PS, qeveria firmos marrëveshje me deputetët

489
Gjatë një viti, mbledhjet e Këshillit të Ministrave do të zhvillohen detyrimisht një herë në çdo qark, krahas dëgjesave me komunitetin
Qeveria dhe grupi parlamentar i Partisë Socialiste kanë firmosur një marrëveshje mirëkuptimi, që synon të garantimin e bashkëpunimit “për të rritur cilësinë e punës së përbashkët dhe përgjegjshmërinë individuale e kolektive, në funksion të përmbushjes së detyrimeve që burojnë nga kontrata e Partisë Socialiste me popullin shqiptar, për vitet 2017-2021”. Sipas dokumentit, kjo marrëveshje dakordëson fushat dhe instrumentet që sigurojnë bashkëveprimin e ministrave dhe deputetëve, në funksion të cilësisë së komunikimit të brendshëm e me publikun; të kohezionit të vendimmarrjes dhe jetësimit të objektivave e të vendimeve; të trajtimit në kohë e me cilësi të ankesave e të kërkesave të njerëzve të zakonshëm në çdo komunitet. Kjo marrëveshje pritet të përbëjë “një pikë të palëvizshme referimi për Grupin Parlamentar Socialist e për çdo deputet, për kabinetin qeveritar e për çdo ministër, për Sekretariatin e Partisë Socialiste e për nivelet drejtuese qendrore e vendore të saj, në funksion të jetësimit të Bashkëqeverisjes me Njerëzit e Zakonshëm”. Ndër fushat e bashkëveprimit janë zhvillimi i debatit politik e parlamentar, duke e orientuar agjendën politike në çështje me interes publik dhe duke u angazhuar në mënyrë konstruktive, etike e të hapur me opozitën parlamentare; garantimi i komunikimit të vazhdueshëm mes palëve dhe unifikimi konstant i qëndrimit dhe mesazhit publik të forcës sonë politike; organizimi i përbashkët dhe koordinimi mes palëve për realizimin e dëgjesave dhe konsultimeve publike; zhvillimi i diskutimeve paraprake në kuadër të përgatitjes së projektligjeve dhe projektbuxhetit të shtetit; dakordësimi paraprak me çdo ministër a ministre për aktet legjislative dhe sigurim i pranisë së anëtarëve të kabinetit sa herë që thirren nga komisioni përkatës parlamentar, si dhe organizimi i seancave të përbashkëta përgatitore mbi strategjinë e mbrojtjes së qëndrimeve në komisionet parlamentare, si edhe mbi strategjinë e komunikimit e të veprimit në seancat parlamentare. Gjithashtu, ministrat dhe deputetët do të bashkëveprojnë në diskutime paraprake mbi nismat e reja ligjore dhe ndërmarrjen e nismave të përbashkëta ligjore apo qytetare, si dhe trajtimi i çështjeve me rëndësi që rezultojnë nga platformat e takimet e përcaktuara në këtë marrëveshjeje apo nga dëgjesat e konsultimet publike, si dhe garantimin e transparencës dhe aksesit të plotë të qytetarëve që kërkojnë informacion nga shteti.

Pjesë nga marrëveshja

Takimet me bazë qarku 
I . Çdo ministër/ministre, brenda një viti, duhet të vizitojë të paktën një herë secilin qark të vendit, në bazë të një kalendari aktivitetesh të kërkuara apo dakordësuara me deputetët e qarkut, me fokus inspektimin e njësive të ofrimit të shërbimeve për qytetarët, në fushën e përgjegjësisë së tyre. Gjithashtu, çdo ministër/ministre duhet të njoftojnë deputetët për pjesëmarrjen e tyre në aktivitetet publike, si dhe vizitat në terren që organizohen në qarqe nga ministri/ministrja përmes Sekretariatit të Përbashkët. 

