Protestuesit u trajtuan nga Policia e Shtetit si kriminelë

600
Jakup B. GJOÇA
Protestuesit u arrestuan në mesnatë, hetim manipulimit nga Policia të orarit të ndalimit
Kryeministri Rama i cilësoi protestuesit në Rrugën e Kombit “vandalë”, ndërsa ministri i Brendshëm “persona me elemente kriminale”. Policia e Shtetit nuk mundi të arrestonte asnjë nga këta “vandalë” dhe “ elementë kriminalë” në vendngjarje. Përshtypje bëri mënyra sesi policia e Shtetit, kreu arrestimin e 23 protestuesve në mesin e natës, 10-12 orë pas mbarimit të protestës në Rrugën e Kombit, por më shumë ngriti pikëpyetje edhe sjellja e të ndaluarve në mjediset e Policisë të Tiranës. Avokatja e Popullit, pasi monitoroi situatën, konstatoi se në dokumentacionin që ka mbajtur Policia e Shtetit ndaj të ndaluarve protestues ka shumë parregullsi ligjore, sikurse në procesverbalet e policisë është shënuar ora e ndalimit, ora e sjelljes së tyre në mjediset e policisë në Tiranë dhe jo ora faktike e ndalimit të protestuesve nga shtëpitë e tyre, 10-12 orë më parë. Policia e Shtetit, edhe pse e pranishme në mjediset ku u zhvillua protesta te Rruga e Kombit, nuk bëri asnjë arrestim në flagrancë. Mirëpo, për çudi, policia veproi me vonesë 10-12 orë, duke kryer arrestime natën nëpër shtëpi, edhe pse Kodi Penal parashikon, që kur nuk ka rrezik ikjeje, nuk mund të bëhen arrestime. Është e qartë, që Gjykata e Tiranës nuk mund të ketë kompetencë ligjore që të gjykojë të ndaluarit protestues, kur vepra penale është kryer në Morinë. Natyrisht, sot jepet vendimi i Gjykatës, por nëse Gjykata e Tiranës shpall moskompetencën e saj për të gjykuar të ndaluarit protestues, kjo de fakto përbën një fiasko politike e policisë së Shtetit. Edhe Bashkimi i Dhomave të Tregtisë u shprehën se biznesi dënon çdo akt vandal që ka shkatërruar një pasuri të sipërmarrjes private. E drejtë është që këta drejtues të shprehen kundër dhunës, por këta nuk kanë reaguar aspak për taksat që rëndojnë tashmë biznesin, nuk kanë folur aspak për varfërinë. Zotërinjtë e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë duhet të interesohen edhe për klientin, sepse taksat do të rritin çmimet, por, këta drejtues qëllimisht harrojnë politikat ekonomike të qeverisë. që vështirësojnë të bërit biznes, në të kundërt me qëndrimin publik që mbajtën ditë më parë përfaqësues të Dhomës së Tregtisë amerikane në Shqipëri, të cilët dhanë alarmin e rrezikut për biznesin taksat e shumta. Këta përfaqësues të Bashkimit të Dhomës së Tregtisë janë bashkaksionerë me koncesionarët, kanë lidhje nepotike me pushtetarët vendorë dhe qendrorë dhe shpeshherë shprehin interesat e tyre të ngushta politiko-ekonomike, duke harruar, braktisur, anashkaluar qëllimisht interesat e biznesit.
Sigal