Pse hesht shteti për debatin Lu–Llalla?

426
Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu dhe kryeprokurori Llalla janë përfshirë sot në një debat publik, ndoshta i pari i këtyre përmasave mes një zyrtari të lartë dhe një diplomati të huaj në Shqipëri. Ndonëse “krisja” mes gjykatësve dhe prokurorëve u shënua ditën që Ambasada e SHBA-ve mori dhe publikoi vendimin për revokimin e vizave amerikane për të paktën 70 gjykatës dhe prokurorë, akuzat e mëngjesit të sotëm nga ana e ambasadorit amerikan shënuan dhe kulmin e “durimit” nga Adriatik Llalla. Por edhe pse kanë kaluar disa orë nga këto deklarata dhe Donald Lu është takuar – sipas disa burimeve – me kryeministrin Rama dhe Prokurori i Përgjithshëm me Presidentin e Republikës, krerët e shtetit shqiptar vazhdojnë të heshtin.
Nëse ambasadori amerikan ka të drejtë në akuzat e tij se kryeprokurori ka penguar prej 14 muajsh reformën në drejtësi, atëherë kryetari i shtetit, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit duhet të mbajnë një qëndrim të qartë e të na shpjegojnë nëse kjo ka ndodhur vërtet. Nëse është po e vërtetë që Llalla ka shkelur Kushtetutën për emrat që ka propozuar në Këshillin e Emërimeve. Dhe në fund, a ka dështuar prokuroria në sekuestrimin e serverit të ILDKP-së, kaq i rëndësishëm për vetingun.
Shtypi sot është njohur edhe me shkresën që Prokurori i Përgjithshëm u ka dërguar presidentit dhe kryetarit të Kuvendit për revokimin e vizave nga ambasada amerikane për një grup prokurorësh, por deri më tani asnjë nga këto institucione nuk ka reaguar zyrtarisht për këtë akt.
Nga ana tjetër, edhe vetë kryeprokurori si rrallëherë i është kundërpërgjigjur po me gjuhë të ashpër ambasadorit Lu, duke i kujtuar atij se ka përdorur shantazhin në rastin e revokimit të vizave dhe mbylljen e hetimeve. Madje, kreu i akuzës nuk ka harruar të përmendë dhe që gjuha aspak diplomatike e ambasadorit Lu është e lidhur me disa dosje hetimi për të cilat ambasadori amerikan ka pasur interesa thjesht personale.
Në këtë valë akuzash ku janë të përfshirë Prokuroria e Përgjithshme dhe ambasadori amerikan në Tiranë, natyrshëm lind pyetja: Kush ka të drejtë? Dhe për këtë nuk mjafton as deklarata e kryeprokurorit dhe as ajo e ambasadorit amerikan. Sepse në një vend normal, janë institucionet drejtuese që reagojnë kur prokuroria dhe ambasada amerikane përfshihen në një debat të tillë, të paprecedent dhe që pa dyshim ka dhe prapavijën politike për sa kohë palët flasin për bllokimin e vetingut, ligj që u miratua në parlament, apo dosje konkrete emrat e të cilave janë ende të panjohura publikisht. Heshtja nuk e nderon një shtet dhe një qeverisje që pretendon të ketë standarde, por që deri më tani është e mbuluar nga akuza të ndërsjella nga 2 faktorë, nga më të rëndësishmit për funksionimin normal të vendit.
Sigal