Protestuesit rrethojnë institucionet e kapura nga krimi

504
Sigal

Mijëra protestues sfiduan shiun dhe kërcënimet e policisë dhe të disa diplomatëve duke marshuar në rrugët e Tiranës dhe institucionet e marra peng nga qeveria. Reagojnë: Ish-disidenti-Lubonja, diplomati Nesho, ish-presidenti Nishani dhe përfaqësues të opozitës. Apeli i CDU-së/ Jeni duke çuar vendin drejt izolimit politik

Kryeministri Rama, në orët e vona, pas protestës, detyrohet të shtrijë dorën Opozitës së Bashkuar për …dialog

“Rama ik”, “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, protestuesit rrethojnë institucionet shtetërore të kapura nga krimi

 Petraq Barjami

As shiu nuk i pengoi dot mijëra qytetarë të protestonin mbrëmë në Tiranë, protestë e cila u provokua nga dhuna e pashembullt e policisë ndaj sekretarit Organizativ të PD-së para parlamentit në 11 maj, si edhe nga burgosja e dhjetëra protestuesve të tjerë në qelitë e policisë. I gjithë Bulevardi është mbushur me çadra. Ndërkohë Kryeministria është e rrethuar me gardh metalik dhe ka një numër të madh policësh në terren. Opozita kërkoi largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore si kusht të panegociueshëm për zgjedhje të lira e të ndershme.

Marshim drejt institucioneve shtetërore të kapura nga Kryeministri Rama

Kësaj here skenari i protestës së Opozitës së Bashkuar u bë në formën e marshimit, ku protestuesit u nisën nga sheshi “Skënderbej”, u mblodhën fillimisht përpara godinës së kryeministrisë, paskëtaj, u drejtuan drejt godinës së Policisë së Përgjithshme të Shtetit, më vonë përpara Kuvendit, më tej përpara godinës së Ministrisë së Brendshme dhe së fundi, u mblodhën përpara godinës së Drejtorisë së Policisë të Tiranës, për të simbolizuar kështu këto institucione shtetërore të kapura nga krimi dhe të marra peng nga kryeministri Rama. Gjatë marshimit të tij drejt Kryeministrisë, protestuesit e kanë shoqëruar me tymuese, ndërsa me të marrë fjalën para kryeministrisë, shashkat, tymueset e kapsollat kanë vërshuar drejt godinës së Kryeministrisë.

Ora 18:50- Lideri i opozitës Lulzim Basha ka lënë selinë e PD-së dhe u bashkua me protestuesit. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka folur para qytetarëve në nisje të protestës. Basha tha se dhuna nuk vjen nga opozita, por nga qeveria. Basha tha se qeveria Rama vetëm dhunë iu ka ofruar qytetarëve. Basha: “Protesta e sotme e opozitës u zhvillua në formën e një marshimi përpara disa institucioneve që Rama u ka vjedhur shqiptarëve”, tha zoti Basha, në fjalën e mbajtur përpara manifestuesve të mbledhur fillimisht para godinës së Qeverisë. Ndalesa e parë e opozitës ishte përpara Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë “drejt institucionit që vetëm shtyp. Ne nuk duam një polici të krimit”, tha zoti Basha. Ndalesa e dytë para Parlamentit “vendit që duhet të jetë tempulli i demokracisë me mesazhin se nuk e njohim Parlamentin e paligjshëm”. Më pas manifestuesit ata u ndalën para Ministrisë së Brendshme “ku sundon një njeri që nuk e lidh asgjë me kushtetutën dhe ligjin, por vetëm servilizmi i verbër dhe shërbimi ndaj padronit të tij”, u shpreh zoti Basha. Ndalesa e fundit ishte përpara Drejtorisë së Policisë së Tiranës “ku mbahen me pa të drejtë vëllezërit e motrat tona”.

Partia Demokratike përgënjeshtron draft marrëveshjen Basha – Rama

Pas lajmeve që po qarkullojnë në media për një draft-marrëveshje për zgjidhjen e krizës politike ka ardhur një reagim zyrtar nga PD-ja, duke e përgënjeshtruar këtë lajm. Këto burime e konsiderojnë këtë një produkt të propagandës mashtruese të Edi Ramës. “PD dhe opozita e bashkuar ka publikuar zyrtarisht 10 detyrat e qeverisë tranzitore. Ky është i vetmi qëndrim zyrtar, së bashku me kërkesën e pa negociueshme për largimin e Edi Ramës dhe krijimin e qeverisë tranzitore për zgjedhje. Parlamenti dhe qeveria aktuale janë ilegjitime” , thuhet në reagim.

Lulzim Basha: E keqja do të ikë për t’i hapur vend Shqipërisë si gjithë Evropa

Lulzim Basha, në mbyllje të protestës së djeshme deklaroi se as Evropa nuk e kishte njohur këtë vendosmëri të shqiptarëve për të luftuar për demokraci. Basha: Evropa nuk e kishte njohur këtë vendosmëri. Për mbi tre orë litarët e shiut e lidhën shpirtin tuaj me shpresën që buron nga zoti, me besimin tek vetvetja dhe tek njëri tjetri. Me bindjen se Shqipëria nuk do të kthehet kurrë aty ku ishte 3 muaj më parë. Sot treguam se nuk ka forcë mbi tokë të na ndalë në kauzën tonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nuk ka forcë të na detyrojë të bëjmë pazare me të keqen. E keqja do të ikë për ti hapur vend Shqipërisë si gjithë Evropa. Le të jetë e sotmja mesazhi me të cilën do ta vazhdojmë këtë betejë. Të vendosur deri në fund, të fortë kurajoz për betejën tonë për Shqipërinë si gjithë Evropa. Forca jonë është bashkimi, vendosmëria dhe kësaj forcë nuk i bën dot ballë as Edi Rama as banda e tij e inkriminuar. Le të vazhdojmë rrugën që kemi nisur. Misioni ynë është mision brezash. Është mision për të gjithë ata të majtë e të djathtë që e kanë kuptuar se vetëm përmes bashkimit mund ta gjejnë të ardhmen e tyre dhe lirinë e tyre.

