PS-ja tërhiqet nga shkarkimi i Presidentit, të reflektojë

794
Sigal

Draft-rezoluta e PS-së për Metën, socialistët tërhiqen nga shkarkimi: Presidenti të reflektojë!

Mazhoranca ka ndryshuar qëndrim në lidhje me rezolutën që do të paraqiste në parlament për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Në draft rezolutën që do t’i paraqitet nesër Kuvendit, ku në asnjë rresht nuk thuhet se PS-ja do të kërkojë nga Kuvendi shkarkimin e Metës. Në këtë draft, kërkohet vetëm reflektim nga ana e presidentit për të mos ndërmarrë asnjë akt tjetër që bie ndesh me Kushtetutën, si dhe i kërkohet KQZ-së dhe organeve të tjera të vijojnë punën me përgatitjen e zgjedhjeve lokale. Ndërhyrjen e Presidentit të Republikës në këtë fazë të procesit zgjedhor si një mjet që ka cenuar rëndë barazinë e konkurrimit politik duke shkelur kështu paanësinë politike që Kushtetuta i ka veshur Presidentit të Republikës. Kuvendi i Shqipërisë vlerëson se akti i Presidentit datë 10.06.2019 për shfuqizimin e dekretit nr. 10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, është një akt absolutisht i pavlefshëm, i nxjerrë në kapërcim të kompetencave kushtetuese dhe ligjore të institucionit të Presidentit dhe si i tillë ai konsiderohet nul dhe sikur nuk ka ekzistuar asnjëherë. Kuvendi i Shqipërisë mbështet qëndrimin e KQZ-së për vijimin e procesit zgjedhor dhe inkurajon këtë organ të vijojë të mbrojë pacenueshmërinë si dhe të garantojë vazhdimësinë e procesit zgjedhor për zgjedhjet vendore të datës 30 Qershor 2019 nisur si rrjedhojë e zbatimit të Dekretit të Presidentit nr. 10928, datë 05.11.2018. Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje të gjitha organeve publike që ngarkohen nga ligji me detyra në kuadër të mbarëvajtjes dhe organizimit të zgjedhjeve vendore të Qershorit 2019 të konsiderojnë si inekzistent aktin e Presidentit datë 10.06.2019 për shfuqizimin e dekretit nr. 10928, datë 05.11.2018 dhe të vijojnë përmbushjen e detyrave të tyre sipas përcaktimeve në legjislacionin përkatës për të garantuar të drejtën kushtetuese të shtetasve shqiptarë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në pushtetin vendor. Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Presidentit të Republikës të reflektojë duke kthyer institucionin e Presidentit në kufijtë e kompetencave të njohura nga Kushtetuta dhe të mos ndërmarrë asnjë veprim tjetër në shkelje flagrante të Kushtetutës.