PS-PD, fushatë me aleatë të mërzitur

485
Kryeministri do të garojë pa aleatë, ndërsa Basha ndeshet me probleme brenda listave të kandidatëve për deputetë

Shtyrja e zgjedhjeve parlamentare dhe plotësimi me vonesë i hapave ligjore për garën elektorale ka sjellë një situatë të vështirë, si për Partinë Socialiste dhe për atë Demokratike, në raport me aleatët. Socialistët, të cilët e mbyllën procesin e kandidimit në fund të muajit prill, vendosën të kandidojnë të vetëm, duke lënë jashtë mundësisë për koalicion shumë aleatë të vegjël. Me përjashtim të Lëvizjes Socialiste për Integrim, thuajse të gjithë aleatët e tjerë do ta kenë të pamundur të përfaqësohen në Kuvendin e ardhshëm pa një koalicion me socialistët, për shkak të sistemit zgjedhor. Dhe pakënaqësitë këtu nuk kanë munguar, ndërsa PS është përpjekur të minimizojë efektin negativ, duke iu kërkuar partive të vogla të spostojnë votën te socialistët. Jo të gjithë e pranuan këtë kërkesë dhe dy më kryesorët, Skënder Gjinushi me PSD-në dhe Paskal Milo me PDS-në i thanë “jo”. Gjinushi duke vazhduar garën i vetëm, ndërsa Milo duke firmosur një marrëveshje me LSI-në. 

Megjithatë vendimi që Rama kishte marrë për të garuar i vetëm u pasqyrua edhe në paktin politik PS-PD. Për rrjedhojë edhe aleatët e Bashës mbetën pa koalicion, duke u detyruar të përfshijnë disa përfaqësues të tyre në listat e kandidatëve për deputetë të demokratëve. Opozita do të garojë me një sigël të vetme, por kjo e bëri më të vështirë plotësimin e kërkesave brenda Partisë Demokratike. Lista e hartuar nga Lulzim Basha shkaktoi edhe pakënaqësi, disa publike e disa të heshtura. Spikati largimi i ish-ministrave të qeverive “Berisha”, por edhe i ish-kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Ndërkohë që të pakënaqur pati edhe mes atyre që u përfshinë në listat e kandidatëve për deputetë, duke pretenduar se meritonin një përfaqësim më të mirë. Sistemi aktual zgjedhor përcakton vende të sigurta për të marrë një mandat deputeti, si dhe zona të diskutueshme për të fituar apo vende të pamundura. Kjo ka bërë që nga listat e Partisë Demokratike të ketë, jo vetëm të pakënaqur për mospërfaqësim, por edhe të mërzitur për vendin ku ndodhen në renditje. Nga kandidimi është tërhequr kryetari i degës së Partisë Demokratike në Shkodër, Ramiz Çobaj, aktivisti i njohur i shoqërisë civile, Sazan Guri dhe një nga drejtuesit e degës së Elbasanit, Bledi Himçi. Ramiz Çobaj, sipas mediave, është shprehur se ndihet i fyer nga renditja i teti në listën e Shkodrës, në një letër drejtuar kryetarit të PD-së, Lulzim Bashës. Ai ka dhënë dorëheqjen edhe si kryetar i degës së PD-së në qytetin verior. “Këtë vendim e kam marrë se nuk mund të dal para qytetarëve me këtë listë fyese dhe denigruese për qarkun e Shkodrës, ndaj po largohem edhe nga kryetar i PD”, citohet nga mediat letra e Çobajt. Megjithatë, një prononcim zyrtar prej tij nuk ka pasur. Ndërsa emri i Gurit ishte në listën e Partisë Demokratike, si kandidat për deputet në qarkun e Beratit. “Do e falja një figurë politike para njerëzve të mendimit, por s’mund të vazhdojmë më me ata që e shohin Parlamentin si vend për t’i dhënë punë vetes dhe jo të tjerëve, si vend që rrisin bizneset dhe fitojnë, paçka se të tjerët humbasin. Në këto kushte, as nuk e gjej dhe as nuk e krahasoj veten, ndaj vendosa të tërhiqesha zyrtarisht nga kjo garë”, shprehet Sazan Guri. Kritika për listën e demokratëve kanë ardhur nga ish-deputeti Lefter Maliqi. 
Sigal