PS-LSI nuk firmosin koalicionin, ndizet sherri për afatet

506
Partitë e shumicës kërkojnë shtyrjen e datave në dispozicion për t’u regjistruar në KQZ. PD kundërshton
Në ditën e fundit të mundshme për regjistrimin e koalicioneve për zgjedhjet e 18 qershorit, Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim i kanë dërguar një letër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku i kërkojnë shtyrjen e këtij afati. Letra për KQZ-në mban firmën e dy krerëve të grupeve parlamentare të PS-së dhe LSI-së dhe kërkon nga KQZ-ja shtyrja e afatit në kohën kur opozita ende vijon bojkotin e saj.

“Partia Socialiste, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe partitë e tjera të Aleancës për Shqipërinë Evropiane janë në përpjekje të vazhdueshme për të negociuar me opozitën, për të mundësuar pjesëmarrjen e plotë të të gjithë spektrit ekzistues politik të vendit në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 18.06.2017. Në këtë kontekst social-politik, i cili nuk mund të neglizhohet nga asnjë institucion publik në vend e, aq më pak nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kërkojmë nga ana juaj një qëndrim në lidhje me mundësinë për të shtyrë afatin e regjistrimit të partive politike në zgjedhje (neni 64 i Kodit Zgjedhor) dhe të regjistrimit të koalicioneve zgjedhore (neni 65 i Kodit Zgjedhor)”, theksohet në letrën e firmosur nga Gramoz Ruçi dhe Luan Rama. Sipas drejtuesve të grupeve parlamentare të shumicës parlamentare, “tejkalimi i afateve të parashikuara nga nenet 64 dhe 65 të Kodit Zgjedhor me disa ditë, në ndërkohë që nuk do të sillte asnjë pasojë penalizuese, nga ana tjetër do të kontribuonte për të krijuar hapësira për të siguruar një proces sa më gjithëpërfshirës”.

Në bazë të Kodit Zgjedhor, afati i fundit për regjistrimin e partive në KQZ ishte data 9 prill dhe afati i fundit për regjistrimin e koalicioneve ishte data 19 prill. Ndërsa për regjistrimin e kandidatëve, afati i fundit është data 29 prill.

Kundërshtimi i PD-së
Koalicioni opozitar, përmes një letre të nënshkruar nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka, i kërkoi Komisionit Qendror të mos e shtyjë afatin e regjistrimit të koalicioneve për zgjedhjet e ardhshme. PD ka sjellë në vëmendjen e KQZ-së, se afatet e parashikuara në nenet 64 dhe 65 të Kodit Zgjedhor, për regjistrimin e partive politike dhe koalicioneve zgjedhore, janë afate prekluzive, dhe nuk mund të shtyhen. Në letrën e koalicionit opozitar drejtuar KQZ dje pasdite, thuhet se qëndrimi i Komisionit ndaj kësaj kërkese, apo vendimmarrja mbi këtë kërkesë, do ta nxirrte këtë institucion thellësisht politik që shërben si mashë elektorale për kastën qeverisëse.
Vetë Partia Demokratike dhe aleatët e saj nuk janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit, duke shkelur afatin e përcaktuar për më 9 prill. 
Ministria e Jashtme: Gabriel foli në emër të qeverisë gjermane
Kërkesa që ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Sigmar Gabriel, i bëri opozitës në Shqipëri që ajo t’i japë fund bojkotit të Parlamentit ka shkaktuar debat në Shqipëri. Në disa artikuj në shtyp dhe në forume në internet kjo kërkesë po karakterizohet si kërkesë që buron nga përkatësia e ministrit të Jashtëm gjerman në partinë socialdemokrate gjermane. Sugjerohet se ajo duhet parë si një pozicion partiak i ministrit Gabriel dhe jo si pozicion i qeverisë gjermane. Ministria e Jashtme e Gjermanisë iu përgjigj pyetjes së “Dojçe Vele”-s, nëse në deklaratën e ministrit të Jashtëm Gabriel për opozitën në Shqipëri kemi të bëjmë me një qëndrim të qeverisë gjermane ndaj zhvillimeve në Shqipëri apo me një deklaratë nga pozita partiake të ministrit të Jashtëm gjerman.

Nga Ministria e Jashtme gjermane iu transmetua dje “Dojçe Vele”-s, se kërkesa e ministrit të Jashtëm Gabriel ndaj opozitës shqiptare, për t’i dhënë fund bojkotit të Parlamentit dhe që opozita të shfrytëzojë rrugët e parashikuara në kushtetutën e Shqipërisë, është qëndrimi i Qeverisë Federale gjermane.
Sigal