Publikohen materiale të tjera të audiopërgjimit që mbërthejnë vëllanë e Ministrit të Brendshëm Xhafaj

880
Sigal

Petraq BARJAMI

Pikëpyetje për Prokurorinë: Me ç’tagër e kërkoi audion kryeministri Rama?

Kryeministri Rama u ka dhënë përgjigje të gjitha hetimeve që kërkon prokuroria tek dëshmitarët, derisa ka përsëritur vazhdimisht, që ka në dorë analizat e ekspertizës së audio-përgjimit, nga një qendër shumë e specializuar. Kryeministri Rama, ka deklaruar që audioja është e falsifikuar, nuk është autentike.

Kryeministri Rama për audio-përgjimin:

“Unë e kam marrë mbrëmë përgjigjen të kryer në një prej laboratorëve më seriozë të botës, mua ajo përgjigje më mjafton për t’ju thënë juve se nuk jemi para asnjë lloj prove kundër ministrit të Brendshëm, por para një mashtrimi me një material jo autentik nëpërmjet të cilit kërkohet destabilizimi i qeverisjes dhe moshapja e negociatave me BE”, tha Rama.

Kush ia dha audio-përgjimin kryeministrit Rama?

Audio-përgjimi dëshmon, sipas bisedës që dëgjohet me zë, për aktivitetin kriminal të Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, në trafikimin e hashashit edhe në ditët e deritanishme. I vetmi institucion kushtetues që i jep të drejtën të veprojë, pas këtij publikimi është Prokuroria e Krimeve të Rënda. Kryeministri Rama duhet të fliste vetëm pasi prokuroria të provonte gjithçka. Kurrsesi, ligji nuk mund ta lejojë kryeministrin, së pari, të administrojë provat e kryerjes penale, kur ato janë sekuestruar dhe po hetohen nga prokuroria. Ligji ia ndalon kryeministrit që të japë rezultatet e analizës së materialeve të një vepre penale, kur prokuroria nuk ka publikuar asgjë. Ligji ia ndalon Kryeministrit që të deklarojë analizat e provave të hetimit, përpara se prokuroria të ketë mbaruar hetimet. Kryeministri Rama, i di, por e shkeli ligjin, për të mbrojtur ministrin e vet të brendshëm nga përgjegjësitë morale, politike. Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, ngre disa pikëpyetje për Prokurorinë, pasi materialin origjinal të audio-përgjimit, e dispononte vetëm PD. “Ka disa pyetje të mëdha, të cilat nuk janë tonat, por që gjithë opinioni publik, apo që qytetarët shqiptarë i bëjnë.

Së pari, kush ia dha audio-përgjimin kryeministrit Rama, pasi atë e ka vetëm prokuroria?

Së dyti, me ç’tagër e kërkoi kryeministri Rama që të bënte një verifikim të tillë, privatisht apo shtetërisht? Pse kryeministri mashtroi për një çështje kur hetimi kish filluar nga prokuroria?”, – tha deputeti Vasili.

Njëanshmëria ligjore e Prokurorisë në hetimin e audios

Disa pyetje ngrihen për prokurorinë e Krimeve të Rënda.

-Përse kjo prokurori nuk veproi dhe të sekuestronte që në momentin e parë audion që u publikua?

-Përse prokuroria nuk ndaloi të gjithë personat që përfshiheshin në këtë audio si trafikantë ndërkombëtarë të lëndëve narkotike?

-Përse prokuroria nuk ndaloi daljen jashtë Shqipërisë të të pandehurit kryesor, Agron Xhafaj?

Madje, paradoksale është se prokuroria pranoi në orët e vona, një padi të Agron Xhafaj ndaj deputetëve të PD-së për publikimin e audios.

-Kush e urdhëroi Prokurorinë, të mos e ndalonte Agron Xhafaj, për ta hetuar, duke shkelur ligjin e të mos kryente detyrimin e saj ligjor? Prokuroria dje mori dëshminë e deputetëve, që publikuan audion, të gazetarit që intervistoi dëshmitarin X, dhe ditë më parë ka marrë edhe dëshminë e dëshmitarit X. I vetmi që nuk është thirrur për dëshmi nga Prokuroria e Krimeve të Rënda është Agron Xhafaj, i cili, thuhet se u vetë dorëzua në Itali, për të kryer dënimin e formës së prerë.

Salianji: Prokuroria është në dorën e kryeministrit

Deputeti i PD-së Ervin Salianji që dje dha dëshmi në prokurori pohoi, që kishte treguar se si i kishte rënë në dorë audio-përgjimi, por që nuk mund ta bënte publike pasi është pjesë e sekretit hetimor. Po ashtu ai tha se nuk ka besim tek prokuroria, pasi sipas tij, ajo është në dorë të Ramës.

