PS: Basha as nuk i nisi projektet Gënjen me 25 000 vendet e punës

425
Deputetja e partisë Socialiste, Blerina Gjylameti, me anë të një deklarate për shtyp i ka kërkuar Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha që tashmë në fund të mandatit të tij 4 vjeçar, në krye të bashkisë të dalë dhe tu thotë të gjithë qytetraëve të tiranës se ku dhe si i ka hapur 25 000 vende e punës që deklaron se ka hapur.
Ajo është shprehur se kjo shifër e Bashës për vende pune të hapura në kryeqytet është vetëm një gënjeshtër, pasi të gjitha projektet që kishte premtuar të realizonte në 4 vite as nuk i ka nisur e jo më të punësonte njerëz në to. 
Më poshtë deklarata e plotë e deputetes së PS, Blerina Gjylameti
“30 000 vende pune premtoi Lulzim Basha kur u emërua në krye të Bashkisë së Tiranës. Sot, katër vjet më vonë, në mbyllje të një mandati tërësisht të dështuar, Luli ka vendosur të çudisë të madh e të vogël duke pretenduar se paska krijuar plot 25 000 vende pune. Pra, sipas Lulit, 25 000 qytetarë të kryeqytetit i hipin çdo mëngjes tramvajit të Lulit për të shkuar në vendet e punës që ka hapur Luli. Nëse Lulzim Basha do të kishte pasur kurajon të ballafaqohej me qytetarët e Tiranës për bilancin e mandatit të tij ndoshta sot do të kishim pasur edhe ne mundësinë të mësonim se ku janë hapur këto vende pune dhe sesi i ka hapur Luli këto vende pune. Fakti është që zyra e punës së Bashkisë Tiranë është sot një institucion që ekziston vetëm në letër dhe që gjithë e gjithë ka punësuar vetëm 7 punonjësit e kësaj zyre. Jo vetëm kaq, por bashkia e Lulit nuk ka respektuar as detyrimin për të paraqitur përpara kontraktorëve të punëve të bashkisë listën e personave në ndihmë ekonomike për t’u marrë parasysh në mënyrë prioritare për punësim. Ishte që ishte Lulzim Basha mund të kishte deklaruar se ka krijuar edhe 50 000 vende pune. Se ç’bëri 25 000 e ç’bëri 50 000, në fund të fundit kur bëhet fjalë për vende pune po aq reale sa tramvaji me të cilin mburret sot Luli. Fakti, është që për të krijuar vende pune dhe për të stimuluar ekonominë e një qyteti nevojitet punë, një menaxhim i mirë i qytetit, politika zhvillimi dhe investime. Luli këto as i ka bërë e as di t’i bëjë. Në 21 qershor qytetarët do të votojnë për t’i dhënë fund kësaj situate të papranueshme. Në 21 qershor ata do të votojnë për ta rikthyer Tiranën në drejtimin e duhur”, tha Gjylameti.
Sigal