Publikohet ankandi, 200 vota për një drejtor drejtorie, 100 vota për shef komisariati dhe 70 vota për një doganier

Ethet e fushatës arrijnë tensionin maksimal: asnjë zyrtar nuk do emërohet nëse nuk plotëson kushtin e votave

Zbulohen detajet e marrëveshjes të PS-së me aleatët, në lidhje me postet e drejtorëve të drejtorive si edhe të drejtorëve që do të mbulojnë doganat, tatimet, policinë, Muzeun Historik, Galerinë e Arteve, Teatrin Kombëtar, Ujësjellësit, CEZ-it, Transportet, etj.. Përveç meritave të tjera në politikë, apo në CV-në profesionale, kandidati për postin e drejtorit duhet të plotësojë në radhë të parë një kusht të rëndësishëm, por të paparashikuar deri tani. Dhe ky kusht është marrja e 100-200 votave, për secilin individ që pretendon të pagëzohet si drejtor në postet e mësipërme. Nëse ky kusht nuk plotësohet atëherë asnjeri prej kandidatëve nuk kalon dot pragun e parë dhe emrin i tij, nuk merret fare në shqyrtim për t'u diskutuar. Tani shqetësimi kryesor i aleatëve për të dy koalicionet, nuk është më, se çfarë vendi pune duhet të zgjedhin, por në radhë të parë, se sa vota do të sigurojnë ata individualisht, në ndihmë të thesit të madh të koalicionit. Jo më kot, gjatë një bisede të Gjinushit me Ramën, ky i fundi u shpreh se: "Nuk ka poste pa vota".  Kjo ka bërë që pretendentët e aleatëve  për ministra të përveshin mëngët, sepse nga partia e tyre kërkohen afro 20 mijë vota, për emërimin e një ministri, ndërsa ata individualisht për poste drejtorësh duhet të garantojnë 200 vota.

Drejtorët

Ndryshe nga ministrat, ku vota u kërkohet partive dhe jo individëve, me emërimin  e drejtorëve po ndiqet një politikë tjetër. Dhe kushti është individual. Kush nuk merr 200 vota mos ta çojë nëpër mend postin e drejtorit. Kjo vlen për drejtorët e drejtorive, apo doganave, tatimeve,  Ujësjellësit, CEZ-it, etj.. Madje, në këtë pikë, të kushtëzuar nga votat do të jenë edhe personat që pretendojnë të punësohen në këto administrata, duke siguruar kështu një vend pune. Jo më kot, sot shikon shpesh intelektualë të lartë e të njohur që i servilosen, njerëzve të thjeshtë për garantimin e votës, duke i premtuar se këtë nder do t'ua shpërblejnë më vonë. Dhe megjithëse pas 23 Qershorit ata do t'u kthejnë krahët, përsëri, njerëzit u besojnë duke shpresuar në punësimin e nesërm të fëmijëve të tyre. Duke mbajtur në dorë lista të gjata, këta pretendentë shpresojnë të përfitojnë postet e nesërme, të cilat duken se kanë dalë në ankand, jo për t'u blerë me lekë, por për t'u fituar me numrin e votave. Ky kusht buron nga marrëveshja e partive për koalicionet ku PD dhe PS nuk kërkuan asgjë nga aleatët e tyre përveç votave. "Kush sjell vota, merr atë që i takon", janë shprehur disa herë liderët kryesorë të dy partive.  Duket se aktualisht, dy partitë po flasin për programe të ndryshme, por, strategjia ndaj aleatëve është e njëjtë. Kërkesa është deri në 20 mijë vota për një ministër, 200 vota për një drejtor drejtorie, e kështu me radhë, deri te shefi i komisariatit që duhet të marrë 60 vota, për të hyrë në "tenderin", për të vend pune. Duket se ethet e dy liderëve këtë radhë nuk do të tolerojnë askënd dhe do të shpërblejnë pa hezitim këdo që do të sjellë vota. Kjo është një nxitje edhe për partitë aleate por edhe për individët që pretendojnë rangjet e larta të dikastereve. Ndërkohë, që pritet krijimi i disa ministrive të reja, si ajo e Emigracionit, e Turizmit dhe Trashëgimisë Kulturore, Ministria e Zhvillimit Rural, ndoshta dhe Ministria e Energjetikës, që mund të "shuajnë" sadopak kërkesat e aleatëve. Kjo tregon se do të hapen më shumë vende pune në dikastere, por a do të mund t'i sigurojnë dot aleatët apo individët, numrin  e votave për të marrë në dorë çelësat e zyrave?

