PS: Po manipulohen dhe falsifikohen regjistrat e popullsisë në qarqe

530
Sigal

Gjiknuri dhe Salianji: Rishpërndarja e mandateve të deputetëve po rrit tensionin politik për zgjedhjet e 2013-s

1 – KQZ-ja përpiqet të rishpërndajë mandatet e deputetëve,  pa u verifikuar listat e Ministrisë së Brendshme

KQZ-ja e re e nis punën me  përpjekjen për një rishpërndarje të  mandateve të deputetëve, në bazë të nenit 76, pika 1, të Kodit Zgjedhor, KQZ me shkrese nr.727 Prot., datë 22.10.2012 i kërkoi Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile dhe Ministrisë së Brendshme, numrin e përgjithshëm të shtetasve dhe numrin e shtetasve për çdo qark. Dhe nga ana e saj, Ministria e Brendshme me shkresë nr.7376/1 Prot., datë 07.11.2012 i ka dërguar KQZ-së të dhënat e kërkuara duke theksuar që numri i shtetasve është i datës 7 nëntor 2012. Në bazë të të dhënave që shtesës të shtetasve nëpër qarqe, KQZ-ja bëri edhe projektshpërndarjen e mandateve të deputetëve nëpër qarqe. Dhe në bazë të llogarive përkatëse, qarqeve të Beratit, Korçës dhe Fierit u merret secilit  nga një mandant dhe u jepet qarqeve të Durrësit, Kukësit dhe Tiranës.

2. Kontestimi në KQZ i të dhënave të Ministrisë së Brendshme

Anëtarët e KQZ-së, që janë përfaqësuesit e PS-së, si edhe përfaqësuesit e PS-në në KQZ që në fillim kërkuan nga Ministria e Brendshme të dhëna për numrin e popullsisë në qarqet, e sidomos në qarkun e Kukësit, ku në bazë të të dhënave të sjella, ky qark do të fitojë një mandat. Mirëpo, Ministria e Brendshme nuk solli asnjë sqarim në KQZ, ndaj çështja kaloi për t’u gjykuar në Kolegjin Zgjedhor. Nga ana tjetër, Kolegji Zgjedhor, në bazë të nenit 145 dhe 24 të Kodit Zgjedhor  vetëm mund të urdhërojë KQZ të marrë vendim neni 145 dhe 24 të Kodit Zgjedhor janë vendime që domosdoshmërisht kërkojnë vendimmarrje me konsensus të KQZ-së. Gjithashtu,  po të zbatohet ligji i Kodit Zgjedhor të porsamiratuar me konsensus,  duhet të plotësohen kërkesat e PS për hetimin e listave të Gjendjes Civile që ato pretendojnë.

3. KQZ-ja e re, jep shenjat e para të një qëndrimi të njëanshëm

Kryetarja e KQZ-së, Lefterie Lleshi, siç dihet, u zgjodh në Kuvend vetëm me votat e maxhorancës. Ky qëndrim i KQZ-së, duke u përpjekur të bëjë rishpërndarjen e mandateve të deputetëve, vetëm në bazë të të dhënave që ka përcjellë ministria e Brendshme, pa  dashur që të sillen  edhe të dhënat plotësuese që kërkuan anëtarët e tjerë të KQZ-së si edhe përfaqësuesit ligjorë  të PS-së, dëshmon që KQZ-ja e re, e kryesuar nga Lefterie Lleshi jep provën e parë të njëanshmërisë politike.

4. Juristi Salianji në “Telegraf”: “PD-ja manipulon listat zgjedhore”

Shpjegimet që kërkuan anëtarët e KQZ-së, që janë propozuar nga PS-ja, kanë të bëjnë me sqarimet për shtimin e popullsisë në qarkun e Kukësit. Juristi Eridian Salianji, përfaqësues ligjor i PS-së në KQZ, në prononcimin për “Telegraf”, pohoi: “Është e qartë, se PD-ja përpiqet që me të dhënat që paraqiti ministria e Brendshme në KQZ, për numrin e votuesve në qarkun e Kukësit, ka manipuluar shifrat. Ne i kërkuam ministrisë së Brendshme, që të sillte të gjitha të dhënat që të dëshmojë rritjen e popullsisë, por ministria nuk u përgjigj, ndërsa KQZ-ja, në mënyrë të njëanshme, e përcolli çështjen në Kolegjin Zgjedhor. PD-ja, me këto falsifikime të numrit të popullsisë, përpiqet që të fitojë mandate të deputetëve ne tavolinë, duke ua hequr qarqeve që votojnë më shumë të majtën dhe ia përcjell Kukësit”. Jo zyrtarisht, burimet nga PS-ja, bëjnë fjalë se, nga PD-ja po bëhen përpjekje, veç të tjerash,  që të regjistrojnë në Kukës popullsi të ardhur nga Kosova.