II. Për të siguruar Qeverisjen në Koalicion me Qytetarët, i deleguari i qarkut organizon me çdo ministër/ministre dhe së bashku me deputetet e qarkut mbledhje dhe dëgjesa me:
a – drejtuesit dhe punonjësit e institucioneve sipas sektorëve;
b – përfaqësuesit e pushtetit vendor në qark;
c – komunitetin, në përfundim të të cilave koordinatorët hartojnë raportin e përgjithshëm, mbi bazën e raportit të përgatitur nga i deleguari për çdo qark;
d – konsultime të përbashkëta publike, në pararendje të çështjeve me interes të veçantë për publikun, të cilat mund të priten të shqyrtohen nga qeveria dhe kuvendi.
Në këto takime diskutohen dhe identifikohen çështje me rëndësi për zhvillimin e qarkut përkatës, nisma pilot apo modele, praktika të mira të qarkut, mundësi zhvillimi, nevoja të ndryshme apo të ngutshme, probleme që duhet të marrin zgjidhje për qarkun.

Prioritetet dhe nevojat e ndryshme apo më të ngutshme, të identifikuara si më sipër, paraqiten si rekomandime edhe për Komitetin e Planifikimit Strategjik dhe atë të Zhvillimit të Rajoneve, për t’u marrë në konsideratë gjatë përgatitjes së prioriteteve të programit buxhetor dhe programit operacional të zhvillimit lokal dhe rajonal, si dhe i paraqiten takimit të Kryeministrit me deputetët mbi bazë qarku.

III. Në takimin mes Kryeministrit dhe deputetëve mbi bazë qarku diskutohen çështje të anëtarësisë së partisë, si dhe çështje me rëndësi për qytetarët e për komunitetet, të cilat janë identifikuar nga deputetë të veçantë apo përmes dëgjesave dhe takimeve si më sipër etj., për çdo qark, në mënyrë specifike. Në këtë takim dakordësohen edhe çështjet kryesore që do të shqyrtohen a miratohen në mbledhjen e qeverisë në çdo qark, si më poshtë. Takimi zhvillohet çdo muaj, si dhe sa herë të jetë e nevojshme. Në këtë takim merr pjesë Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste dhe Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.

IV. Gjatë një viti, qeveria mblidhet detyrimisht një herë në çdo qark. Përveç mbledhjes së qeverisë, anëtarët e kabinetit së bashku me deputetët e qarkut zhvillojnë mbledhje e dëgjesa me drejtuesit dhe punonjësit e institucioneve sipas sektorëve, takime me komunitetin, si edhe me përfaqësuesit vendorë në qark. 

Edhe Komiteti për Zhvillimin e Rajoneve organizon një herë në vit një mbledhje të dedikuar për çdo qark, ku analizohen çështjet e lidhura me zhvillimin e qarkut përkatës, projektet, nevojat, potencialet për zhvillim. Për sa më sipër krijohet baza e të dhënave dhe informacionit mbi bazë qarku, si dhe Karta e Çështjeve për Qeverisjen mbi bazë qarku (qeverisja territoriale).

V. Takimi i kryetarëve
Për të koordinuar marrëdhënien në nivel të lartë, zhvillohet periodikisht takimi i kryetarëve. Në takim diskutohen çështjet e rëndësishme politike dhe parlamentare, funksionimi i marrëdhënieve, si dhe fokuset e veprimtarisë për periudhën pasardhëse. Takimi zhvillohet të paktën një herë në muaj, si dhe sa herë është e nevojshme. 

Në takimet periodike të kryetarëve marrin pjesë:
– Kryeministri
– Kryetari i Kuvendit
– Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste
– Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste
– Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave 
Organizimi i takimit të kryetarëve kurohet nga koordinatorët, me mbështetjen e Sekretariatit të Përbashkët. Në takimet e kryetarëve mund të marrin pjesë me ftesë edhe koordinatorët.
Takime të tjera me kontribut në këtë marrëveshje:

Takimi i Kryeministrit me kryetarët e komisioneve parlamentare dhe ministrat 
Në takimin mes Kryeministrit, kryetarëve të Komisioneve Parlamentare dhe ministrave diskutohet ecuria e nismave ligjore specifike sipas fushave, vështirësitë, pritshmëritë, si dhe taktikat dhe zgjidhjet e mundshme. Takimi zhvillohet çdo javë, si dhe sa herë të jetë e nevojshme.

