PS, Ahmetaj: Ekonomia ka falimentuar, përgjegjëse qeveria

460
Sigal

Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Ahmetaj ka vënë theksin tek kriza ekonomike, ndërsa duke iu referuar raportit të djeshëm të Bankës së Shqipërisë, ai tha se vendi është i falimentuar. “Banka e Shqipërisë dje tha që familjet shqiptare nuk kanë më të ardhura të disponueshme, të mjaftueshme për të shpenzuar dhe e kanë ulur në mënyrë radikale konsumin. Banka e Shqipërisë dje tha se biznesi sot është në tërheqje për shkak të rënies ekonomike dhe për shkak të borxheve serioze që i kanë bankave dhe njëri-tjetrit, i thënë ndryshe, vendi është i falimentuar dhe arsyeja e drejtpërdrejt është qeveria shqiptare”, tha deputeti i PS. “Raporti i Bankës së Shqipërisë konfirmoi krizën ekonomike dhe buxhetore. Kjo qeveri duhet të japë dorëheqjen një orë më parë”, tha ai.  Deputeti i bëri thirrje partive të tjera për një “koalicion të gjerë anti-regjim”, siç e quajti ai, me qëllim rrëzimin e kësaj qeverie. “Qëllimi i kësaj opozite, i Partisë Socialiste është rrëzimi i Sali Berishës dhe ne do t’i tregojmë shqiptarëve sa të vendosur, sa të qartë jemi për të bërë këtë gjë ashtu siç duhet. Sigurisht që në këtë betejë, ne si parti e parë opozitare, i ftojmë të gjitha partitë të marrin pjesë në një front të gjerë anti-regjim për të larguar Sali Berishën, njëherë e mirë nga skena politike”, tha Ahmetaj. Ahmetaj ndër të tjera akuzoi qeverinë edhe për situatën e krijuar nga zjarret. Ai tha se: “Qeveria ka dështuar në kontrollin e territorit. Qeveria është zjarrvënësja kryesore”.