PS hetim për kontratën e qeverisë “Berisha” me Rapiscan, Braçe: Praktika korruptive

Kreu i Komisionit të Ekonomisë i ka dërguar sot një shkresë Ministrit të Financave për verifikimin e kontratës së qeverisë “Berisha” me Rapiscan, kompaninë amerikane e cila kishte me koncesion skanimin në dogana në Shqipëri.

“Në cilësinë e kryetarit të Komisionit të Ekonomisë për shkak të sensibilitetit të shtuar, për koncesionin për ngritjen dhe operimin e skanimit të kontenierëve jam i detyruar t’i drejtohem me një shkresë Ministrit të Financave për të nisur verifikimin e të dhënave të dala në publik ditët e fundit në mbështetje të dyshimeve për praktika korruptive në procedurën e ndjekur për dhënien e këtij koncesioni. I kërkoj kryeministrit të hetojë në të gjithë dimensionin e saj këtë çështje. Është një vlerë prej 250 mln eurosh që ndikon si tek kompanitë ashtu dhe tek individët. Nga i gjithë dokumentacioni që disponoj, unë mendoj që ka dyshime të arsyeshme që mbështesin edhe pretendimet për praktika korruptive të dala së fundmi”, deklaroi Braçe.

Deputeti socialist tha se koncesioni ka nisur nga një propozim i pakërkuar nga qeveria e Shqipërisë po i kërkuar nga kompania Rapiscan. “Termat financiarë ndryshojnë edhe në kontratën e nënshkruar nga qeveria e Sali Berishës. Çka do të thotë se është favorizuar kompania Rapiscan nga propozimi i pakërkuar deri në kontratën finale, pa garë ku i vetmi konkurrent ka qenë Rapiscan. Këto favore i shtojnë dyshimet”, u shpreh Braçe.