Takimi i Kryeministrit me anëtarët e grupit parlamentar dhe ministrat
Në takimin mes Kryeministrit, anëtarëve të Grupit Parlamentar dhe ministrave diskutohet strategjia e seancës parlamentare. Takimi zhvillohet çdo javë, si edhe sa herë të jetë e nevojshme. Një herë në muaj gjithashtu, grupi parlamentar zhvillon në mbledhjen e tij të radhës seancë të lirë pyetje-përgjigje me ministrat.

Bashkëveprimi me deputetin 
Në bazë të ligjit për statusin e deputetit, si dhe kësaj marrëveshjeje, është përgjegjësi e çdo ministri/ministreje të përmbushë dhe e Komisionit të Etikës të mbikëqyrë plotësimin e kushteve të nevojshme për ushtrimin e të drejtave të deputetit dhe procedurave sipas statusit të deputetit. Çdo deputet ka të drejtë të njoftojë koordinatorët e marrëveshjes për rastet kur nuk janë përmbushur kushtet për të ushtruar të drejtat e deputetit si më sipër. Në rast mosveprimi të përsëritur, njoftohet Komisioni i Etikës dhe takimi i kryetarëve.

Trajtimi i kërkesave të deputetëve
Për të forcuar llogaridhënien e përgjithshme të qeverisë, kërkesat e deputeteve në lidhje me ofrimin e shërbimeve publike, cilësisht dhe sipas zones, paraqiten tek Kryetari i Grupit Parlamentar. Ato u përcillen për t’u ndjekur dhe trajtuar përmes Sekretariatit të Përbashkët, ministrit/ministres dhe/ose Kryetarit të Bashkisë sipas rastit. 

Trajtimi i kërkesave nga anëtarësia e partisë/qytetarët
Kërkesat/ankesat mblidhen dhe regjistrohen nga kryetarët e organizatave, të cilët ia përcjellin kërkesat dhe ankesat nga takimet me anëtarët dhe qytetarët Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë, të cilat, përmes Sekretariatit të Përbashkët që i regjistron ato, i komunikohen ministrit/ministres dhe/ose Kryetaritë të Bashkisë, sipas rastit, për t’i trajtuar dhe ndjekur ato. Sekretarit të Partisë i paraqiten edhe kërkesa/ankesa të mbledhura nga takimet mbi bazë qarku dhe dëgjesat si më sipër.

Hartues i qëndrimeve strategjike
Palët caktojnë një hartues të qëndrimeve strategjike. Ky rol konsultohet në vazhdimësi me palët në takimet periodike sektoriale, si dhe koordinatorët. Hartuesi i qëndrimeve strategjike harton deklaratat e pozicionit, të cilat shërbejnë si udhërrëfyes për palët, në punën dhe në qëndrimet e tyre. Hartuesi i qëndrimeve strategjike caktohet nga Kryetari i Partisë Socialiste dhe Kryetari i Grupit Parlamentar.

Organizatorët e Debatit
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste cakton personat të cilët hulumtojnë mbi çështjet për debatim a për kundërdebatim, si dhe deputetët të cilët do mbrojnë në debat pozicionin e partisë. Pranë Kryetarit të Grupit Parlamentar shërbejnë dy këshilltarë, të cilët ndihmojnë debatuesit apo kundërdebatuesit në përgatitjen e seancës së debatit.