KUSHTËZIMI I POSTEVE SIPAS VOTAVE

Posti i Ministrit -                               15 mijë vota

Posti i zv/Ministrit -                         5 mijë vota

Posti Prefektit -                                1 mijë vota

Posti i Drejtorit të Drejtorisë -    200 vota

Posti i nëndrejtorit -                       100 vota

Doganieri -                                          70 vota

Tatimori -                                             50 vota

Shef komisariati -                             60 vota

Drejtor i Muzeut Historik -           100 vota

Drejtor i Teatrit Kombëtar -         50 vota

Drejtor i Operës dhe Baletit -      50 vota

Drejtori i Shtëpisë Qendrore-     100 vota

Drejtori i Ujësjellësit -                    200 vota

Drejtori i CEZ-it -                               300 vota

TOPI: UDHËRRËFYESI I RAMËS DHE BERISHËS, DËSHIRA PËR PUSHTET DHE JO PËR TË BËRË SHTET

Në vazhdim të fushatës zgjedhore ne kryeqytet kryetari i FRD -së Bamir  Topi  takoi  banorë të Njësisë nr.10. Z.Topi përshëndeti të pjesëmarrësit , duke u bërë të ditur se gara zgjedhore  është përpjekje e përbashkët për një politikë të moderuar. Fenomeni FRD nuk ndjehet vetëm në Tiranë por  ai prezantohet, diskutohet e mbështetet në çdo cep të Shqipërisë, u shpreh z. Topi. Ai u ndal në një nga problemet më madhore me të cilat po përballemi sot : raportit shtet-pushtet. Pushteti,- tha z.Topi, është munduar ta kufizojë, ta errësojë Frymën e Re Demokratike dhe kjo tregon se ata i tremben  FRD-së që është futur thellë në zemrat e shqiptarëve. "Situata në vend është e tillë saqë nëse nuk ke lidhje të drejtpërdrejta me pushtetin nuk mund të mbarosh punë në sportelet e administrate veçse me korrupsion, siç ndodh rëndomtë me hipotekat, arsimin shëndetësinë etj. "Në programin  politik dhe ekonomik FRD ka propozuar që presidenti të  zgjidhet nga populli dhe jo me 71 vota dhe në varësi të emocioneve të Berishës dhe  Ramës, të këtyre individëve që bëjnë gjithçka për të prodhuar kriza",-theksoi z.Topi. Duke ju referuar ndeshjes së fundit  të kombëtares Kryetari i FRD-së tha se ajo u vesh me një klimë politike  të padurueshme, duke treguar nivelin e tyre të ulët dhe të varfër. Këta  persona nuk i ofrojnë Shqipërisë asnjë shans për rimëkëmbje. Partitë lëvizin, por shteti duhet të konsolidohet dhe duhet të kthehet nga një shtet preferencial në një shtet që i trajton të gjithë njerëzit në  mënyrë dinjitoze. Pushteti duhet t'i japë garanci shtetit, pasi është ky i fundit garanti i jetës së qytetarëve",- përfundoi z. Topi.

IDRIZI: VOTONI PËR ÇËSHTJET E MËDHA TË KOMBIT, DO TA KTHEJMË REZOLUTËN NË DETYRIM PËR QEVERINË!

PDIU-ja vijoi takimet elektorale në njësitë 9 dhe 10 në Tiranë ku u prezantua kryesuesi i listës së kandidatëve për deputetë në Qarkun e Tiranës, z. Tahir Muhedini. Në tubimin e organizuar në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, kryetari i PDIU-së, z. Shpëtim Idrizi vlerësoi se prezenca e 7 deputetëve të PDIU-së në Kuvendin e Shqipërisë do t'i japi një hov të ri zgjidhjes së çështjes çame Shpëtim Idrizi shtoi se, Çështja Çame sot është më e gjallë se kurrë më parë dhe ftoi të gjithë mbështetësit e kauzave të mëdha kombëtare që të votojnë nr. 50 më 23 qershor, duke fuqizuar zërin kombëtar në parlamentin shqiptar. "Ne ishim ata që trimëruam parlamentin shqiptar, duke treguar se të qenit të bashkuar, ashtu sikurse ne të gjithë e duam Shqipërinë të bashkuar, nuk duhet të jetë tabu. Dhe në fakt, ju e shihni vetë që ndaj këtij vokacioni të të gjithë shqiptarëve rreshtohen kundër vetëm disa segmente të politikës, të cilat intimidohen. Por, sot është momenti që ne të jemi të gjithë në një zë për të kërkuar të drejtat tona, të drejtat e shqiptarëve kudo që janë. Ndaj më 23 qershor ju ftoj të gjithëve të votoni nr. 50, numrin e alternativës kombëtare në parlamentin shqiptar" - deklaroi z. Idrizi. Gjatë fjalës së tij, kryesuesi i listës së kandidatëve për deputetë në Qarkun e Tiranës, z. Tahir Muhedini kërkoi mbështetjen e të gjithë shqiptarëve për kauzën e shqiptarëve të Çamërisë. "Një shprehje e vjetër thotë "Pa Kosovë e Çamëri nuk ka Shqipëri". Sot Kosova është e pavarur fal mundit të shqiptarëve të Kosovës por edhe të gjithë shqiptarëve kudo që janë. Ndaj, unë ju ftoj, që të gjithë të punojmë për zgjidhjen e çështjes tjetër madhore kombëtare, zgjidhjen e çështjes çame", - deklaroi z. Muhedini

MALAJ, VIZITË NË SHTABIN ELEKTORAL TË RAMËS

Dje, kandidati i pavarur i Qarkut të Vlorës, Arben Malaj, ka vizituar shtabin elektoral të Edi Ramës, pas takimit të kryetarit të PS-së me banorët e Llakatundit, si për t'ju përgjigjur me veprime thirrjes së Ramës bashkëfshatarëve të Malaj, për të mos e votuar Malaj, sepse çdo votë për Malaj, është votë për Saliun, jo për PS-në. Pas një takimi shumë mikpritës dhe optimist në Llakatund, Arben Malaj bën një vizitë në shtabin elektoral të Ramës në Llakatund. Mesazhi i Malajt për votuesit e kësaj zone është: "Votoni më të mirët! Votoni ata që ju duan dhe që ju shërbejnë përherë"!