Punësimet, Rama: 43879 vende të reja pune Basha: Janë mashtrime

421
Sigal

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetin social “Facebook” në lidhje me çështjen e  punësimit. Me anë të një mesazhi, Rama thekson se, mllefet dhe shpifjet e SHQUP-it, vetëm kalisin vullnetin e qeverisë. “Ja rezultatet kuptimplota të rilindjes së Shërbimit Kombëtar përmes zyrave të punës. Mllefet, shpifjet, fyerjet dhe gjithë përbërësit e tjerë të gjellës së neveritshme që gatuhet çdo ditë në mensën e SHQUP-it dhe shpërndahet përmes kamerierësh të dëshpëruar për të ushqyer injorancën e pakënaqësinë, vetëm e kalisin vullnetin e palëkundur qeverisës për të ndryshuar përgjithnjë Shqipërinë. Dhe ky është vetëm fillimi…”,- thotë Kryeministri Rama. Sipas Ramës, deri në fund të qershorit, numri i vendeve të reja të punës arriti zyrtarisht në 43879. “Këto shifra janë lehtësisht të verifikueshme përmes fletores së llogarive tatimore të shtetit dhe janë vetëm produkt i Zyrave të Punës. Ndërkohë deri në fund të qershorit mbërriti zyrtarisht në 43879 numri i vendeve të reja të regjistruara të punës”,-përfundon mesazhi i Kryeministrit Rama.

Pas mesazhit të publikuar nga Rama, i menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i Kryetarit të Bashkisë dhe PD, Lulzim Basha. Me anë të një mesazhi në rrjetin social “Facebook”, Basha theksoi se, nuk është hapur asnjë vend i ri pune, por mijëra janë flakur. “Vulgaritet dhe fjalor i padenjë shoqëruar me rrenën e ditës, ky është Kryeministri ynë! Asnjë vend i ri pune, por mijëra të flakur nga puna për shkak të taksave të larta dhe paligjshmërisë qeveritare. Ekonomi e dobët, e ardhme e pasigurt është e vërteta që prek sot çdo shqiptar! Ndërsa gjeli krekoset majë plehut!”,- thuhet në mesazhin e Bashës