda, të cilat e kanë cenuar procesin e rregullt ligjor

 

Pushteti gjyqësor uzurpohet politikisht

 

Jakup B. GJOÇA

 

Kostitucionalisti Sokol Hazizaj, në intervistën për gazetën “Telegraf”, duke bërë një përmbledhje të reformës në Drejtësi, thotë se rezultati i deritanishëm i zbatimit të reformës, jo vetëm nuk riparoi perceptimin e qytetarit mbi drejtësinë deri tani, por e zmadhoi hendekun midis të drejtës dhe drejtësisë. Sipas kostitucionalistit Hazizaj, kjo ka bërë që tashmë qytetarët të mos kenë më akses në Gjyqësor. Zoti Hazizaj, duke pranuar njëfarësoj se mund të jenë larguar disa gjyqtarë e prokurorë të korruptuar, por, nga ana tjetër, Gjyqësori uzurpohet politikisht.

 

Vendimet e gjykatës jepen  nën presionin e politikës. Ndaj jam i pasigurt në këtë kohë mungesash vullnetesh që procesi të ecë i sigurt dhe ligjor.   

 

– Zoti Hazizaj, cili është produkti i deritanishëm i Reformës në Drejtësi?

 Kur flitet për produkt si pasojë e reformës në drejtësi, domosdoshmërish duhen konsideruar dy momente themelore, të cilat kanë lidhje me ndryshimet procedurale dhe materiale ligjore, si dhe nga ana tjetër lidhet me procesin e vettingut të aktorëve të drejtësisë, gjyqtarë dhe prokurorët në vendin tonë. Nuk mund të mohosh faktin që dispozitat ligjore, në se nuk zbatohen, marrin pamjen e ujit të ndenjur, të cilat reflektojnë në shoqëri mungesën totale të sigurisë juridike, e cila nga ana e saj shkon drejt zhvlerësimit të vlerave humane, sociale dhe politike, gjithashtu. Në këtë kuptim ishte dhe është e nevojshme që në mënyrë vijuese të ndryshojë dhe përsoset gjithë formati ligjor dhe ai nënligjor në përgjithësi, jo për t’u bërë rregull vetëm për një pjesë të shoqërisë, por për gjithë ambientin social. Te ky moment ne jemi gjithmonë cedues, jo për shkak të traditës apo karakterit historik tonin, por thjesht dhe vetëm të pengesave me karakter politik, ku mbretëron proverbi “Shteti jam unë”. Sa i përket zbatimit të Ligjit 84/2014, që rëndom quhet ligji vettingut, parë në dy dimensione duhet thënë se nga komisionerët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Kolegji Posaçëm i Apelimit dhe Komisioneri Publik po ndiqet slogani vjetër tashmë, “Zbavituni dhe shtini. Mund t’i bëni të dyja njëherësh”. Ndërsa publiku, sipas testimeve të vet kolauduesve të reformës e dha sinjalin e mungesës së besimit mbi rezultatin e deritanishëm të zbatimit të reformës, e cila ende jo vetëm nuk riparoi perceptimin e qytetarit mbi drejtësinë deri tani, por e zmadhoi hendekun midis të drejtës dhe drejtësisë.

 

-A e ka bërë katharsin në Gjyqësor Vettingu?

– Në kuptimin etimologjik të nocionit të katharsis, pra të kryerjes së një operacioni fondamental mbi gjithë plagën, mendoj se është ende shumë shpejt të nxjerrësh rezultate. Drejtësia si koncept dhe mjet vlerësues kërkon kohë të rezultoi e suksesshme apo e kundërt. Por gjithsesi duhet pranuar se sa kohë komisionet e sipërcituara po veprojnë bazuar sloganit “Zbavituni dhe shtini”, rezultati është i sigurt, siç dhe e ka dhënë deri tani. Sot ne jemi para një situate ku mungon dhe po thellohet aksesi në gjykatë. Sot ndodhemi në pamundësi të kryerjes së funksionit të gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe pse jo pas disa muajsh do ndodhemi pa Gjykata Apeli. Nuk mendoj se midis njerëzve të këtij vendi të ekzistoj mëshira mbi dikë apo çdokënd nga gjyqtarët dhe prokurorët që kanë hetuar dhe dhënë vendime në kundërshtim me ligjin, por duhet parë dhe ndarë me kujdes sinori midis “të dashuruarve” me reformën në drejtësi nga perceptimi populist i gjetjes së robërve brenda vetes dhe jo mes gjyqtarëve dhe prokurorëve që kanë dhënë vendime jo në përputhje me ligjin. Ndaj jam i pasigurt në këtë kohë mungesash vullnetesh që procesi të ecë i sigurt dhe ligjor.

