PS: Hapëm procedurat për 113 vende të reja pune

489
Sigal

TIRANË:- Drejtoresha e Departamenti të Administratës Publike, Albana Koçiu, ka dalë të dielën në një konferencë për mediat për të informuar dhe dhënë shpjegime në lidhje me ligjin për statusin e nëpunësit civil, ndryshimet, përmirësimet dhe mundësinë e punësimit në bazë të kritereve të ligjit të ri. Koçiu shpjegoi se “kjo bazë ligjore u miratua nga Këshilli i Ministrave në muajin mars me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe efektet e ligjit të ri për nëpunësin civil filluan që më 26 shkurt 2014. Që nga ky moment u pezulluan të gjitha aplikimet, apo procedurat e pranimit në institucionet e administratës shtetërore, që tashmë janë pjesë e statusit të nëpunësit civil”. “Kjo ndërprerje procedurash-, tha Koçiu-, u bë për t’i dhënë kohë implementimit të procedurave dhe institucioneve që të kuptonin përgjegjësitë e tyre për të zbatuar, kuptuar dhe implementuar statusin e nëpunësit civil. Në kuptim të këtij ligji, Departamenti i Administratës Publike është njësi përgjegjëse për institucionet e administratës shtetërore, pasi janë 150 institucione me 9000 nëpunës, të cilët janë pjesë e shërbimit civil dhe departamenti, njësi përgjegjëse për të administruar shërbimin civil”. Po ashtu, ajo sqaroi se gjatë kësaj periudhe edhe në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë është punuar për të trajnuar këto institucione shtetërore dhe të pavarura dhe për këtë u hartuan katër udhëzime që konsistojnë në detajimin për masa disiplinore, transferimin e punonjësve, masave të punës dhe rekrutimin e punonjësve në administratën e shërbimit civil. Koçiu theksoi se “tashmë kemi përshkrime punë për çdo punonjës dhe kemi të dhëna për çdo person që në muajin korrik. Gjatë kësaj periudhe për DAP, pjesë e rëndësishme ishte statusi i nëpunësit civil në respektim të ligjit të ri dhe departamenti ka verifikuar çdo dosje që ligji e gjeti në vendin e punës kur hyri në fuqi më 26 shkurt 2014 dhe ka vlerësuar përputhshmërinë e tij me vendin e punës e në përfundim, çdo punonjës që nuk plotëson kriteret e kërkuara të vendit të punës nuk do të përfitojë statusin e nëpunësit civil”. “Për punonjësit që kanë nivelin bazë të studimit në përputhje me legjislacionin, por që nuk kanë nivelin e duhur të diplomës, masterin profesional, apo shkencor, i është lënë një afat kohor dy vite për ta përmbushur këtë kërkesë të ligjit. Të gjithë të tjerët që nuk plotësojnë kriteret bazë nuk e përfitojnë statusin e nëpunësit civil dhe departamenti ka hapur garën për punësim në të gjithë administratën shtetërore për 113 vende te reja pune”, theksoi ajo.