PS-LSI-PBDNJ propozojnë Edi Ramën si Kryeministër të vendit tek Presidenti

397
Sigal

Legjislatura VIII e Kuvendit u çel me pjesëmarrjen e 140 deputetëve të zgjedhur. Ambasadorët e vlerësojnë si sfidë e integrimit

Ka zgjatur vetëm 20 minuta seanca e parë solemne e çeljes së punimeve të legjislaturës së VIII të Kuvendit shqiptar. Si rrallë ndonjëherë, seanca parlamentare nuk ka zgjuar vetëm interesin e trupës diplomatike në vend, ku seancës nuk i ka munguar edhe përfaqësia  e komuniteteve fetare dhe  e Kreut të lartë të Shtetit, Bujar Nishani, të gjitha këta të kaluar nën lupën e medias. Mbledhja startoi nën tingujt e Himnit Kombëtar të Flamurit, ndërsa më pas Namik Dokle nën praninë e 140 deputetëve, ka hapur dhe mbledhjen, si deputeti më i vjetër në moshë pas refuzimit të Kryeministrit të dorëhequr Sali Berisha. Në fjalën e tij ai e vlerësoi seancën e sotme (djeshme) si një nga të vetmet pa bojkot dhe kjo jo aq për meritë të subjekteve politike, sesa prej faktit se populli e tha me votë fjalën e tij, duke përcaktuar qartësisht maxhorancën. Drejtuesi i seancës uroi dhe deputetët, të cilët ulen për herë të parë në karriget e Kuvendit. Më pas, Dokle ka caktuar dhe tre deputetë, ndër deputetët me moshën më të re, për të kryer përkohësisht  detyrën e Sekretarisë së Kuvendit deri në zgjedhjen e Byrosë së Kuvendit.

Ngrihet Komisioni i Përkohshëm i Verifikimit të Mandateve

Në këtë seancë të parë u ngrit edhe Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve, i cili, sipas rregullores përbëhet nga 9 deputetë dhe ka dy ditë kohë për të kontrolluar përputhshmërinë me ligjin të mandateve të 140 deputetëve. Ishin kryetarët e grupeve parlamentare, ata që bënë edhe propozimet e anëtarëve, ku kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruci propozoi Armando Subashin, Ermonela Felajn, Besnik Baren, Vexhi Muçmatën. Kreu i grupit parlamentar tëLSI-së, Petrit Vasili propozoi deputetin Vangjel Tavo, si anëtarin e 5-të të këtij komisioni.

Ndërsa kreu i grupit të PD-së, Edi Paloka propozoi 4 emrat që do të përfaqësojnë opozitën në këtë komision, përkatësisht Voltana Ademi, Oerd Bylykbashi, Arben Ristani dhe Gerti Bogdani. Komisioni ka dy ditë kohë për të kontrolluar përputhshmërinë me ligjin të mandateve të 140 deputetëve. Sot, para nisjes së seancës së radhës parlamentare, Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve do të ketë gati raportin për t’ia paraqitur Kuvendit, hap ky që pason betimin e 140 deputetëve të legjislaturës së re. Gerti Bogdani, një prej 46 deputetëve të PD, por dhe anëtar i këtij Komisioni, deklaroi se gjithçka po shkon normalisht, ku ashtu si Parlamenti, edhe Komisioni ishte i plotë, nuk kishte bojkot

Sot, betimi i deputetëve

Pas hartimit të një raporti nga ana e këtij komisioni, pritet që një ditë më pas, pra më 10 shtator, të kryhet betimi i deputetëve, ku Dokle përcaktoi orën11:00të ditës së sotme për mbledhjen e radhës.

Ilir Meta  do të zgjidhet sot zgjidhet Kryetari i ri i Kuvendit

Menjëherë pas kësaj, po në bazë të rregullores,  15 deputetë  do t’i drejtohen Kuvendit me kërkesën për të zgjedhur kryetarin e tij, që do të jetë Ilir Meta. Procedura vijon më tej, me votim të fshehtë. Me zgjedhjen e Kryetarit të ri të Kuvendit, Dokle do t’i lirojë atij vendin dhe më pas do të jetë ky kryetar që, pasi të mbajë fjalën e rastit, të njoftojë edhe datën dhe orën e mbledhjes së Kuvendit, kur Kryeministri do të bëjë publik programin e qeverisë së re. Në Kuvendin e ri,  aleanca e Majtë ka 83 deputetë, ndërsa aleanca e Djathtë 57 deputetë.  Ndër 140 deputetët e kësaj legjislature, 55 ulen për herë të parë.

1. Partia Socialiste – 65 deputetë
2. Partia Demokratike – 46 deputetë
3. Lëvizja Socialiste për Integrim – 16 deputetë
4. Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet – 5 deputetë
5. Partia Republikane – 4 deputetë
6. Partia Demokristiane – 1 deputet
7. Lëvizja për Zhvillim Kombëtar – 1 deputet
8. Partia Kristian Demokrate Shqiptare – 1 deputet
9. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut – 1 deputet

 

 Deklarata para dhe pas seancës parlamentare

Ilir Meta: “Opozitarë, por vëllezër”

 “Opozitarë, por vëllezër është tashmë një shprehje e njohur në Parlament. U uroj mbarëvajtje deputeteve dhe legjislaturës së re”, tha Meta ndërsa u pyet nëse do të dëgjonte zërin e opozitës në Parlament.

