Provokimi i mazhorancës: Zgjedhje të reja në qershor

589
PS përgatit lëvizjet politike, në rast të mosçeljes së negociatave me BE-në. Rruga për të shkuar sërish në zgjedhje me Ramën në krye të qeverisë
Partia Socialiste po përgatit lëvizjet e saj politike për t’i bërë ballë një përgjigjeje negative nga vendet e Bashkimit Evropian lidhur me negociatat për anëtarësim. BE do të vendosë për Shqipërinë në muajin maj ose qershor, ndërsa Tirana zyrtare duket jo shumë entuziaste se mund të bindë të gjithë kryeqytetet evropiane për hapjen e negociatave. Pesë kushtet e hershme të paraqitura nga Brukseli, shqetësimet e dy viteve të fundit për trafikun e drogës dhe lidhjet e politikës me krimin e organizuar, mund ta lënë Shqipërinë pa e hedhur hapin vendimtar drejt hyrjes në BE. Ndaj socialistët po përgatisin planin rezervë për të justifikuar dështimin e mundshëm dhe siguruar vajtjen në zgjedhje me Edi Ramën si kryeministër, duke u bërë ballë edhe kërkesave të opozitës. Burime politike bëjnë të ditur se ka dy rrugë kushtetuese për të vajtur në zgjedhje të parakohshme, por vetëm njëra prej tyre mbetet e preferuar për socialistët, pasi do t’u mundësonte mbajtjen e drejtimit të qeverisë edhe gjatë fushatës. Skenari i socialistëve duket se është ai i përdorimit të një mocioni besimi, këtë jo për të konfirmuar mazhorancën në Kuvend, por për ta përdorur si mekanizëm të çuarjes së vendit në kutitë e votimit. Sipas Kushtetutës, kryeministri ka të drejtë t’i paraqesë Kuvendit mocion besimi ndaj Këshillit të Ministrave. “Në rast se mocioni i besimit votohet nga më pak se gjysma e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, Kryeministri, brenda 48 orëve nga votimi i mocionit, i kërkon Presidentit të Republikës shpërndarjen e Kuvendit”, thekson Kushtetuta. Aty përcaktohet se Presidenti shpërndan Kuvendin brenda 10 ditëve nga marrja e kërkesës. Një rrugë e tillë, sipas burimeve, do t’i jepte disa avantazhe shumicës aktuale socialiste, e cila do ta rrëzonte formalisht qeverinë e saj në një mocion besimi. Pavarësisht këtij hapi, qeveria do të mbetej në detyrë gjatë fushatës zgjedhore, deri në ndërtimin e ekzekutivit të ri pas zgjedhjeve. Pra, në këtë skenar, shqiptarët do të drejtoheshin në kutitë e votimit, duke pasur kryeministër Edi Ramën dhe qeverinë aktuale. Avantazhi tjetër që socialistët mendojnë të sigurojnë nga një skemë e tillë është edhe vënia e opozitës para një fakti të kryer. Dërgimi i vendit në zgjedhje të parakohshme, vetëm 7-8 javë pas rrëzimit të mocionit të besimit, do t’i hiqte mundësinë opozitës të vendoste kushte parazgjedhore. Gjithashtu, zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme do të justifikonte edhe mosrealizimin e reformës zgjedhore, ndonëse komisioni i posaçëm parlamentar prej disa javësh nuk ka prodhuar asgjë. 