 

– Sa ka ndikuar deri tani Reforma në Drejtësi në luftën kundër korrupsionit?

Drejtësia në thelb është përgjegjësi, dhe sa kohë përgjegjësia dhe drejtësia e vendimeve të mbrapshta nuk ka dalë mbi ujë, perceptimi mbi atë është negativ. Sot më shumë se kurrë vendimet jepen nën presionin e politikës, pra larg së drejtës. Sot më shumë se kurrë nuk ka as analizë provash, si dhe as përdorim të metodës krahasuese midis ligjit dhe të drejtës. në këtë kuptim është e vështirë të mos marrësh një vendim të korruptuar në përmbajtje. Që pushteti gjyqësor po çlirohet nga dhuna e parasë është një arritje shumë e madhe, por kur ky pushtet fillon të uzurpohet politikisht nuk është më sundim i ligjit, por merr pamjen e dhunës politike. Ku është ndryshimi?

 

– Kryeministri Rama para disa ditësh deklaroi se u shkatërrua Gjykata Kushtetuese, ngaqë u përjashtuan Anëtarët e saj të korruptuar si Rezultat i zbatimit të Reformës, duke e quajtur këtë shkatërrim institucional si sukses. A mund të jetë Reformë shkatërrimi i institucioneve të Drejtësisë? 

 

Në vendin tonë ka ndodhur të ngatërrohen shumë shpesh karakteri ligjor dhe kushtetues i rolit të kryeministrit me shërbimin që ofron ky pozicion. Ndaj varet shumë nga koncepti individual i institucionit të kryeministrit mbi formatin e një shërbimi. Gjithsesi unë nuk mund të jem dakord me “sukseset” e mungesës e funksionimit të institucioneve të tilla, si Gjykata Kushtetuese, Gjykatës Lartë etj. Dëmi mund të mos i vijë kryeministrit si rol kushtetues, por i shkaktohet atij në cilësinë e njeriut. Ndaj nuk duhet marrë seriozisht fjalorthi i rolit që luan, por duhet pritur se çfarë do të thotë kur të jetë vetëm qytetar i vendit tij. Koha ka koston e vet.

– A është mbushur Gjyqësori me besnikë partiakë nën maskën e Reformës në Drejtësi?

 

Jo, nuk është mbushur me të tillë njerëz. Kjo përgjigje vjen për shumë arsye, që mjafton të vlerësosh disa fakte, duke filluar që nga pamundësia e zëvendësimit të të larguarve, gjë e cila do kohën e vet jo shumë të shkurtër. Por duhet pranuar se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Kolegji Posaçëm i Apelimit në gjykimin e tyre kanë përdorur shumë standarde dhe metoda, të cilat e kanë cenuar procesin e rregullt ligjor. Mendoj se segmente të qeverisë e kanë kuptuar këtë të fundit, por është tepër vonë për të reaguar, sepse procesi e ka ndërruar sjelljen e tij. Reforma në drejtësi mund të riparohej deri sa ishte duke u krijuar, tashmë sa kohë procesi formal-ligjor është ndërtuar, edhe gabim qoftë, ai do të shkojë në të njëjtën cilësi. Procesi nuk mund të ndalet, vetëm mund të frenohet politikisht nëpërmjet paragjykimit. Ndaj rimbushja e organeve të gjyqësorit mbart rrezikun e partitizmit dhe frymës politike.

 

– Cili është roli i deritanishëm i ONM në procesin e Vettingut?

– Parë në vështrimin ligjor roli i ONM-s është dukshëm i qartë, në cilësinë e monitorimit të procesit. Në syrin apo perceptimin publik duket sikur janë vendimmarrësit. Kjo nuk është e vërtet. Por gjendur në kushtet kur vendasit (komisionerët) kanë qejf që robërit t’i zënë nga miqtë dhe jo nga armiqtë e drejtësisë, kur veprimtaria e tyre bazohet në koncepte të tilla që i hapin më shumë rrugë zbatimit me hope dhe arbitrar të ligjit, pozita e monitoruesve bëhet më e lehtë dhe padyshim më e dukshme, apo autoritare.

 

-Faleminderit!