PS zgjedh 3 kandidatët për Prokuror të përkohshëm, ja emrat që kaluan ‘sprovën’

456
Arta Marku, Ermira Tafani dhe Ferdinand Elezi: këta janë tre kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm të Shqipërisë pas seleksionimit që i bëri sot, Komisioni i Ligjeve në Kuvend.
Këta tre kandidatë nga 7 plotësonin kriteret e vendosura nga mazhoranca, e cila e nisi dhe e përfundoi plotësisht e vetme këtë proces.

Raporti me tri emrat do t’i kalojë tani Kuvendit të Shqipërisë.
Komisioni i Ligjeve ka dhënë sot në mesditë, konkluzionet përfundimtare për 7 kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm të përkohshëm, ku të pranishëm ishin vetëm deputetët e PS dhe mungonin ata të PD dhe LSI.
Deputeti socialist Bledi Çuçi duke lexuar raportin me emrat e kandidatëve, Arqilea Koça, Arta Marku, Artur Selmani, Besnik Muçi, Ferdinand Elezi, Granit Shahu dhe Ermira Tafani, njërin pas tjetrit, tha:
Kandidati Arqile Koça i përmbush pjesërish kriteret se nuk ka gradën shkencore. 
Kandidatja Arta Marku përmbush kriteret e përvojës dhe gradës.
Kandidati Artur Selmani përmbush pjesërisht kriteret për Prokuror të Përgjithshëm; përmbush kriterin e vjetërsisë. Nuk ka kriterin e gradës shkencore, që është kusht. Ka një masë disiplinore në punën e tij. 
Kandidati Besnik Muçi i plotëson pjesërisht kushtet dhe kriteret. 
Kandidati Ferdinan Elezi i përmbush kushtet dhe kriteret. 
Kandidatja Ermira Tafani i përmbush kushtet. I plotëson dhe kërkesat ligjore, se nuk ka qënë as anëtare as bashkëpunëtore e Sigurimit të Shtetit, e asnjë asgjensie të huaj dhe as ka marrë masë disiplinore.
Kandidati Granit Shahu nuk i plotëson kushtet e vjetërisë.
Raporti u hodh në votim dhe u miratua vetëm me votat e Partisë Socialiste.
Në përfundim, Çuçi deklaroi se Komisioni i Ligjeve ia përcjell këtë raport Kuvendit të Shqipërisë. Kryetari i Komisionit, Ulsi Manja, po ashtu deklaroi se raporti mori vlerë parlamentare. 
DY DITE PAS DEGJESES
Më 13 dhjetor 2017, pas mbarimit të afatit të përcaktuar në vendimin e Komisionit për Çështjet Ligjore, sipas të cilit rezultoi se deri më datë 12 dhjetor 2017 ora 18:00, në Sekretarinë e Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë dorëzuan shprehjen e interesit për Prokuror të Përgjithshëm të përkohshëm 7 kandidatë, u zhvillua seanca dëgjimore me të gjithë kandidatët që shprehën interesin e tyre për vendin vakant.
Në seancën dëgjimore morën pjesë kandidatët: z. Arqilea Koça, znj. Arta Marku, z. Artur Selmani, z. Besnik Muçi, z. Ferdinand Elezi, z. Granit Shahu dhe znj. Ermira Tafani.
Kandidatët e interesuar për vendin vakant të Prokurorit të Përgjithshëm të përkohshëm njohën deputetët e komisionit me programet e tyre të kandidimit dhe jetëshkrimin profesional. Kandidatët gjithashtu iu përgjigjën pyetjeve të deputetëve të komisionit mbi çështje të caktuara.
Deputetët e opozitës nuk morën pjesë në atë seancë dëgjimore.
Sigal