Protestuesit nuk tërhiqen, qeveria është e vendosur të zbatojë projektin e “Unazës së Madhe”

534
Sigal

Banorët e “Unazës së Re”  protestuan para parlamentit, duke u ndeshur trup më trup  me policinë. U plagosën protestues dhe policë

Edhe dje banorët e Unazës së Re vazhduan protestat, kësaj here para parlamentit. Protesta e banorëve të “Unazës së Re”, të cilët preken nga zgjerimi i rrugës, para godinës së Kuvendit, u shoqërua me përplasje me policinë, e cila njoftoi se 6 punonjës të saj u plagosën. Ndërkohë disa protestues u shoqëruan në komisariat. Protestuesit akuzojnë qeverinë se po u prish pa dëmshpërblim shtëpitë.

Banorët dëmshpërblim 100 %. Qeveria: Vetëm për ata që kanë legalizuar shtëpinë, për të tjerët bonus

Banorët, të cilët kërkojnë të dëmshpërblehen për prishjen e ndërtesave nga zgjerimi i rrugës  hodhën tymuese e shashka, ndërsa policia raportoi se 6 efektivë të saj u plagosën. Protestuesit, të cilëve iu bashkuan edhe disa deputetë të opozitës, akuzuan qeverinë për korrupsion. Ata kërkojnë të dëmshpërblehen me vlerën e tregut për godinat që u prishen pavarësisht statusit të legalizimit të tyre, ndërsa akuzojnë autoritete për trajtim të diferencuar, pasi një pjesë janë legalizuar e të tjerë jo. Policia njoftoi se “Gjatë protestës që përshkallëzoi në akte dhune ndaj forcave të rendit, përballë godinës së sallave plenare të Kuvendit të Shqipërisë janë plagosur 6 efektivë të Policisë së Shtetit”. Ajo u bëri thirrje protestuesve për t’u distancuar nga aktet e dhunës.

Denoncimi

Opozita, e cila i është bashkuar protestës, po ashtu ka denoncuar tenderin për disa segmente të reja të unazës si korruptiv. Kryetari i PD-së Lulzim Basha është shprehur se veprimet e qeverisë në zonë ishin “spastrim etnik”.  “Kanë bërë një projekt dhe duan të prishin 370 banesa. Projekti është me tender korruptiv dhe nuk ka pasur garë. 40 milionë euro për 2 km rrugë. I pyeti njeri banorët dhe inxhinierët? Askush nuk u konsultua. Ligji është shkelur nga të dyja këmbët nga vetë shteti dhe qeveria”, tha Basha në një takim me studentë. Protesta u zhvillua gjatë kohës që në Kuvend po lexoheshin diskutimet për buxhetin e vitit 2019. Ndërsa policia përplasej me banorët, kryeministri Edi Rama i quajti ata zaptues. Ai po ashtu përmendi emra që tha se ishin të protestuesve e që, sipas tij, kishin tashmë të legalizuara godina pa leje në zona të ndryshme të kryeqytetit. Duke përmendur rritjet e pagave të parashikuara në buxhet, kryeministri Rama tha se nuk mund ta ndryshonin këtë për të dëmshpërblyer 100 për qind protestues, të cilët ndërkohë kishin përfituar nga legalizimet dhe kishin disa ndërtime pa leje. “(Ramazani) Proteston sepse nuk pranon që objekti i 5-të  pa leje t’i prishet për interes të qytetit, ku ai është bërë zotërues i 4 pronave të tjera”, tha ai. Zgjerimi i rrugës dhe prishjet u njoftuan në fillim të këtij muaji. Qeveria pretendon se  për momentin ishte në fazë verifikimi dhe matjesh. Ata thanë se ndërtesat që prekeshin ishin rreth 317 në të gjitha segmentet e “Unazës së madhe” dhe binin në disa kategori. Shumica rreth 163 ishin të pa legalizuara dhe procesi do u ndërpritej, 123 ishin me vërtetim pronësie, 22 ishin skualifikuar, ndërsa disa kishin statuse të ndryshme ose ende të papërcaktuara. Banorët, një pjesë e të cilëve thonë se i kanë godinat prej kohësh në proces legalizimi e, madje se kanë paguar tarifat e kërkuara prej këtij procesit, janë tashmë prej javësh në protestë. Pas protestave Bashkia Tiranë premtoi tre vite qira për ata që nuk përfitonin nga dëmshpërblimet.