Protestë kundër varfërisë dhe ndotjes në qytetin e Laçit

140
Qindra qytetarë në Kurbin protestuan sot përpara bashkisë në Ditën e Verës kundër djegies së mbeturinave në kodrën e gjelbër të qytetit duke u kthyer në një rrezik të madh për jetën e tyre. Protesta nisi në sheshin qendror të qytetit të Laçit ku protestuesit kanë kërkuar largimin e qeverisë së Edi Ramës që po i varfëron ata çdo ditë e më shumë. Kreu i Departamentit të Mjedisit në Partinë Demokratike, Jamarbër Malltezi akuzoi qeverinë dhe pushtetin lokal se po vret qytetin e Laçit me djedien e mbeturinave duke e kthyer në një skemë të pastër korrupsioni për të ndarë paratë publike. 
“Gjithë qyteti duhet të vuajë për shkak se dy persona ndajnë miliona. i gjithë qyteti duhet të bëjë analizat se rrezikohet nga kanceri i mushkrive për shkak të djegies së mbeturinave në kodrën e qytetit. Kjo rrezikon edhe ujin e pijshëm të Laçit. Për fat të keq qytetarët nuk kanë të sigurtë as ajrin që thithin dhe as ujin që pijnë, disa të tjerë ndajnë miliona. Kjo është shumë e rëndë dhe në një shtet ligjor kjo nuk mund të egzistojë. Duhet të kishte njerëz që duhet të përgjigjeshin penalisht për këtë çështje. Para disa vitesh ka pasur gjobë ndaj bashkisë së Kurbinit kur ishte dhe më e vogël për mostrajtimin e mbeturave, pra për djegien e tyre që çlirojnë gazra toksikë. Unë besoj se shëndeti i fëmijëve tuaj është shumë herë më i rëndësishëm se sa miliona e dy personave që ndajnë me njëri tjetrin”, tha Malltezi.
Deputeti Mhill Fufi dhe kreu i PD në Kurbin Altin Biba kërkuan largimin e qeverisë Rama për keqqeverisjen dhe rritjen e varfërisë. Në mënyrë simbolike, protestuesit lidhën me zinxhir hyrjen e Bashkisë së Kurbinit. Më pas, dhjetra qytetarët janë ngjitur kodrave të qytetit të Laçit, aty ku dhe hidhen prej vitesh mbetjet pranë kurorës së gjelbërt të rrethuara nga pishat. Hedhja e mbeturinave në këtë zonë ka shkaktuar një ndotjet të madhe duke u kthyer në një rrezik real për qytetarët. Pranë grumbullit të mbetjeve ndodhet dhe rezervuari i ujit të pijshëm për qytetarët laçiane, një mundësi dhe më shumë e perhapjes së ndotjes dhe indiferecës së drejtuesve vendorë. Protestuesit mbollën disa fidanë pranë zonës ku mjetet e bashkisë depozitojnë plehrat e qytetit.