PS nuk ka votat për Ligjin e Plehrave, Rama: Do flasim me aleatët!

473
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste nuk do ta dërgojë në seancë dekretin e Presidentit Nishani për ligjin e mbetjeve, pa marrë më parë dakordësinë e aleatëve mbi bazën e përgjigjes së marrë nga Komisioni Europian
Sigal

Kryetari i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Eduard Shalsi, ka njohur deputetët socialistë me përgjigjen që ka marrë nga Komisioni Europian në lidhje me ligjin për menaxhimin e integruar të mbetjeve dhe importin e tyre.

Sipas Shalsit, përgjigjja e ardhur nga Brukseli vërteton qëndrimin e këtij komisioni, por dhe Grupit Parlamentar socialist për këtë ligj. Por, edhe pse në përfundim të mbledhjes, deputetët socialistë kanë ndarë disa paqartësi në lidhje me efektet politike që ky ligj mund të ketë.

Kreu i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe, mësohet se ka kërkuar mostrajtimin e këtij dekreti, duke e shtyrë në kohë, pasi sipas tij kjo mund të sillte kosto për PSnë në prag të një viti elektoral.

Por ka qenë kreu i Grupit Parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, i cili është shprehur se herët apo vonë Partia Socialiste me deputetët e saj duhet të mbajë një qëndrim ndaj dekretit të Presidentit.

Por Kryeministri Rama ka vlerësuar përgjigjen e ardhur nga Komisioni Europian, duke e cilësuar atë në përputhje me qëndrimin që Qeveria dhe Grupi Parlamentar kanë mbajtur ndaj tij, raporton “Panorama”.

Mësohet se Kryeministri Rama është shprehur se përgjigjja e ardhur nga Brukseli jep më shumë kohë dhe argumente për të diskutuar dhe dakordësuar me aleatët që në seancë të shkohet me një konsensus sa më të gjerë.

Edhe pse nuk ishte në rendin e ditës, ndërhyrja e Shalsit ka qenë informuese, ndërsa më në detaje dekreti i Presidentit Nishani do të diskutohet në mbledhjet e ardhshme.

PËRGJIGJJA

Komisioni Europian i dha përgjigje përmes Ministrisë së Intergrimit nismëtarit të amendimeve ligjore që i hapin rrugë importit të mbetjeve. Por, për Brukselin, kjo është një dakordësi e përkohshme.

“Duke marrë në konsideratë situatën specifike të Shqipërisë në fushën e menaxhimit të mbetjeve dhe mungesën e infrastrukturës së duhur për menaxhimin e mbetjeve në vend, ne besojmë se amendimet e ligjit për menaxhimin e integruar të mbetjeve janë të miradaptuara dhe të përshtatshme për Shqipërinë në këtë moment”, thuhet në përgjigjen zyrtare.

Komisioni Europian thotë se, nëse Shqipëria bën progres të prekshëm në rrugën drejt anëtarësimit në BE, atëherë do t’i duhet të përshtasë legjislacionin e saj me atë të Bashkimit Europian.

Por, për sa kohë nuk është ende anëtare, Unioni nuk mund ta detyrojë Shqipërinë të lejojë importin e mbetjeve, por në momentin që bëhet vend anëtar, Shqipëria do të duhet të hapë tregun e saj edhe për mbetjet.

“Ndërsa Shqipëria ndërton kapacitetet e saj për të përballuar menaxhimin e mbetjeve në vitet që vijnë, ne presim që të jetë në një pozicion më të mirë për të përshtatur plotësisht legjislacionin e BE-së kur anëtarësimi të bëhet i pashmangshëm”, nënvizohet në përgjigje.