PS shtyn Kongresin, nesër miraton listat për deputetë

465
Partia Socialiste nuk do të mbledhë kongresin e saj elektoral të parashikuar më 29 prill.
Situata politike në vend, mungesa e regjistrimit të koalicioneve dhe pritjet e një zgjidhjeje të krizës politike, ku opozita i qëndron idesë që të mos marrë pjesë në zgjedhje, kanë anuluar e shtyrë edhe aktivitetin politik dhe organizativ të Partisë Socialiste.
Vendimi i kryesisë socialiste dhe i asamblesë kombëtare për mbledhjen e një kongresi elektoral dhe programor, lidhej me përmbylljen e një katërvjeçari të koalicionit të Partisë Socialiste me Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Pas 1 prillit, pritej që PS dhe LSI do të rikonfirmonin bashkëpunimin e tyre elektoral edhe për zgjedhjet e ardhshme. Por vendimi i opozitës që të mos hyjë në zgjedhje, prishi dhe skemën elektorale të maxhorancës qeverisëse PS-LSI, duke e vënë LSI-në në një pritje të gjatë për përfshirjen e opozitës në këto zgjedhje.
Por moshyrja e opozitës në zgjedhje ndryshon dhe prezantimin e PS dhe LSI në zgjedhjet e 18 qershorit, ku secila duket se do të garojë më vete jashtë një koalicioni.
Në këto kushte, edhe PS duhet të modifikojë daljen e saj në zgjedhje, pa koalicion dhe me një organizim vetjak të saj më 18 qershor.
Kongresi programor, data e të cilit ende nuk është caktuar, do t’i bëjë një analizë mandatit qeverisës të Partisë Socialiste, premtimet elektorale dhe realizimet e tyre, por do të prezantojë dhe programin e saj elektoral për zgjedhjet e reja.
KANDIDATËT
Pritej që më 29 prill, në kongresin e programuar të bëhej publike dhe lista e kandidatëve për deputetë, e cila po atë ditë duhet të depozitohej në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Por situata politike ka shtyrë dhe miratimin e listës nga forumet e kësaj partie. Ditën e shtunë, më 29 prill, Partia Socialiste do të mbledhë kryesinë e saj për të miratuar listën e kandidatëve për deputetë. Mësohet se pjesa më e madhe e kandidatëve tashmë kanë nisur punën konkrete në terren e po punojnë me shtabet elektorale dhe koordinatorët e emëruar nga Partia Socialiste.
Pak pika të diskutueshme kanë ende listat e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste. Ajo që ka interes për këto lista është fakti që mungesa e Partisë Demokratike në këto zgjedhje, nëse nuk do të ketë ndryshim qëndrimi, do t’i bëjë më joshës për kandidatët edhe vendet e poshtme në listë, pasi pritet që numri i mandateve të fituara do të jetë edhe më i madh se në zgjedhjet e fundit.
Kandidatët e PS-së për deputetë do të prezantohen në kongresin programor të saj, i cili do të zhvillohet disa ditë pasi listat të jenë depozituar në KQZ.
Sigal