Këshilltari ligjor i PD Gazmend Bardhi: Hetimet janë orientuar gabim

Këshilltari ligjor i PD Gazmend Bardhi, dha edhe ai dëshminë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, dhe, duke dalë andej, tha se hetimet janë orientuar gabim. “Unë jam jurist dhe do bashkëpunoj me organet sa herë të thirrem, po nuk mund të rri dot pa thënë, se është prokuroria e Krimeve të Rënda që heton krimin e organizuar dhe shtetasi i dyshuar si i përfshirë në trafik droge, nuk është marrë ai i pari në pyetje, po ne që denoncojmë rastin. Nuk është marrë ministri i Brendshëm që lehtëson veprimtarinë e vëllait, po ne që denoncojmë. Nuk është marrë akoma në pyetje kryeministri, i cili deklaroi se gjoja zëri në materialin audio nuk është i Agron Xhafaj dhe nuk iu bën me dije aktin e ekspertimit. Prokuroria duhet të kishte sekuestruar”, tha Bardhi.

Enkelejd Alibeaj: Jam përfaqësues i viktimave të këtij fenomeni kriminal

Deputeti Enkelejd Alibeaj, duke dalë pas dëshmisë që dha në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ka kërkuar të jetë përfaqësues i popullit në këto hetime. “Bëra kërkesë që që sot e në vazhdim jam përfaqësues i viktimave të këtij fenomeni kriminal. Unë kam të drejtë të kërkoj thirrje dëshmitarësh, këqyrje, bërje aktesh, akte të tjera hetimore si një mundësi që procesi penal të mos merret peng nga Rama dhe Xhafaj. Nëse ka marrë përsipër kokat e prokurorisë, procesin penal nuk kanë për ta marrë. Viktimat? Janë të gjithë shqiptarët. Brenda këtij procesi do ushtrojë të gjithë ta drejtat e mia”, tha Alibeaj. Në prokurori ishte edhe gazetari investigues Jetmir Olldashi, të cilit siç shprehen burimet i janë kërkuar materialet bruto dhe mjetet si u përgjua biseda me Dëshmitarin X. Prokurorët po shohin mundësinë e një ballafaqimi mes gazetarit dhe Albert Veliut, për të saktësuar edhe njëherë deklaratat e tyre mbi itinerarin për të gjetur hashash në Vlorë. Lëvizja e radhës e prokurorisë do të jetë ekspertiza e audio përgjimit.

‘Babalja’ i telefonon Agron Xhafajt, zbulohet numri i vëllait të ministrit

Emisioni “Ajsberg” në TV “FaxNews”, solli detaje të reja mbi investigimin për vëllain e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj. Gazetari Çani deklaroi, se puna e gazetarit Jetmir Olldashi ishte shumë e vështirë, pasi gjithçka e kishte bërë me investimin e tij. Artur Çani deklaroi në emision, se ai kishte tentuar gjithashtu të merrte në intervistë edhe vëllanë e ministrit Fatmir Xhafaj, Agronin, dhe për këtë ai kishte kontaktuar me avokatin e tij, Ardian Visha, por Visha i kishte thënë që nuk mund ta ndihmonte për këtë. Mbrëmë u sollën detaje të reja mbi investigimin për vëllanë e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj. Gazetari Jetmir Olldashi dhe dëshmitari Albert Veliu pasi shkojnë në një fshat për të siguruar drogë dhe flasin me kryeplakun, ata nisen drejt lokalit të Agron Xhafajt, por që nuk e gjejnë aty. Albert Veliu: Shoku për mua do qe mirë të takonim atë Agronin, e kam marrë në telefon tre here. Kështu ‘Babalja’ vendos ta marrë në telefon Agron Xhafajn, ku e thërret me nofkën “Pasha”. Gazetari Olldashi i thotë se ai e kishte marrë tre herë deri tani dhe nuk ishte përgjigjur. Olldashi: Po ti e kërkove tre herë atë atje ta merrje dhe në telefon. Babalja i bie në telefon Agron Xhafës. Kërkesa për të blerë drogë në Vlorë është përqendruar dhe në Tragjas, në një fshat të Vlorës ku “negociatori” kryesor duket se është vetë kryeplaku i fshatit. Ai i thotë gazetarit Olldashi dhe dëshmitarit Veliu se vetë nuk ka hashash, por do t’i çojë të shohin mall të mirë. Kërkesës së gazetarit Olldashit për mall të cilësisë së mirë, kryeplaku i fshatit Tragjas i përgjigjet se do u kthejë përgjigje në darkë. “Unë vetë nuk kam, do t’ju kthej përgjigje deri në darkë. Njoh dy që kanë mall të mirë”…