PS në Elbasan ka mbetur pa kryetar, kërkon nga Rama mandatimin e një tjetri

462
Sigal

Morën mandatin, u bënë deputetë e ministra, harruan zgjedhësit. Kaos në administrata, zyra nuk funksionon

Partia Socialiste e Elbasanit ka mbetur pa kryetar prej disa muajsh. Kjo ka ndodhur pas marrjes së mandatit të deputetit nga Luljeta Arapi dhe largimit të saj edhe me vendbanim drejt Tiranës. PS në Elbasan (qytet) realisht ka kohë që mbetet një godinë hermetike dhe e mbyllur për anëtarët dhe militantët socialistë, të cilët kanë mbetur si “peshku pa ujë” duke mos ditur se ku të trokasin për hallet dhe problemet e tyre. Shumica e anëtarëve të kryesisë PS Elbasan, kërkojnë nga Rama mandatimin e një kryetari të ri deri sa të caktohet data e zgjedhjeve në parti. Realisht zgjedhjet për strukturat e reja duhej të ishin bërë qysh gjatë vitit 2014, por nuk dihet akoma përse janë shtyrë. Dorëzimi i mandatit nga kreu i Ministrisë së Energjitikës Damian Gjiknuri, automatikisht ja la vendin emrit të radhës, dhe ajo ishte Luljeta Arapi e cila deri vjet ka punuar si drejtoreshë në Bashkinë e Elbasanit, dhe kryetare e PS për qytetin. Por marrja e mandatit të deputetit të diskutuar aq shumë (pasi flitej se favorit ishte edhe Prefekti Qarkut Arben Kamami) nga zonja Arapi e cila duhet të mbulojë zonën e Gramshit, duket se ka krijuar debate dhe boshllëqe në degën e PS Elbasan. Dyert e godinës së PS në këtë qytet, prej muajsh janë të mbyllura, dhe atje mbledhjet kanë mbetur një kujtim i së shkuarës. Anëtarët e kryesisë prej muajsh kërkojnë nga deputetët e Qarkut, dhe Kryeministri Rama në cilësinë e kreut të PSSH, marrjen e një vendimi kolegjial nga strukturat qendrore, për të sjellë të mandatuar një kryetar të ri. Eshtë e pafalshme që Elbasani me shumicë të majtë të mbetet pa kryetar PS, pa një godinë partie e cila duhej ti kishte dyert e hapura për anëtarët dhe militantët e saj. Sapo ka marrë mandatin e deputetes zonja Arapi nuk ka shkelur asnjë ditë në selinë e PS në Elbasan, dhe nuk ka qenë pjesëmarrëse edhe tek ceremonitë festive të 28 dhe 29 nëntorit dhe 70 vjetorit të çlirimit të vendit në këtë qytet. Ndarja de fakto dhe de jure nga PS lokale, por edhe nga zona e saj elektorale që është Gramshi, (pas largimit të Gjiknurit) pavarësisht se mandati e detyron të shkojë të dëgjojë dhe të njihet me hallet dhe problemet e asaj zone, padyshim do të sjellë kosto elektorale për socialistët në zgjedhjet lokale. Situata në PS e Elbasanit prej 1 vit mbetet kaotike, pasi ajo seli mbetet një derë e mbyllur për ata që votuan me shumicë alternativën e Ramës dhe besuan për ditë më të mira. Por gjithçka duket se po shkërmoqet nga brenda. Elbasani është qyteti që meriton shumë më tepër nga deputetët e tij, nga ministrat dhe nuk meriton braktisje poshtëruese pasi një ditë ai të ndëshkon me votë. Të pretendosh se “po drejton partinë nga larg, dhe po qan hallet e elektoratit nga Tirana” është sa abuzive aq edhe e injoruese për shumicën në këtë qytet e cila ka elementë energjikë dhe të përkushtuar që dinë të bëjnë më të mirën, por që qëllimisht janë mbajtur larg dhe janë denigruar. Janari mbetet muaji kur nis de facto fushata elektorale për zgjedhjet lokale, ndërkohë që PS në Elbasan ka muaj që mbetet e mbyllur si një bunker i braktisur, i mbyllur dhe i harruar. Prej 1 viti e gjysmë PS lokale nuk ka organizuar asnjë takim me deputetët e qarkut , asnjë analizë, asnjë diskutim, asnjë promovim të figurave dhe elementëve pretendentë për postet dhe vendet e punës. Gjithçka në konspiracion dhe heshtje të plotë. Gjithçka bëhet dhe vendoset pa miratimin e deputetëve dhe kryesisë, duke mos pyetur shpesh edhe për të deleguarit e kryesisë qendrore, që padyshim janë transmetuesit e porosive të Ramës. Shumica e kryesisë dhe deputetëve të qarkut Elbasan, kërkojnë përmbysjen e situatës dhe ri ngritjen e PS në këtë qytet, ndryshe kostot elektorale do të jenë fatale për fatin e kandidatëve që do të shpallë shumë shpejt kjo parti atje.

 Nga Ben Delimeta