Protestë e fuqishme e banorëve të Unazës së Madhe përballë Bashkisë së Tiranës

495
Sigal

Banorët e Unazës së Madhe, të cilëve u është planifikuar t’u prishen shtëpitë dhe dyqanet për shkak të zgjerimit të Unazës së Madhe e zhvendosën dje protestën përpara Bashkisë së Tiranës. Me thirrjet: “Të gjithë për një qëllim”, protestuesit i kërkojnë kryeministrit Edi Rama dhe kreut të bashkisë Veliaj t’u japin sqarime lidhur me fatin e banesave të tyre, që parashikohen të shemben. “Ne nuk jemi kundër ndërtimit të rrugës, por të na kompensojnë me atë që na takon”, tha njeri prej tyre. Me thirrjet “Duam pronat tona, duam shtëpitë tona”, turma e protestuesve ka dalë para hyrjes së bashkisë dhe nuk ka lejuar urbanët të qarkullojnë. Krahas parullave “Kryeministër, ku je fshehur? Lali Eri ku je fshehur?”, banorët kanë rrëmbyer megafonët dhe kanë folur secili me radhë. “O Erion, kemi 30 vjet që jetojmë aty. I kemi paratë në emigracion. Shtëpitë tona janë me gjak”, shprehet një tjetër banor. “Fuqia e njerëzve është më e madhe se njerëzit në fuqi”, kjo është një nga banderolat më të mëdha që protestuesit mbajnë në duar. Përfaqësuesi i kësaj proteste tha se banorët duan dëmshpërblim 100%. Po ashtu ai i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë që mos të tregohen arrogantë me këta banorë. “Këta fshihen, se tani janë zgjedhjet. Ne kemi qenë të ligjshëm deri dje, ndërsa sot na shpallin të paligjshëm. Ne duam 100 për qind dëmshpërblim dhe ata që kanë dokumente dhe ata që nuk kanë. Se kanë investuar 25 vite në ato banesa. Projektin le ta bëjnë si të duan ata. Ne jemi për negociata, s’jemi vandalë. Vijmë tek bashkia e Tiranës, se jemi qytetarë të Tiranës dhe kemi votuar për këtë qytet. S’kemi kërkuar kurrë ndihmë. Këta po mundohen që të tregohen arrogantë. Kryeministri duhet të tregohet arrogant me ata që na përdhunuan në Bularat dhe jo me ne. Unë dhe këta banorë nuk duam që ta lëmë vendin. Ne nuk tërhiqemi. Për dy gjëra jeton njeriu; për nder dhe shtëpi. Shtëpitë tona nuk do të gremisen”, tha përfaqësuesi i protestuesve.