“PS-ja kërkon referendum për të gjitha ndryshimet kushtetuese që rritin pavarësinë e institucioneve”

499
Sigal

 INTERVISTA/ Deputeti i PS-së,  Agim Leka: “Referendumi i Berishës, përpjekje për të mbuluar dështimin e integrimit”

Deputeti i PS-së, Agim Leka, në intervistën për “Telegraf”, thotë se emërimi i bashkëpunëtorit të Gazidedes në krye të SHISH-it, dëshmon që vektori i integrimit të Shqipërisë është në kahun e kundër të Bashkimit Europian. Sipas zotit Leka, referendumi që kërkon Berisha, bëhet, pikërisht,sepse ai nuk mund të pranojë ndryshime kushtetuese që synojnë pavarësinë e pushteteve dhe është një përpjekje për të mbuluar dështimin e integrimit të Shqipërisë e të shqiptarëve.

– Zoti Leka, përse Berisha kërkon të mbajë të hapur debatin për  referendumin e imuniteteve?

Ishte vetëm një deklaratë inatçore e Kryeministrit, i cili dështoi në imponimin me dhunë të opozitës parlamentare. Ai pasi foli nja tri herë në seancën, të cilën e kishte caktuar vetë, të behej në atë datë dhe pasi kuptoi se grupi i PS-së ishte tepër serioz dhe i përgjegjshëm me propozimet profesionale juridike, që kishte bërë për imunitetet, atëherë në një nervozizëm të zakonshëm të tij dhe duke sharë e mallkuar çdo deputet të opozitës, shpalli se do të bëjë referendumin. Kjo ishte tallja e radhës, që ky njeri u bën shqiptarëve.

 – Nisma për referendum dhe sjellja ndaj imunitetit, a dëshmojnë për akte serioze politike dhe a kanë impakt në procesin integrues të Shqipërisë?

PS-ja ka shumë kohë që ka  kërkuar referendum për ndryshimet kushtetuese, jo thjesht dhe vetëm për imunitetin, por edhe për ndalimin e importit të plehrave, edhe për sistemin e drejtësisë. Nuk mundet që PS-ja të ndjekë nga pas deklaratat e papërgjegjshme të Sali Berishës. Ne, socialistët, jemi absolutisht për heqjen e imunitetit dhe kufizimin e tij, ne jemi absolutisht për ndryshimet kushtetuese me anë të një referendumi. Por ne nuk mund të bëjmë ison e Kryeministrit. Ne nuk mund të mbulojmë vjedhjen dhe korrupsion gjigand të kësaj qeverie, ne nuk mund të bëhemi garant për shkeljet ligjore, që këta qeveritarë bëjnë çdo ditë. Opozita është avokatia e pakorruptuar e interesit të publikut shqiptar.

– Derisa Kryeministri nuk pranon që të bëhen ndryshime në Kushtetutë, që lidhen me emërimet e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, të Gjykatës Kushtetuese dhe Kryeprokurorit me 84 vota, çfarë rëndësi politike mund të ketë, atëherë një referendum popullor?

– Po pra, kjo është arsyeja që ne kemi kërkuar një referendum për ndryshime thelbësore të Kushtetutës, sidomos për pavarësinë e drejtësisë. Kryeministri është i vendosur që, pasi zgjodhi një President partiak, një anëtar të kryesisë së PD, të emërojë Arben Ristanin, Prokuror të Republikës. Pse, imuniteti i deputetëve të PS pengon drejtësinë të dënojë vrasësit e Gërdecit, vrasësit e deputetit socialist, vrasësit e 21 janarit,  korrupsionin qeveritar?

Derisa PS-ja tha “Pro” referendumit,  a e ka studiuar nga ana ligjore, e kushtetuese, sa është i mundshëm të realizohet ky referendum?

– Patjetër. Ne e kemi paraqitur iniciativën tonë ligjore dhe ajo është firmosur nga të gjithë deputetët e Grupit. Ky draft profesional nuk është lexuar nga Berisha. Drafti nuk është shqyrtuar ende, as edhe sipas Rregullores së parlamentit.  Pra, drafti është gati. Modeli i pengesës së referendumit është maxhoranca.

– Derisa mund të bien dakord PD-PS për një referendum, përse u dashka referendumi dhe nuk u dakortësua në Parlament?

–  Berisha kërkon referendum, pikërisht, sepse nuk do të pranojë ndryshimet kushtetuese, që synojnë pavarësinë e pushteteve. Në seancën e dështuar të parlamentit, Saliu donte t’i hidhte hi syve partnerëve europianë të nderuar, të cilët janë të interesuar për integrimin e Shqipërisë. E gjithë kjo propagandë ka një qëllim: të mbulojë dështimin e kësaj maxhorance në mohimin për herë të tretë të statusit të kandidatit të vendit tonë për në Bashkimin Europian.

 – Referendumi, duke u bazuar edhe në Kushtetutë, a mund të realizohet brenda tetorit?

– Në qoftë se kjo maxhorancë në shtator e tetor do të vazhdojë këtë avaz dhe këtë revansh, për të kapur edhe ato pak institucione të pavarura, në qoftë se do të vazhdohet të konsolidohet shteti monopartiak, në qoftë se nuk do të dalin para ligjit të korruptuarit e mëdhenj, por do të dënohen deputetët e opozitës për  vjedhjet e pushtetarëve, atëherë si do të na shpëtojë referendumi i tetorit?

– Po nuk u realizua referendumi deri në tetor, cili është fati politik i reformës të heqje/kufizimit të imunitetit?

– Në qoftë se maxhoranca do të pranojë alternativën ligjore të PS-së, problemi është i zgjidhur.

– Praktikisht, mosmiratimi në  Parlament në 6 gusht i reformës të heqje/kufizimit të imunitetit, a nuk është dështim i kësaj reforme, si një prioritet i BE për statusin kandidat? Rrezikohet marrja e statusit?

Statusi i kandidatit të Shqipërisë rrezikohet nga mungesa e reformës parlamentare, nga mosfunksionimi i Parlamentit, sipas standardeve të një vendi normal europian. Rrezikohet nga mungesa e garancive, për të bërë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Rrezikohet nga korrupsioni i qeveritarëve me imunitet. Rrezikohet, sepse asnjë deputet, ministër, dhe kryeministër i kësaj maxhorance, nuk është paraqitur në dyert e drejtësisë, ndonëse rregullisht për 20 vjet Parlamenti e ka hequr imunitetin, sa here që e ka kërkuar Prokurori. Statusi rrezikohet, sepse drejtësia do të kthehet në zyrë të Partisë demokratike dhe shteti po bëhet një partiak.  Opozita e ka bërë dhe po e bën shumë mirë detyrën e saj: Ajo ka dhënë dhe do të japë konsensusin e saj dhe kontributin profesional e politik  në ligjbërjen.

Ky referendum, a është tregues i përpjekjeve për ndërtimin e një shteti të së drejtës?

– Si ka mundësi që besohet serioziteti i këtij kryeministri për referendumin, kur  Presidenti emëron me propozimin e Kryeministrit, kryetar të SHISH-it, një njeri famëkeq, që njihet si bashkëpunëtori i Gazidedes? Nesër Kryeministri do të emërojë në Gjykatën e Lartë e atë Kushtetuese, militantët partiake. Vektori i qeverisë shqiptare drejt Europës është i munguar dhe shpeshherë i orientuar drejt modeleve të diktaturave aktuale të Lindjes.

 – Faleminderit!