PD: Sovrani të marrë fatet në dorë
Kreu demokrat Lulzim Basha ka folur lidhur me organizimin e protestës së opozitës më 27 janar. Në emisionin “Opinion”, ai tha se qytetarët do t’i tregojnë nga sheshi i protestës zërin e tyre kryeministrit Rama. “Do t’i kërkoj sovranit të marrë fatet e tij në dorë. Këtë do t’i kërkoj sovranit. Do të thotë që përmes reagimit dhe bashkimit masiv dhe jo vetëm më 27 janar, por gjithë ditët e tjera në vazhdim, t’ia bëjë të pamundur aleancës së krimit qeverisjen apo sundimin e vendit. Në vend të një qeverie mafia të kemi një qeveri antimafia, antivarfëri dhe pro reformës në drejtësi në vend të kapjes së drejtësisë. Në vend që Tahiri me shokë të jenë ministra, të jenë para drejtësisë dhe sipas drejtësisë në burg”, tha Basha. I pyetur nëse do të ketë dhunë në protestë, kryedemokrati Basha tha se, “nuk ia vlen asnjë qime floku e një shqiptari të rrezikohet për Edi Ramën”. “Protesta s’bëhet për PD-në, as për karriget tona. Protesta bëhet për drejtësinë e barabartë për të gjithë, kundër një drejtësie të kapur, për një ekonomi që funksionon, për një shtet që i afrohet Evropës. Opozita është në të drejtën e saj ta thërrasë. Ky nuk është spektakël. Ne jemi në misionin tonë për të thirrur njerëzit”, u shpreh Basha. Më tej, ai vijoi idenë e tij duke u shprehur se “në këtë vend kanë rënë të gjitha institucionet dhe institucioni i fundit që ka rënë është institucioni i zgjedhjeve, fakt që e vërtetoi skandali Saimir Tahiri. Rama nuk e lëshon Tahirin, pasi preket edhe vetë”. Kryetari demokrat Lulzim Basha tha se, lidhur marrëveshjen e majit të shkuar, ajo shmangi luftën civile në vend. 

LSI: Jo djegies së mandateve 
Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, në një lidhje direkt në emisionin “Opinion” ka folur për protestën që opozita do të mbajë më 27 Janar. Ajo u pyet edhe masat e opozitës dhe mundësinë e largimit nga Kuvendi e dorëzimin e mandateve. “Unë nuk dua t’ia jap kënaqësinë Edi Ramës. Të rrijë aty si qen kur ne ia përmendim çdo ditë vëllain, gruan, nënën. Deri në qershor, ne si opozitë nuk duam të jemi shkaku i asnjë dështimi që do t’i ndodhë qeverisë shqiptare si institucion, jo Edi Ramës. Edi Rama duhej të ishte në burg për shkeljen e Kushtetutës dhe shpërdorim të detyrës, që me thirrjen që u bëri policëve për zgjedhjet e 25 qershorit”, tha Kryemadhi. Kryetarja e LSI, jo pak herë përdori terma nënvlerësues teksa iu referua Kryeministrisë, si një institucion i drejtuar nga Edi Rama. “Kush mo, ajo diskoteka”, u shpreh Kryemadhi duke qeshur. Ajo shkoi edhe më tej, kur shtoi se në selinë e qeverisë janë 1200 punonjës që paguhen nga taksapaguesit shqiptarë dhe ku 800 janë vajza të reja, që duhen evidentuar se çfarë pune bëjnë, çfarë i japin këtij vendi dhe çfarë shërbimesh ofrojnë. Në të njëjtën kohë, Kryemadhi tha se ishte penduar që nuk kishte bërë një rezistencë më të fortë për 7 ligjet e reformës në drejtësi, të miratuar shtatorin e 2016-s, pas edhe ndryshimit të Kushtetutës. 
Kushtetuta
Neni 104
1 – Kryeministri ka të drejtë t’i paraqesë Kuvendit mocion besimi ndaj Këshillit të Ministrave. Në rast se mocioni i besimit votohet nga më pak se gjysma e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, Kryeministri, brenda 48 orëve nga votimi i mocionit, i kërkon Presidentit të Republikës shpërndarjen e Kuvendit.
2 – Presidenti shpërndan Kuvendin brenda 10 ditëve nga marrja e kërkesës. Kërkesa për mocion besimi nuk mund të paraqitet gjatë periudhës së shqyrtimit të mocionit të mosbesimit, sipas nenit 105.
3 – Votimi i mocionit nuk mund të bëhet pa kaluar tri ditë nga paraqitja e tij.
Neni 105
1 – Një e pesta e deputetëve ka të drejtë të paraqesë për votim në Kuvend një mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit në detyrë, duke propozuar një Kryeministër të ri.
2 – Kuvendi mund të votojë një mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit vetëm duke zgjedhur me votat e më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij një Kryeministër të ri.
3 – Presidenti i Republikës dekreton shkarkimin e Kryeministrit në detyrë dhe emërimin e Kryeministrit të zgjedhur jo më vonë se 10 ditë nga votimi i mocionit në Kuvend.
Sigal