PS: Çmimi i energjisë është rritur 200% nga 2005-a

414
Sigal

Opozita vazhdon denoncimin e abuzimeve të CEZ-it. Qeveria dhe ERE përgjegjësit kryesorë

Qeveria shqiptare  ka rritur me ndërgjegje të plotë çmimin e energjisë elektrike në dëm të qytetarëve shqiptarë dhe në favor të Kompanisë CEZ. Kjo rritje u bë e mundur nga anekset bosh në kontratës së shitjes së OST-së. Deputeti socialist Arben Ahmetaj ka vazhduar sot të denoncojë atë që tashmë nga PS është konsideruar si piramida e re e qeverisë në fushën e elektroenergjetikës. Deputeti socialist ka paraqitur tre grafikë në të cilët tregohet qartë se si kurba e çmimeve është rritur nga vitit në vit, deri sa çmimi i energjisë ka arritur 200% më i lartë se ai i vitit 2005 për konsumatorët shqiptarë. Po ashtu në deklarimin publik deputeti socialist ka treguar  se si Qeveria e ka detyruar KESH që të ulë çmimin me të cilin ia shet energjinë CEZ. Të gjitha këto “akrobaci” korruptive janë bërë në kurriz të konsumatorëve shqiptarë. “Në një konkluzion të këtyre ditëve ne kemi hedhur dritë për kontratën aspak transparente të mbajtur në errësirë, qoftë ndaj qytetarëve shqiptarë, qoftë dhe në parlamentin shqiptar për privatizimit e OSSH-së, pra të sistemit të shpërndarjes në favor të CEZ, që sot njihet si CEZ Shpërndarje. Ju e patë që qeveria shqiptare kishte mbajtur dhe vazhdon gjithashtu të mbajë larg syve të shqiptarëve anekse tejet të rëndësishme të asaj kontrate, të cilat janë në praktikë sot detyrimet, premtimet dhe mosmbajtja e tyre rëndojnë në kurriz të konsumatorit shqiptar. Vazhduam t’ju tregojmë shqiptarëve, gjithashtu, sesi rëndojnë humbjet në kurriz po të familjarëve shqiptarë, po të qytetarëve shqiptarë, po të faturës së energjisë elektrike. Kemi treguar këto ditë që gjendja është tejet e rëndë. Kemi treguar që sistemi elektroenergjetik shqiptar është një piramidë e re që ka akumuluar afërsisht 1.2 miliardë dollarë borxh që të rikujton shumën e madhe të piramidave të vitit ’96-’97.”, theksoi Ahmetaj.  Ndërkaq, deputeti socialist nënvizoi se nuk është më sekrete, sepse këtë faturë e paguajnë të gjithë qytetarët shqiptarë në kurriz të tyre, 200% më e shtrenjtë. Çfarë ka ndodhur?! Qytetarët shqiptarë sot e kuptojnë jashtëzakonisht shumë qartë. Qeveria shqiptare, Enti Rregullator i Energjisë të cilët janë përgjegjësit e parë për gjendjen e rëndë të sistemit elektroenergjetik shqiptar e kanë ngarkuar humbjen, e kanë ngarkuar keqmenaxhimin, e kanë ngarkuar korrupsionin, e kanë ngarkuar mungesën e investimeve, pikërisht, tek fatura e qytetarëve shqiptarë që sot është 200% më e shtrenjtë.