  Paloka: “Opozitë e vështirë, Rama të bëjë kujdes me ëndrrat për pushtetin”

 Kryetari i komanduar i Grupit Parlamentar të PD-së, Edi Paloka u shpreh se, opozita e re do jetë luajale dhe e ndershme, ndërsa do presë me padurim që kryeministri i ri të përfshijë në programin e qeverisë premtimet e bëra në fushatë. “Ne do jemi opozitë luajale dhe e ndershme, nuk do bazohemi në shpifje dhe dhunë kur të mos kemi argumente. Por nëse do ta përdorë pushtetin për ëndrrat e Koçove të Ramës, do t’i kthehen ëndrrat në makthe”, -tha Paloka. “Të shohim çdo bëjë me legalizimet dhe shëndetësinë falas, shpërblimin e të persekutuarve me 25 euro në ditë, të shohim nëse do ulë dhe do heqë taksat për 95% të shqiptarëve. Të shohim a do jenë premtimet e Ramës në program”, vijoi ai. Sipas Palokës, kjo maxhorancë, “përveç numrave nuk ka pika të forta”. “Grupi ynë është 10 herë më lart maxhorancës”, komentoi ai.

  Arvizu: Festë për shqiptarët, presim angazhim për axhendën europiane

 “Është shumë emocionuese që ndodhem këtu sot. Edhe një herë dua të shpreh përgëzimet e mia në emër të SHBA-së për të 140 deputetët e Parlamentit të ri. Nuk e mbaj mend saktësisht, por rreth 40% e tyre janë të rinj; rreth  40% po rikthehen. Po ashtu, jam shumë i kënaqur me numrin e grave që janë zgjedhur deputete dhe të atyre që do shërbejnë në qeveri.  Kjo është një ditë për t’u festuar për të gjithë popullin shqiptar, po përpara ka shumë punë për të bërë. Sytë do ngulen tek Qeveria, por edhe tek zhvillimet këtu në parlament. Presim me kënaqësi angazhimin e deputeteve për axhendën evropiane të vendit dhe përsa i përket SHBA-ve, jemi shumë të kënaqur që kemi marrëdhënie shkëlqyera si me maxhorancën e re dhe me opozitën”, deklaroi ambasadori i SHBA-ve, Aleksandër Arvizu pas përfundimit të seancës.

 Sequi: Parlamenti startoi me integrimin si prioritet

 Ndërsa ambasadori i BE, Ettore Sequi e konsideroi këtë ditë “si shumë të rëndësishme për Shqipërinë,  pasi ky Parlament fillon me një fryt të qartë e të pastër, me një prioritet të rëndësishëm siç është integriteti në Europë”.

  LSI-PBDNJ propozojnë Edi Ramën si Kryeministër të vendit tek Nishani

 Vetëm pak minuta pas mbylljes së punimeve të seancës së parë parlamentare, koalicioni i majtë “Aleanca për Shqipërinë Europiane” ka depozituar pranë Presidencës propozimin për Kryeministrin. Propozimi drejtuar Kreut të Shtetit është firmosur nga dy aleatët e PS-së, LSI dhe PBDNJ, ku propozohet Kryesocialisti Edi Rama si Kryeministër i shqiptarëve për katër vitet e ardhshme. Në bazë të Kushtetutës, pas këtij hapi, Kryeministri i ri nis negociatat me partitë e koalicionet dhe zgjedh anëtarët e rinj të kabinetit qeveritar për të siguruar një maxhorancë të sigurt, hap ky që tashmë është ezauruar nga zoti Rama prej ditësh. Ndërkaq, brenda 10 ditëve, Kryetari i ri i qeverisë, i emëruar sipas Kushtetutës, i paraqet për miratim Kuvendit programin politik të Këshillit të Ministrave, së bashku me përbërjen e tij, e cila votohet e plotë dhe jo e ndarë. Si ministrat, ashtu edhe kryeministri, do të votohen në të njëjtën seancë, ku secili duhet të marrë shumicën e votave nga Kuvendi që të miratohen, fakt ky që tashmë nuk është problem, kur maxhoranca e re shkon me 83 mandate deputetësh në Kuvend.  Afatet e propozimit, emërimit dhe votimit të ministrave përcaktohen në nenin 98 të Kushtetutës, sipas së cilës, “ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të kryeministrit brenda 7 ditëve. Dekreti shqyrtohet brenda 10 ditëve nga Kuvendi”. Para fillimit të detyrës, kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat betohen para Presidentit të Republikës. Kabineti Rama do të ketë 21 anëtarë, ku Lëvizja Socialiste për Integrim përfaqësohet me 5 ministra. Në qeverinë e tij Edi Rama ka përfshirë edhe përfaqësues të shoqërisë civile, siç është rasti i përkthyeses dhe publicistes, Mirela Kumbaro.