PS-ja nuk di të mbrojë dhe të mbajë njerëzit e vet

599
Sigal

Ish-nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, ende nuk rikthehet në punë, sipas ligjit, ndërsa PS-ja hesht!

1. Ish-nënkryetarja e KQZ-së, ende e papunë

Siç dihet, mandati i KQZ-së të mëparshme quhet i ndërprerë, në datën 18 tetor 2012, ndërsa afati ishte  deri në 2 shkurt 2013. Deri tani, të gjithë anëtarët e KQZ-së, të cilëve iu ndërpre mandati, janë emëruar në punë. Arben Ristani, u shpërblye nga Kryeministri Berisha për kryerjen e detyrës si Kryetari i KQZ-së, me postin e zv/ministrit të Brendshëm, ku do të ketë parësore procesin e zgjedhjeve të 2013-s. Artan Lazaj është emëruar në Gjykatën e Tiranës. Vetëm, Dëshira Subashi, ish-nënkryetarja e KQZ-së,  ende nuk është emëruar në asnjë detyrë.Parase të zgjidhej në KQZ, zonja Subashi ka qenë gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Tiranës.

2. Mosemërimi, si shkelje e ligjit, është për motive politike?

Sipas ligjit të KQZ-së, neni 182, anëtarët e KQZ-së, që u ndërpritet mandati, duhet të rikthehen në punën që ishte, ose ne një funksion ekuivalent me të. Dëshira Subashi, si nënkryetare e KQZ-së, gjatë gjithë mandatit të saj mbajti një qëndrim parimor dhe shpesh herë u përplas në debate me Kryetarin e KQZ-së, Arben Ristanin, aq sa Ristani edhe deshi që ta largojë, por pa sukses. Dhe, deri tani, rikthimi i Dëshira Subashit në punën që ajo kryente, ose në një funksion ekuivalent, nuk është bërë. Gjithsesi, nuk mund të jetë motivi se ende është herët dhe se mungojnë vendet vakante. Në Gjykatën e Apelit kishte vende bosh. Presidenti, që vendos rendin e ditës, ende nuk e ka vënë për vendimmarrje, ndërkohë që, filloi me plotësimet e vendeve vakante në Gjykatën e Apelit Tiranë. KLD-ja vendosi emërimin gjyqtare në këtë gjykatë Evgjeni Sinoimeri, këshilltare e Ministrit të Drejtësisë. Duke qenë se Dëshira Subashi në KQZ ishte përfaqësuese e PS-së, ndoshta mosemërimi i saj, ose mos rikthimi në punën e mëparshme, mund të shpjegohet vetëm për motive politike.

3. Për të “pabindurit”, ka pritshmëri të paafat për rikthimin në punë

Maxhoranca, me mekanizmat e saj, nuk ka asnjë vullnet të zbatojë ligjin e KQZ-së. Problemi është politik! Arsyeja, dihet. Me mosrikthimin në punë të nënkryetares të KQZ-së, maxhoranca “shpërblen”,  kësisoj, të gjitha ata që, në çdo funksion shtetëror që kryejnë, qoftë këto edhe në institucione të pavarura, sikurse është KQZ-ja, nuk i shërbejnë politikisht maxhorancës. Problemi nuk është te rikthimi në punë  i Dëshira Subashit. Thjesht, Dëshira Subashin, si ish-nënkryetare e KQZ-së, maxhoranca e tanishme e (keq)përdor si mesazh politik për këdo nëpunës, që është në detyrë. Mandati ka një kohëmbarim dhe po të mos e kryejnë detyrën, sikurse u interesojnë disave, do të kenë të njëjtin trajtim  të ngjashëm me zonjën Subashi.  Kryeministri Berisha, në emërimin e Ristanit, si zv/ministër, qëllimisht, theksoi se e shpërblen ish-kryetarin e KQZ-së, për kontributin që dha. Qartë, hapur dhe thjeshtë. Kështu, Kryeministri Berisha e përcolli, me shembuj konkretë mesazhin politik, për të gjithë nëpunësit që kryejnë detyra në çdo institucion shtetëror. Karriera varet nga shkalla e shërbesës. Për “të pabindurit”, ka pritshmëri të paafat për rikthim në punë.

