PS: Basha i ka pasur lekët për të investuar, por ka përdorur vetëm 4.9 % për turizmin dhe kulturën”

442
Partia Socialiste ka vijuar akzuat ndaj kryebashkiakut, Lulzim Basha.
Në një dalje për mediat, deputetja Olta Xhaçka renditi disa nga premtimet e pambajtura të Lulzim Bashës.
Ajo tha se dështimi më i madh i tij, ishte në turizëm e kulturë, ku ka pasur lekët, por ka investuar vetë, 4.9% të buxhetit për këtë sektor.
“Krijimi i Rrjetit të Destinacioneve të Integruara Turistike të zonës së Tiranës ishte një nga premtimet e bujshme të Lulzim Bashës. Fatkeqësisht edhe ky ishte një tjetër premtim që as kishte ndërmend ta mbante dhe as nuk e mbajti. Por që i ka kushtuar jo pak bizneseve e qytetarëve të Tiranës në të ardhura të munguara dhe në zhvillim të munguar.
Jo thjesht si kryeqytet, por edhe për shkak të pasurive të natyrës dhe trashëgimisë historike e kulturore që e rrethojnë, Tirana duhet të kishte një sektor të zhvilluar turizmi. Por fakti është se sot Tirana nuk krahasohet dot për numrin e turistëve as me qytete shumë herë më të vogla, por që ndryshe nga Tirana kanë pasur fatin të kenë kryebashkiakë që dinë të punojnë dhe duan të punojnë.
Zhvillimi i turizmit natyrisht kërkon punë. Kërkon punë së pari për të evidentuar destinacionet dhe vlerat e tyre, për t’i promovuar ato, për të investuar në gjelbërim, infrastrukturë, kulturë dhe art për ta bërë më tërheqës qytetin. Kërkon vizion dhe ide.
Lulzim Basha nuk ka as vizion e as ide. Kjo tanimë dihet e pranohet si fakt jo vetëm nga qytetarët, por edhe nga kandidati i Lulzim Bashës për Tiranën. Por në rastin e turizmit dështimi i tij është skandaloz edhe për standardet e vetë Lulit. Vetëm 4.9% të investimeve në Kulturë dhe Turizëm ka arritur të kryejë Bashkia e Tiranës në vitin 2013! Vetëm 4.9%! Njeriu që ankohet se po e pengon qeveria, i paska pasur paratë për të investuar dhe ka arritur të investojë vetëm 4.9% të totalit. Një shifër që do të bënte me turp edhe kryekomunarin më të paaftë të ndonjë komune të Shqipërisë.
Tirana humbi plot 4 vjet me Lulzim Bashën, por në 21 qershor qytetarët do t’i japin fund me votë kësaj epoke dështimesh. Pas 21 qershorit Tirana do të fillojë sërish të ecë në drejtimin e duhur”, u shpreh Xhaçka
Sigal