PS hap fushatën pranë çadrës së PD-së, rrezik për tension

Mbështetësit e të dy palëve do të jenë vetëm pak metër larg, në dy anë të ndryshme të selisë së kryeministrisë

Partia Socialiste ka njoftuar për sot hapjen e fushatës elektorale për zgjedhjet e 18 qershorit me një miting vetëm pak metër larg çadrës së ngritur nga Partia Demokratike. Partia kryesore qeverisëse ka thirrur mbështetësit e saj sot në orën 17:30 te Piramida, në anë të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa përpara selisë së kryeministrisë ndodhet prej 3 muajsh çadra e Partisë Demokratike. Mbështetësit e socialistëve dhe ata të demokratëve do të jenë në këtë mënyrë shumë pranë njëri-tjetrit, ndërsa aktiviteti do të jetë edhe një sfidë për forcat e rendit. 

Vendi përpara Piramidës, i përcaktuar nga PS-ja për hapjen e fushatës elektorale, është parë në shumë reagime në rrjetet sociale si një provokim, ndonëse deri më tani aktivitetet partiake kanë qetë paqësore. Pavarësisht tensionit të lartë politik, grumbullimet masive janë zhvilluar të qeta, por sot për herë të parë mbështetësit e të dy palëve do të jenë pranë njëri-tjetrit edhe fizikisht. Në dy mitingjet kryesore të opozitës më 18 shkurt dhe 13 maj nuk ka pasur incidente, ndërsa edhe vetë Partia Demokratike ka marrë masa shtesë sigurie për të evituar problemet apo provokimet. 

Gjatë javëve të shkuara, disa herë vetë kryeministri Rama ka preferuar të kalojë pranë çadrës së Partisë Demokratike, ku nuk kanë munguar edhe përshëndetjet me përkrahësit e opozitës apo ofendimet në distancë. Megjithatë zgjedhja e një vendi të tillë për hapjen e fushatës nga PS-ja pritet të shoqërohet me masa të shtuara sigurie në kryeqytet dhe veçanërisht në zonën e grumbullimit të mbështetësve të kryeministrit Rama. Prej ditësh, kryesocialisti po zhvillon takime në qytete të ndryshme të vendit, duke takuar votuesit për herë të parë dhe duke theksuar rëndësinë e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Në të njëjtën kohë, shefi i qeverisë ka këmbëngulur në një pjesëmarrje masive në zgjedhje, duke pasur parasysh edhe mosregjistrimin e Partisë Demokratike dhe partive të tjera të opozitës. 

Megjithatë për shkak të problemeve të sigurisë, Partia Socialiste vendosi pak ditë më parë të tërhiqte kandidatin e saj nga zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë e Kavajës. Në atë rast, kryeministri akuzoi opozitën për një plan destabilizimi, ndërsa nga ana e saj Partia Demokratike kishte deklaruar se nuk do të lejonte zgjedhje fasadë në Kavajë.