PS tërhiqet nga shkarkimi i kreut të KQZ-së dhe kryeprokurori i ri. Rama, ftesë opozitës për dialog. PD, kundër

600
PS tërhiqet nga KQZ dhe kryeprokurori
Kryeministri Rama heq dorë nga diskutimi për pasuesin e Llallës dhe tërheq shkarkimin e Klement Zgurit
Partia Socialiste është tërhequr nga kërkesa për shkarkimin e kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Klement Zguri, ndërsa nuk ka përfshirë fare në procedurat parlamentare çështjen e pasuesit të Adriatik Llallës në krye të Prokurorisë së Përgjithshme. Pas një seance të gjatë të diskutimit të projekt-buxhetit të shtetit dhe paketës fiskale për vitin e ardhshëm, kryeministri Edi Rama ka kërkuar në Kuvend heqjen nga kalendari të shkarkimit të Zgurit dhe nisjen e dialogut me opozitën. “Marrëveshja e 17 majit krijoi atë konfiguracion në KQZ, është marrëveshja që e vuri Zgurin kryetar dhe nëse marrëveshja ka vdekur, Zguri është dëshmor i parë i vetë marrëveshjes. Por e përsëris këtu. Ajo që unë thashë ishte mospërdorimi i shumicës për t’i dhënë fund këtij debati, sikur e bëtë ju kur ishin në shumicë me KQZ. Ju mund të qëndroni në pozicionin tuaj, ne në tonin. Propozimi im ishte që të mos futet në kalendarin e Kuvendit. Nuk kemi se çfarë diskutojmë më, nuk është sot për të debatuar”, deklaroi Rama, duke iu drejtuar deputetëve të Partisë Demokratike. Nga ana e tij, kryetari i opozitës, Lulzim Basha vlerësoi si të drejtë heqjen nga kalendari të çështjes së shkarkimit të kryetarit të KQZ, ndërsa shtoi se asnjë marrëveshje nuk mund t’i mbivendoset ligjit. “Duhet hequr nga kalendari dhe nga programi. Asnjë marrëveshje nuk mund t’i mbivendoset ligjit. Heqja nga kalendari sot është vendimi i duhur. Jam dakord, të mos e vazhdojmë këtë debat dhe të zbresim në terren”, deklaroi Basha. Ai këmbënguli se kjo çështje nuk mund të diskutohet nga Kuvendi dhe nuk duhet të ketë vetëm një heqje nga programi aktual i punës së deputetëve. I pyetur nga kreu i grupit parlamentar i PS, Taulant Balla, nëse vazhdon apo jo marrëveshja e 17 majit, Basha është përgjigjur se ajo marrëveshje ka vdekur, pasi kusht kryesor ishin zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
PD: Akt antikushtetues
Partia Demokratike e kundërshtoi aktin antikushtetues të Edi Ramës për shkarkimin e Kryetarit të KQZ, Klement Zguri. Kryetari Basha tha se kërkesa duhet të hiqet jo vetëm nga kalendari 3-javor, por edhe nga programi i punës së Kuvendit, sepse është një kërkesë antikushtetuese, që cënon pavarësinë e institucioneve. “Ligji thotë që të shkarkohet kryetari i KQZ duhet të vijë propozimi nga 5 anëtarë të KQZ-së. Keni sjellë ju një propozim nga 5 anëtarë të KQZ-së?! Nuk e keni sjellë. E dini pse?! Sepse motivi me të cilin doni të shkarkoni Klement Zgurin është i rremë. Sepse qëndrimi që ka mbajtur Zguri për rastin e kryetarit të Bashkisë së Mallakastrës është qëndrimi që ka mbajtur Denar Biba për rastin e kryetarit të Mallakastrës dhe se e gjitha kjo është një përpjekje e mjerë për t’iu imponuar debatit publik me falsitete”, tha Basha. Kreu demokrat refuzoi inskenimin e Ramës për marrëveshjen e 18 Majit. “Marrëveshja ka vdekur sepse marrëveshjen e vratë ju, sepse ishte për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Vetëm këtë javë Ramës i ka ardhur raporti i financuar nga BE-ja që thotë se mbi 20 % e shqiptarëve pranojnë se kanë shitur votën, që i është kërkuar shitja e votës”, tha Basha.

Çështjet
Partia Socialiste e akuzon Klement Zgurin se nuk ka zbatuar një kërkesë të Prokurorisë së Përgjithshme për diskutimin e mandatit të kryebashkiakut të Mallakastrës. Ndërkohë, socialistët kanë deklaruar se do të zgjedhin një prokuror të përkohshëm në drejtimin e organit të akuzës për shkak se mandati i Adriatik Llallës përfundon në fillim të dhjetorit. Por mungesa e ngritjes së Këshillit të Lartë të Prokurorisë e ka futur në vështirësi sistemin dhe mes palëve pritet të ketë diskutime për të ardhmen e organit të akuzës në një situatë aspak të qetë politike për shkak të hetimeve trafikun e drogës dhe implikimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Sigal