3. PS-ja, duke heshtur, përcjell mesazhin e braktisjes së njerëzve të saj

 Por, ajo që të bën përshtypje, është heshta dhe shpërfillja politike që dëfton, deri tani, PS-ja. Siç dihet, për t’ju përmbajtur parimeve, PS-ja nuk ka votuar ende tre ligjet që kanë lidhje të drejtpërdrejt me dhënien e statusit kandidat Shqipërisë, për çështjen e qarkut të Fierit. Edhe aty, problemi politik është moszbatimi i vendimeve të gjykatave. Ndoshta, disa te PS-ja, përzgjedhin dhe diferencojnë, cilat janë probleme të mëdha, që ia vlen të merret dhe cilat janë të vockla dhe, si të tilla, duhet të shpërfillen. Kjo është mendësia politike të PS-ja, derisa për mosrikthimin në punë të nënkryetares të KQZ-së, hesht shpërfillshëm. Pyetëm, deputetin Taulant Balla, i cili na pyeti, nëse ish-nënkryetarja e KQZ-së, ka mbushur moshën për pension, ndaj nuk e rikthejnë në punë. Ndërsa deputeti Saimir Tahiri, të paktën, i çiltër, u përgjigj, që nuk ka dijeni fare, por problemi është politik. Ndërsa, deputeti Majko, që është edhe në Komisionin e Ligjeve, dha një përgjigje që kanë biseduar edhe me Presidentin dhe nuk është në të mirën e të interesuarës, që PS-ja ta bëjë problem politik. Sipas mendësisë politike të zotit Majko, PS-ja vepron e funksionon sipas interesave vetjake të personave dhe aspak, që problemet e personave , kur shkelet pa precedentë ligji ndaj tyre, t’i trajtojë si problem politik. Si askush tjetër, nënkryetarja e KQZ-së Dëshira Subashi, gjatë kryerjes të detyrës së saj në KQZ veproi e përkushtuar në zbatim të ligjit, por edhe për të mbrojtur interesat politike të PS-së, kur ato përshkeleshin nga veprimet e Kryetarit të KQZ-së, Ristanit. A nuk duhej, që tani PS-ja, të dëftonte, me interesimin e saj politik, publikisht, që vlerëson punën e kontributin e njerëzve të saj?  Duke shpërfillur politikisht shkeljen e ligjit ndaj atyre njerëzve që dje i shërbyen me përkushtrim e vetëmohim bindjeve dhe kauzës së  saj, PS-ja dëfton që njerëzit për atë janë të përdorshëm, janë instrumente të dobishme aq sa kryejnë punën dhe, pastaj, i flak, i harron, i shpërfill, sikurse edhe tani ish-nënkryetaren e KQZ-së. PS-ja që tensionon politikën, me deklarata të përditshme, për çdo vendim gjyqi në dëm të deputetëve të saj, përse hesht për të zgjedhurit e saj në institucionet e pavarura, kur maxhoranca hakmerret politikisht ndaj tyre, sepse mbrojtëm me fanatizëm të drejtën ligjore të PS-së? PS-ja kështu, është vetëm për të drejtat e deputetëve të saj, apo duhet të mbrojë në radhë të parë, të drejtat dhe ligjin për këdo qytetar, cilido qoftë ai?

Neni 182 (ndryshuar me ligjin nr. 74/2012)

Ndërprerja e mandatit të anëtarëve ekzistues të KQZ-së
3. Anëtari i KQZ-së, të cilit i ndërpritet mandati, kthehet në funksionin publik të mëparshëm, ose emërohet në një funksion ekuivalent me të.

 Flasin për “Telegraf”

Shqetësimin politik që trajton “Telegraf” në këtë shkrim, u pyetën edhe vetë ish-nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, si edhe deputetët e PS-së, Saimir Tahiri, Taulant Balla dhe Pandeli Majko.

Dëshira Subashi: “Unë nuk di të them arsyen e vonesës së KLD-së për tu kthyer në punën e mëparshme, siç parashikon ligji. Në këtë rast vonesa mund të ishte e justifikuar nëse nuk do të ekzistonte i lirë vendi i mëparshëm i punës. Në fakt është ndryshe. Gjykata e Apelit Tiranë ka më shumë se një vend vakant,si gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë. Ndoshta kjo është pyetje për KLD! Unë do ta dëshiroja ashtu siç ka ndodh edhe me kolegët e mi,që kanë kryer detyra të njëjta me mua.

Sigurisht që detyrimi ligjor i përket KLD-se ,por si në kuptimin ligjor ashtu edhe në kuptimin moral çdo kush kishte detyrim të reagonte për zbatimin e ligjin dhe realizimin e te drejtave themelore të njeriut me funksione publike.

 

Saimir Tahiri: – Keni te drejtë. Duhet që ta trajtojmë si problem politik, sepse shkelet qëllimisht ligji.

Taulant Balla:-Po mos ka plotësuar moshën për pension?

–  Jo, nuk e ka plotësuar, po çështja shtrohet përse PS-ja nuk e ngre zërin që shkelet ligji.

–  – Keni të drejtë.

–  Mos vallë mosrikthimi në punë e ish-anëtares të KQZ, bëhet mbi motive politike, derisa vetëm kjo deri tani nuk u rikthye në punën që ishte , ose analoge, sikurse thotë ligji?

–  Po, kjo është e qartë.

–  Duke heshtur PS-ja, që nuk mbron njerëzit e vet nga shkelja e ligjit, a nuk përcillet një mesazh i keq te të tjerët, që janë të përdorshëm, e të dobishëm, vetëm sa të kryejnë detyrat, pastaj, janë të pavlerë, e harrohen.

–  Qeshi dhe nuk dha përgjigje.

Pandeli Majko: – Ne e kemi biseduar në PS, problemin e rikthimit në punë të zonjës Subashi.

–  Po deri tani, PS-ja dhe ju nuk e keni ngritur si shqetësim, nuk keni ngritur problemin që shkelet ligji dhe e drejta e rikthimit në punë.

–  Po nuk duam edhe të bëjmë keq. Unë di disa gjera më shumë se kaq.

–  Çfarë?

–  Se po të publikohen çështjet, mund t’i bëjmë keq të interesuarit.

–  Puna është se i interesuari, apo cilido që të jetë, nuk i jepet zgjidhje të drejtës, dhe shkelet ligji. Ju a nuk duhet t’ju shqetësojë më shumë shkelja e ligjit për rikthimin në punë?

–  Kemi biseduar edhe me Presidentin.

–  Ju, si individ, apo si PS?

–  Mjafton kaq.