PS-Qeverisë: “Do fusni mbetje edhe 8 muaj”

554
Sigal

Kuvendi/ Opozita presion maxhorancës për importin e plehrave dhe ndryshimet kushtetuese

Kuvendi i Shqipërisë gjatë seancës së djeshme plenare është shoqëruar me debate mes deputetëve socialistë dhe ministrit të Mjedisit, Fatmir Mediu për pr/ligjin e importit të plehrave. Deputeti socialist Taulant Balla, ka akuzuar qeverinë se ka miratuar pr/ligjin ne një kohe kur ndaj tij ka një kërkesë për referendum. “Dje qeveria e këtij vendi ka filluar importin e plehrave në Shqipëri. Qeveria e këtij vendi ka dhënë dje dy licenca”,-deklaroi Balla. Topalli: Ju lutem pyetje nëse keni. Se nuk keni regjistruar emrin për diskutime. Balla: Nuk mund të bëj pyetje pa parashtruar problemin. Zoti ministër pyetja ime është shumë e thjeshtë. Ligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve është një ligj që ka hyrë në një proces kontrolli popullor përmes referendumit. Ndërkohë, ju përmes këtij ligji dhe me firmën e Sali Berishës, dje keni miratuar dy kompani, të cilat do të sjellin në Shqipëri plehra të llojit, mbetje polietilieni për qëllime riciklimi, dhe mbetje metalike të aluminit. Zoti ministër, keni ndërmend edhe në këto 8 muaj që i kanë ngelur qeverisë tuaj të sillni mbetje nga Serbia”,- shtoi Balla. Nga ana e tij., ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, duke reaguar ndaj kritikave të opozitës lidhur me situatën mjedisore në vend, ministri Mediu u shpreh i hapur ndaj çdo propozimi, përfshi këtu dhe amendime të ligjit nga vetë deputetët, që synojnë realizimin e standardeve mjedisore në Shqipëri. Duke u ndalur tek menaxhimi i integruar i mbetjeve, ministri tha se ky problem nuk zgjidhet brenda një dite dhe as me miratimin e një ligji, por është një çështje që ka fazat e veta dhe që kërkon angazhimin qytetar dhe të pushtetit lokal. “Një hallkë e rëndësishme në menaxhimin e integruar të mbetjeve është politika e riciklimit, si elementi bazë në këtë proces. Industria ricikluese sot në Shqipëri është e ndërtuar në bazë të kapaciteteve të mbetjeve të familjeve shqiptare, por, ndarja e mbeturinave sot nuk ekziston në vend, dhe kjo e ka bërë të pamundur, që kompanitë ricikluese të absorbojnë gjithë kapacitetin e mbetjeve që mblidhen në vend”, u shpreh ministri. Sipas tij, këto kompani sot merren vetëm me riciklimin e mbetjeve plastike, i cili është një sektor që ka punësuar dhe ka të ardhura të konsiderueshme në ekonominë shqiptare.