PS: Nuk ka mbrojtje shtesë për arrestimin e deputetëve

626
Propozimet e socialistëve për ndryshime në rregulloren e Kuvendit kanë hapur një debat të fortë politik. Kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, iu kundërpërgjigj akuzave të opozitës për ndryshimet e rregullores, duke deklaruar se propozimet nuk janë gjë tjetër veçse një pasqyrim në rregullore i ndryshimeve kushtetuese të miratuara në unanimitet, si dhe i ndryshimeve të Kodit të Procedurës penale të miratuar nga Parlamenti në pranverën e vitit 2017. “Siç është në Kodin e Procedurës të miratuar më shumicë të votave, e kemi futur në rregullore. Është detyrim! Po e lexoj fjalë për fjalë, neni 288 i Kodit të Procedurës Penale thotë: Kur ndaj një deputeti duhet të caktohet masa e arrestim me burg ose arrest shtëpie, heqja e lirisë dhe e çfarëdo lloj kontrolli personal ose banese, prokurori kërkon autorizim nga Kuvendi. Kërkesa për autorizim paraqitet kur plotësohen kushtet ligjore të parashikuara në këtë kod, për kryerjen e veprimeve të parashikuara në pikën 1 të këtij neni; ajo shoqërohet me një relacion të arsyetuar, të shoqëruar me provat që mbështesin kërkesën e tij”, u shpreh Balla. Sipas tij, nuk ka ndryshime të mëtejshme. “Ku janë propozimet e Partisë Socialiste për të ndryshuar procedurën?! Kush janë? Ka ndonjë ndryshim të procedurës të përcaktuar nga Kushtetuta dhe nga Kodi i Procedurës Penale këtu?!”, tha Balla. Sipas tij, para pak muajsh, në rastin e shqyrtimit në Këshillin e Mandatave të kërkesës së Prokurorisë në rastin e deputetit Saimir Tahiri, nëse Këshilli i Mandateve do t’i ishte referuar Rregullores, do të kishte qenë një gabim; dhe i është referuar Kushtetutës. “Të gjendur para kësaj situate, është bërë një përmbledhje tërësore e të gjitha ndryshimeve kushtetuese, e të gjitha vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, edhe të ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, me qëllim që institucionet e Kuvendit të rregullohen”, u shpreh Balla.
Sigal