Pse rrjeti Soros i shpalli luftë rrjetit Facebook? (…dhe disa gjurmë që çojnë në Tiranë)

144
Multimiliarderi George Soros bëri një deklaratë agresive gjatë forumit të Davosit, duke sulmuar hapur rrjetet Facebook dhe Google.
Soros i akuzoi këto rrjete, se po monopolizonin informacionin. Deklarata e tij e befasishme nuk le vend për ekuivok.
U shpreh Soros:
“Facebook dhe Google janë rritur si monopole gjithnjë e më të fuqishme, ato janë bërë pengesë për inovacionin dhe kanë shkaktuar një shumëllojshmëri problemesh, të cilat vetëm tani po i diktojmë.
Ata pretendojnë se po shpërndajnë vetëm informacione. Por fakti është që ata kanë monopolin e shpërndarjes dhe duhet t’u nënshtrohen rregullave më të rrepta, që synojnë ruajtjen e konkurrencës, inovacionit dhe qasjes së drejtë dhe të hapur universale”.
Cilat janë arsyet e këtij sulmi të beftë të multimiliarderit? Përgjigja lidhet me garën dhe fuqinë e asaj që quhet ‘Network’. Rrjeti.
George Soros nëpërmjet kompanive dhe fondacioneve të tij, posedon prej dekadash një rrjet të investuar mediatik global. Fondacionet e tij, të cilat ushqehen me kontrata ekskluzive nga FMN, Banka Botërore, ERDB, Bashkimi Evropian, USAID etj, kanë pasur kapacitete të jashtëzakonshme për të investuar në projekte mediatike në të gjithë botën.
Në dekadën e fundit, rrjeti Soros arriti të fitonte një lloj monopoli, sidomos sa i takon rrjeteve investigative rajonale, duke investuar në redaksi që kryenin investigime me standarde të mira raportimi, por me linjë editoriale tërësisht të orientuar nga politikat e Soros. Këto media raportojnë në mënyrë etike dhe rigoroze, por shënjestrën e hetimeve të tyre e përcakton ‘Fondacioni për Shoqërinë e Hapur’.
Shkëlqimi dhe rënia e këtyre rrjeteve është konstatuar në botë, por dhe në Shqipëri.
Pasi kishin fituar një lloj autoriteti me investigimet dekadën e fundit, rrjetet e Soros pësuan një zhvlerësim pikiatë sidomos në tre momente.
Gjatë raportimeve për luftën në Siri. Sado të fuqishme që ishin mediat e orientuara nga Soros, u ndje forca e mediave alternative sidomos gjatë çlirimit të Aleppos. Mediat e Soros akuzonin forcat e Bashar Al-Assad se po vrisnin popullsinë, por media alternative vërtetoi se fotot dhe videot që shpërndanin mediat e Soros ishin tërësisht manipulime dhe të pavërteta. Platforma Facebook i dha shteg dhe medias alternative të publikonte gjetjet e saj profesionale dhe gradualisht nisi çmontimi i manipulimit me atë që po ndodhte në Aleppo.

Panama Papers. Një investigim i nisur me bujë nga rrjeti investigativ i Soros ‘OCCRP’, degjeneroi në një fluskë sapuni. Rrjeti ‘OCCRP’ fillimisht publikoi disa të dhëna për kompani offshore të lidhura me miq të Presidentit të Rusisë dhe premtoi se pas disa kohësh do trondiste sërish dhe me udhëheqës të tjerë botërorë.

Këto premtime nuk u mbajtën dhe rrjeti dështoi të publikonte dokumentet, me të cilat mburrej se i posedonte, ndërsa media alternative nëpërmjet platformës të Facebook-ut arriti të zbërthente lojën e Soros dhe të diskretitonte manipulimin dhe shpërdorimin banal politik, që po u bëhej rrjeteve investigative të financuara prej tij.

DC-Leaks. Gjatë fushatës zgjedhore në SHBA, ndërsa gjithë makineria e Soros ishte vënë në dispozicion të kandidates Clinton, duke goditur me ç’të mundej rivalin e saj Trump, ndodhën dy zhvillime të papritura, që e kapën në befasi këtë rrjet.

I pari erdhi nga Wikileaks, ku u publikuan e-mailet e zonjës Clinton dhe dolën të dhëna sensitive mbi mënyrën se si zonja Clinton kishte përzier fondacionin e saj privat me punën si Sekretare e Shtetit. Mediat alternative dhe jashtë ndikimit të rrjetit Soros, patën mundësi të informonin publikun të mbështetura nga platforma Facebook. Pas kësaj, Clintonit nuk i vlente fare mbështetja nga rrjeti Soros, pasi autoriteti dhe besueshmëria e saj kishte marrë tatëpjetën.
Momenti i dytë ishte kur faqja DC-Leaks publikoi disa komunikime dhe dokumente të brendshme të rrjetit Soros, ku ndër të tjera doli në pah dhe roli i dorës së parë që ky fondacion kishte pasur në reformën në drejtësi në Shqipëri, por gjithashtu u publikua dhe rrjeti i zyrtarëve të Bashkimit Evropian të kooptuar nga rrjeti Soros.
Publikimi i DC-Leaks i dha dorë dhe mediave shqiptare që janë jashtë rrezes së ndikimit të Fondacionit Soros. DC-Leaks nxori blof dhe ambasadorin amerikan në Tiranë, Donald Lu, i cili kishte deklaruar se Fondacioni Soros nuk ishte përgjegjës për reformën në drejtësi, por siç treguan më pas dhe dokumentet private të këtij fondacioni, Lu kishte mashtruar publikisht në mënyrë arbitrare, pasi reforma në drejtësi ishte konceptuar, shtyrë, financuar prej këtij fondacioni.
Dokumentet e DC-Leaks nxorën në pah dhe lidhjet e disa zyrtarëve të BE-së në konflikt interesi që shtynin politikat e Soros në Shqipëri, njëkohësisht u zbulua dhe implikimi i USAID me këtë rrjet.
Bashkë me autoritetin dhe aureolën e ‘profesionalizmit’ që gëzonte deri diku rrjeti investigativ i Soros, publikimet e DC-Leaks nxorën zbuluar lojën, dallga kapi dhe ambasadorin amerikan Donald Lu, i cili është ndoshta ambasadori amerikan më i diskretituar dhe jo-serioz i tre dekadave të fundit.
Tashmë ky rrjet e ka humbur ‘kartën morale’ të një rrjeti gjasme profesional e të paanshëm, pasi është konstatuar palë, madje në ortakëri me kryeministrin Rama dhe i implikuar në disa nga reformat e dyshimta, si ligji i koncensioneve apo dhe disa investime të dyshimta në shëndetësi e gjetkë. 
Do të ishte e pamundur të përballoje këtë rrjet me kapacitete të fuqishme financiare, njerëzore, në çdo sektor kyç, nëse publikimet alternative do bëheshin jashtë platformës Facebook.
Facebook ka ndihmuar median alternative të shpalosë argumentet dhe gjetjet e saj, ndaj dhe George Soros ka plotësisht të drejtë të shqetësohet për forcën e Facebook.
Sepse falë rrjetit social Facebook, u shkërmoq dhe u zbardh aktiviteti i rrjetit Soros. E thënë shkurt:
Facebook e mundi Sorosin. / Hashtag.al