Ndërtuesit e konsensusit
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste cakton personat që punojnë për ndërtimin e konsensusit parlamentar, si edhe për kuorumet e nevojshme për aktet legjislative. Ky rol synon që aktet të marrin mbështetje sa më të gjerë, si dhe garanton kuorumin e nevojshëm për nismat tona ligjore. 

Kujdestarët e marrëdhënieve brenda grupit dhe me anëtarët e kabinetit
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste cakton dy persona, të cilët kujdesen që marrëdhëniet e brendshme mes deputetëve dhe me anëtarët e kabinetit të jenë të ngrohta e miqësore.

Ndërmjetës/komunikues me opozitën
Palët bien dakord të caktojnë persona si ndërmjetës/komunikues me opozitën. Ky rol koordinon me palët, për të hapur linja dialogu me opozitën. Ky rol synon që reformat e mëdha dhe me rëndësi të veçantë për vendin të marrin konsensusin e gjerë të deputetëve të kuvendit dhe në publik.

Ndërlidhësi komunitar
Kryetari i organizatës luan njëkohësisht rolin e ndërlidhësit të komunitetit. Ndërlidhësi komunitar mbledh dhe transmeton kërkesa/ankesa dhe problematikat e ngritura nga anëtarësia dhe qytetarët. Ndërlidhësi komunitar mbështet të deleguarin e qarkut për organizimin e dëgjesave publike, për të zhvilluar koalicionin me qytetarët.

Ndërlidhësi social 
Palët caktojnë persona si ndërlidhës socialë, të cilët shërbejnë si ndërlidhës mes tyre dhe grupeve të ndryshme sociale, shoqërisë civile dhe zonës “gri”. Ky rol synon të afrojë sa më shumë grupet sociale me qëndrimet dhe nismat e palëve.

Filtruesit e kandidaturave
Filtruesit e kandidaturave caktohen sipas nevojës për hulumtumin e kandidaturave për detyra dhe pozicione ku kuvendi ka rol në propozim dhe miratim. Këtë rol e luan Komisioni i Posaçëm. 
Thanë për “Telegraf”

Elona Gjebrea, deputete e PS: 
“Në të vërtetë unë nuk kam qenë pjesë e formulimit të kësaj marrëveshjeje. Por ajo që është e rëndësishme është se kjo marrëveshje ka të bëjë me marrëdhëniet që do të kenë deputetët me partinë dhe qeverinë”. 

Agron Duka, kryetar i Partisë Agrare Ambientaliste:
“Përshëndes marrëveshjen e bashkëpunimit të deputetëve socialistë me qeverinë socialiste. Domethënë marrëveshjen e Edit me Ramën! Nuk kuptova vetëm se, përse tallja duhet të shkojë deri në këtë pikë”.

Nard Ndoka, kryetar i Partisë Demokristiane:
“Demagogji, asgjë e re, marrëveshje bashkëjetese! Rregulla për të kontrolluar partinë dhe grupin parlamentar, frikë dhe pasiguri për më tej! Rregulla xhungle me aktorë primitivë politikë!”

Basir Çollaku, analist: 
“Ç’thotë populli bën partia çdo partia bën populli. Ky është një tjetër truk mediatik, është një tallje e re publike e Ramës. E përse kjo marrëveshje, përse këto llogje parti-qeveri, të cilat dëshmojnë se tashmë kemi një parti shtet!!! Ka një mandat për të qeverisur, vendi ka një barrë ligje të cilat duhen zbatuar, ka një vetting që po shpërfytyrohet nga dalldia partiake. Edhe për këtë do vendosin se si do bëhet e kë do bëjë kurban partia..?!?! Kjo është një marrëveshje që zbeh në maksimum institucionet të cilat shkërmoqen nën peshën politike. Do të ishte mirë të zbatohej ligji në çdo sektor kjo është marrëveshja e qytetarit me qeverisjen. Ndërsa kjo na çon më shumë në ngjashmëri me Kim Yongun”.
Sigal