5. PS-ja informon ambasadorët për manipulimet e listave zgjedhore

Partia Socialiste ka informuar trupin diplomatik shqiptar, si dhe përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare lidhur me manovrat e paligjshme dhe njëkohësisht të rrezikshme për një proces zgjedhor ligjor e të ndershëm që qeveria është duke bërë nëpërmjet Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Gjendjes Civile. Sekretari për çështjet zgjedhore në PS, Damian Gjiknuri , dje ndërmori një iniciativë politike. Dje, ai dhe eksperti i kësaj fushe, Bledi Çuçi,  përfaqësuesit ligjorë të PS-së në KQZ, Genc Gjonçaj dhe Eridian Salianji,  u takuan  me përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, si dhe përfaqësuesit e OSBE-së dhe Komisionit Europian, për t’i informuar ata lidhur me ecurinë e zbatimit të Kodit Zgjedhor të miratuar me konsensus mes palëve, por që duket se nuk po ecën në të njëjtën mënyrë edhe gjatë zbatimit praktik të tij. PS-ja mundohet që të informojë faktorin ndërkombëtar për përpjekjet e para të bëra nga PD-ja për manipulimin e listave të votuesve, si edhe për një rishpërndarje të mandatit të deputetëve, në ato qarqe, ku PD-ja e ka më të lehtë fitimin e mandateve për deputetë. Sekretari për çështjet zgjedhore të PS-së, Damian Gjiknuri, duke sqaruar për qëllimin e konsultës që PS-ja organizoi me ambasadorët për problemin e krijuar në KQZ, lidhur me rishpërndarjen e mandateve, tha:  “U shpjeguam përfaqësive diplomatike situatën e krijuar në lidhje me çështjen e ndarjes së mandateve. Dhamë argumentet tona, të gjithë analizën që kemi bërë dhe që është paraqitur edhe në KQZ, por në mënyrë më të përmbledhur për ta. Takimi u zhvillua në formën e një bashkëbisedimi, për të kuptuar cili është problemi dhe për të parë çdo të bëjmë më tutje”.

6. Zgjedhjet e 2013-s, parashikohen të egra, të tensionuara politikisht

BE-ja e ka bërë të  qartë. Që kriteri i vetëm që do të përcaktojë nëse Shqipëria do të marrë ose jo statusin kandidat, do të jetë mënyra sesi do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare të 2013-s. Duke marrë në konsideratë ngjarjet që po zhvillohen në KQZ, për rishpërndarjen e mandatave, gjithkush e ka të qartë, që palët politike, përpiqen si e si të arrijnë qëllimin e tyre partiak, me çdo mjet, me çdo çmim politik! Fakti që KQZ-ja e re, nuk merr në konsideratë kërkesat e anëtarëve të saj, për të detyruar ministrinë e Brendshme që të paraqitë të gjitha të dhënat që të dëshmojnë e vërtetojnë lëvizjet e popullsisë nëpër qarqe, tregon se KQZ-ja e re, që në startin e saj, mban një qëndrim të njëanshëm politik. Që këtu fillon e rrëzohet mirëbesimi ndaj KQZ-së. Që këtu fillojnë e të kultivohen dyshimet për rolin jo ligjor të KQZ-së. Partia Socialiste ditët e fundit ka kundërshtuar idenë e ndarjes së mandateve sipas qarqeve në KQZ për arsye se Ministria e Brendshme nuk ka dhënë ende informacion në lidhje me shtimin e popullsisë në mënyrë jo normale në katër komuna të Kukësit.

7. KQZ-ja dhe jo Kolegji Zgjedhor përcaktojnë mandatet nëpër qarqe

  Në Kodin Zgjedhor është parashikuar qartë dhe prerë se mandatet përcaktohen nga KQZ, Mirëpo PD-ja, kërkon që  të jetë Kolegji Zgjedhor, institucioni që do bëjë ndarjen e mandateve për çdo qark.  Në qoftë se arrihet që Kolegji Zgjedhor  do të përcaktojë rishpërndarjen e mandateve të deputetëve, kjo do të ishte shumë e rëndë për besueshmërinë e procesit zgjedhor të 2013, pasi ligji nuk e autorizon Kolegjin për të gjykuar çështjen në themel për një gjë të tillë.