Punonjësit e Kombinatit të Poliçanit në protestë, reagon Caka: Politikat selektive të qeverisë së Edi Ramës shuan shpresat për çdo investim

414
Sigal

Punonjësit e Uzinës së Armëve në Poliçan kanë dalë ditën e sotme në protestë, pasi 150 punonjës pa rroga prej 2-vjetësh.

Për këtë ka reaguar edhe ish deputetja e LSI-së, Silva Caka.

Në një postim në Facebook, Caka shkruan se politikat selektive të qeverisë së Edi Ramës, shuan shpresat për çdo investim, në të vetmin burim punësimi që Poliçani ka patur ndër vite.

“Kjo qeveri iu mohon të drejtën e shpërblimit të punës së tyre qytetarëve për një arsye shumë të thjeshtë: qytetarët e kësaj zone nuk vlejnë as një lek për Edi Ramën!” – shkruan Caka.

Më poshtë postimi i plotë i Cakës:

Politikat selektive të qeverisë së Edi Ramës, shuan shpresat për çdo investim, në të vetmin burim punësimi që Poliçani ka patur ndër vite; çdo projekt e investitor që i afrohej Kombinatit Mekanik të Poliçanit, transferohej sa hap e mbyll sytë në Mjekës të Elbasanit, sepse atje i leverdiste Taulantit e shefit të tij.

E si të mos mjaftonte kjo, ky qytet, prej 2 vitesh (siç pranojnë edhe vetë banorët, që nga koha e timonit dhe tepsisë), vuan nga një papunësi e madhe dhe ajo që e rëndon më shumë situatën, janë pagat e papaguara të atyre pak punonjësve që kanë mbetur në Kombinat.

Kjo qeveri iu mohon të drejtën e shpërblimit të punës së tyre qytetarëve për një arsye shumë të thjeshtë: qytetarët e kësaj zone nuk vlejnë as një lek për Edi Ramën!