PS në Elbasan drejt shpërbërjes

422
Baza e militantëve, të emëruarit, të punësuarit, drejtorët dhe deri deputetët socialistë në Elbasan, tashmë janë të ndarë mes tyre, në ide dhe interesa personale dhe klanore. Prej afro 1 viti dega e PS në Elbasan ndodhet në ditët e saj më të vështira, qysh kur lindën hapur dhe pa kthim divergjencat parimore mes klaneve Rama dhe Blushi. E ndërsa ky i fundit e ka tashmë të konturuar grupimin e tij, duke nisur nga pjesa e bazës, disa dhjetëra zyrtarë dhe të punësuar dhe drejtues institucionesh, duket se pjesë e këtij grupimi do të jenë edhe 2 deputetë socialistë. 

Koordinatori Balla dhe përçarja e PS

Nga burime të sigurta, të thëna nga anëtarë të kryesisë dhe nga militantë socialistë mësohet se “kjo situatë, e cila po tentohet të mbahet në pozicione të qëndrueshme nga koordinatori Balla, ka mbi 1 vit që ka lindur dhe sa vjen dhe po bëhet më e thelluar, pasi ka ardhur si pasojë e mungesës së punësimit, rritjes së nivelit të varfërisë, mungesës së tolerancës dhe rritjes së arrogancës nga drejtuesit, rritjes së korrupsionit, si një fenomen që nis nga punësimet e pakta si roje objekti dhe deri tek ato të zyrave”. Gjithashtu “të pakënaqurit” e socialistëve veç kalimit në një tjetër parti të majtë, siç është LSI, po dalin hapur edhe në mbështetje të PD dhe kjo ndodh në Këshillin Bashkiak, dhe institucione të tjera. Ka raste kur janë larguar nga puna (pavarësisht se kanë pasur teserën e PS) njerëz me eksperiencë dhe janë zëvendësuar nga militantë të PD. Një dublim vendesh të pajustifikuara ligjërisht në struktura delikate të institucioneve. Situata e krijuar duket se nuk mbetet e lehtë për t’u kapërcyer edhe nga koordinatori Balla, i cili ndoshta duke mos e njohur mirë gjendjen aktuale, është përballur së fundi edhe me mllefet inatçore të disa deputetëve, që deri sot kanë qenë të “fjetur” në grupin parlamentar dhe ashtu rrinin edhe para Ramës. 

Roli i Blushit

Duket se sinjali i dhënë nga (Blushi) kundërshtari politik tashmë i hapur i Ramës, u ka dhënë shansin të pakënaqurve të “ndezin motorët”, ashtu si para 23 qershorit 2013, dhe të afrojnë bazën, anëtarët e asamblesë lokale, kryesisë, dhe deputetë, të cilët janë porositur të jenë gati për çdo lëvizje dhe të papritur politike. Dega e PS Elbasan prej 3 muajsh drejtohet nga një grup prej 5 personash, ndër të cilët dhe 2 deputetë, të cilët kanë marrë përsipër të ndalin rrjedhjet e mëdha nga baza deri në strukturat e tjera. Organizatat e partisë në lagje, fshatra dhe kryesia e qytetit, mbeten kaotike, duke mos ditur nga ta mbajnë drejtimin. Por lëvizjes dhe çdo të papriture të mundshme politike, fanatikët e Ramës, shumë shpejt do t’i përgjigjen me hapat e duhura. Janë gati listat e shkarkimeve dhe emërimeve, të cilat ndoshta brenda dhjetorit 2015, do t’i bashkëngjiten hapave të mëtejshëm politikë të dy personazheve, pas kundërshtive politike të gjata në kohë. Sipas një deputeti socialist, “pritet vetëm momenti i duhur, kur “ndeshja” të nisë dhe gjithçka do të marrë formën e duhur, çdo moderator dhe i pabindur do të gjejë vendin që meriton”. Fakti është se pushteti e ka konsumuar shumë shpejt PS dhe ekipin e saj, duke krijuar një klimë të pavaforshme, e cila nuk dihet se si do të lejojë ata të mbyllin mandatin e parë qeverisës, pasi për të dytin gjasat janë qysh sot për “Jo”. Elbasani, që e ka pritur me padurim ardhjen e të majtëve në pushtet, ka kohë që mbetet i zhgënjyer nga reformat radikale, rritja e numrit të familjeve të varfra, mungesa e vendeve të reja të punës, mungesa e transparencës, arroganca e të zgjedhurve me votën e tyre, dhe korrupsioni që ka mbërthyer gjithçka, nga vendi i rojës së objektit dhe deri tek pozicionet e tjera në institucione. Dy deputetët socialistë të Elbasanit ka kohë që nuk marrin pjesë edhe në takimet politike, duke ravijëzuar dukshëm pozicionet e tyre edhe brenda grupit parlamentar, si pjesë e një grupimi të ri, që ka hedhur themelet e veta veçanërisht në një pjesë të bazës së zhgënjyer. 
Sigal