Ish-presidenti Bujar Nishani: Ata që nënvlerësojnë fuqinë e popullit opozitar janë mjeranë të dështuar

Dhjetëra mijëra përsëri në shesh kundër qeverisjes së pushtetit me bandat e krimit të organizuar. As shiu, as dhuna policore, as gazi helmues, as prangat e qelisë nuk i trembin më shqiptarët. Shqiptarët janë ngritur në revoltë për rikthimin e lirive të tyre themelore. Të drejtën e votës së lirë! Shtetin e çliruar nga krimi i organizuar! Ata që nënvlerësojnë fuqinë e popullit opozitar janë mjeranë të dështuar.

 

Kryeministri Rama, pas protestës, i lutet Bashës: Kur do flasim?

Pas mbylljes së protestës së opozitës ka reaguar menjëherë kryeministri Edi Rama që në një postim në Tëitter shkuan: “Marshimet për të rrëzuar qeverinë me kapsolla janë xhiro bosh që nuk nxjerrin askund Përsëri respekt për Policinë e Shtetit në taksiratin që e ka zënë. Dhe një mesazh për LB: Lëri kapsollat! Autobusin e këtij qershori e humbe, po mos humb trenin e qershorit 2021! Kur do flasim?

Fatos Lubonja: Ambasadat në Tiranë tallen me ne

Analisti Fatos Lubonja, ka lëshuar kritika mjaft të ashpra ndaj Ambasadës Amerikane në Tiranë. Lubonja tha se kjo ambasadë është e njëanshme dhe tallet me popullin shqiptar. Sipas Lubonjës, mesazhet që lëshon kjo seli diplomatike, janë “tallëse dhe fyese për inteligjencën e gjithkujt”. Fatos Lubonja: Këta të ambasadës së SHBA duhet të na respektojnë dhe mos na tallin me këto mesazhe. Dhuna strukturore e shtetit, shkelja e ligjit i bën qeveria dhe jo opozita. Kur qeveria ushtron dhunë pse nuk reagojnë këta amerikanët e ambasadës? U vodhën 40 mln euro tek unaza, pse heshti ambasada edhe pse aty kishin manipuluar firma amerikanësh? Pse nuk reagon ambasada për Arta Markun, që s’ka arrestuar asnjë për këtë skandal. Mos na mërzitën këta të ambasadës amerikane për parullat në shtëpinë e Borchardit, por për korrupsionin tek Unaza. Janë totalisht të njëanshëm. Dhuna e opozitës dhe e popullit është për vetëmbrojtje.

Diplomati Agim Nesho: Rama ka kapur të gjitha institucionet. Shqipëria drejt një diktature të re

Diplomati i njohur Agim Nesho, u shpreh dje se demokracia në vend është në rrezik. Sipas ish-ambasadorit të Shqipërisë në OKB, vendi po shkon drejt një diktature, ndërsa akuzoi kryeministrin Edi Rama se i ka kapur të gjitha institucionet në vend. Diplomati Agim Nesho: Po jetojmë një kohë që demokracia në Shqipëri po përfundon drejt një diktature të re. Një njeri i vetëm i ka kapur të gjitha institucionet dhe një gjë e tillë ndodh kur njerëzit nuk kanë mundësi të kontrollojnë jetën e tyre, por janë peng i “njëshit.

Ish-ministri i Drejtësisë Vasili: Dhuna është nga qeveria, Rama ik!

Ish-deputeti i LSI, Petrit Vasili, ka dhënë mesazhin e fundit para protestës të së djeshmes, duke thënë se ka vetëm një kërkesë për rrëzimin e qeverisë. Petrit Vasili: Nuk ka asnjë mesazh tjetër përveç rrëzimit të kësaj qeverie. Dhuna është në krahun e qeverisë. Të gjithë qytetarët i kanë të qartë kush janë dhunuesit, provokatorët edhe ata që i vënë flakën makinave. Mijëra qytetarë të Tiranës nuk janë tërhequr pas për të rrëzuar këtë qeveri kriminale. Sot të gjithë janë në shesh me moton ‘Rama ik’ . Që fajtorët që vodhën të ndëshkohen. Ka vetëm një fajtor, një përgjegjës, një shkaktar të kësaj drama, dhe ky është Rama dhe qeveria e tij. Nuk ka për të pasur asnjë hap pas, nuk ka shantazh, alibi, dhunë që e ndal këtë protestë. I them qeverisë që të heqë dorë nga dhuna, qoftë nëpërmjet medias apo formave të tjera. Qindra mijëra shqiptarë nuk i ndal asnjë formë kriminale. Ndaj sot të gjithë do të jemi me moton ‘Rama Ik’ dhe krimi të marrë fund njëherë e mirë. Kemi luftuar që Shqipëria të jetë e paqtë, dhe meqenëse nuk është e paqtë do të jemi aty për atë mesazh që do buçasë aty dhe në të gjithë botën.