PS-ja përsëri e shtyn p/ligjin “Për Gjykatën e Lartë”

449
Sigal

Sot në Këshillin e Legjislacionit diskutohen amendamentet e PS-së. Hapet rruga për Imunitetin

 

Komisioni parlamentar i Ligjeve nisi shqyrtimin e disa ndryshimeve dhe shtesave në ligjin “Për Gjykatën e Lartë”, me praninë edhe të ministrit të Drejtësisë, Eduard Halimi.

PS-ja: “Projektligji për Gjykatën e Lartë nuk i përmbush pritshmëritë”

Deputeti socialist, Fatmir Xhafaj nënvizoi rëndësinë e reformës në drejtësi, duke mirëpritur pr/ligjin për Gjykatën e Lartë, por kërkoi që ligji të shtyhet pasi sipas tij, nëse pretendohet realisht për reformë në Gjykatën e Lartë ky projektligj nuk i përmbush pritshmëritë e kërkuara nga opinioni publik. Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, ekspertët ndërkombëtarë dhe vendas që janë angazhuar në këtë fushë dhe rekomandimet e dhëna nga ana e EURALIUS – misionit të asistencës së BE-së, por edhe disa vendime të rëndësishme të Gjykatës Kushtetuese në këtë aspekt meritojnë vëmendje gjithashtu.

Ja pse PS-ja e kushtëzon p/ligjin e Gjykatës së Lartë me këto çështje të rëndësishme të hedhura tashmë në diskutim, të cilat afektojnë drejtpërsëdrejti në përmbajtjen e këtij projektligji.

1. Amendamentet për imunitetin – të miratuar tashmë – dhe që do të reflektohen shumë shpejt edhe në projektligjin e Gjykatës së Lartë.

2. zgjedhja me shumicë të cilësuar të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë (propozuar nga ne) apo shndërrimi i saj  në karrierë gjyqësore (propozuar edhe nga EURALIUS) çka kërkon ndryshime të thella në përmbajtjen e ligjit.

3. Heqja e juridiksionit fillestar të Gjykatës së Lartë një propozim i bërë në nismën tonë.

4. Koha e qëndrimit në detyrë të gjyqtarëve dhe procedura dhe afatet e miratimit të dekreteve që nëse pranohen kërkojnë domosdoshmërisht gjithashtu, ndryshime në ligjin e Gjykatës së Lartë. Qëndrimi i gjyqtarëve në detyrë deri në miratimin e pasardhësit nuk mund të bëhet me këtë projektligj (siç është propozuar), por kërkohet ndryshimi kushtetues.

Rusmajli akuzon: “PS-ja bllokon reformën”

Kryetari i Komisionit, Ilir Rusmajli akuzoi opozitën se kërkon një reformë jo të plotë më qëllim bllokimin e statusit kandidat. Pr/ligji është një nga 12 rekomandimet e Bashkimit Europian dhe shihet si prioritet kryesor i axhendës parlamentare në sesionin e ri kuvendor. Drafti i propozuar nga Ministria e Drejtësisë u shty gjatë sesionit paraardhës pas kërkesës së opozitës, e cila kërkoi më shumë kohë në dispozicion për shqyrtimin e tij.

Ministri i Drejtësisë, Halimi: “Justifikimet e PS-së janë demagogji”

Ministri i Drejtësisë, zoti Halimi, tha se, miratimi i p/ligjit “Për Gjykatën Kushtetuese” është një nga kushtet e integrimit. Debati për këtë p/ligj ka filluar që në dhjetor të 2011-s. Të gjitha justifikimet e sjella nga PS-ja janë demagogji, pasi nuk janë risi. Ky projektligj nuk ka nen që të bëjë fjalë për imunitetin, Të gjitha çështjet që u thanë këtu (nga PS-ja) nuk mund të fillojnë në këtë p/ligj.

Pr/ligji në fjalë, i hartuar në bashkëpunim me misionin EURALIUS, përfshin tre shtylla kryesore që lidhen me: emërimin e gjyqtarëve, kriteret e tyre, si dhe afatet konkrete për zëvendësim, kur ju mbaron mandati. Drafti që kërkon 84 vota parashikohet të miratohet të enjten, në seancën plenare të Kuvendit.