Ja çfarë thoshte Edi Rama si kryetar i Opozitës në protestat e vitit 2010
Sigal

Kryeministri dhe kryerilindësi Edi Rama sot thotë që opozita nuk duhet të protestojë, sepse destabilizon Shqipërinë, meqë jemi para hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian,  ndërkohë që betohet se do të zhvillojë zgjedhje vendore edhe pa opozitën.  Në opozitë, Rama fliste shpesh për demokracinë dhe nevojën që qytetarët të protestonin për të mos u instaluar një “mbretëri e pashpallur”.

Rama në 2010-n nuk pranoi të firmoste Rezolutën e BE-së me 12 kushtet për marrjen  nga Shqipëria të Statusit Kandidat për në BE, sepse, ndryshe do t’i mbyllej rruga drejt pushtetit. Ja çfarë deklaronte Edi Rama si kryetari i PS-së dhe opozitës në protestat e 2010-s

EDI RAMA 1 Maj 2010: Shqiptarët nuk kanë rrugë tjetër, përveçse të protestojnë

Dëgjojmë njerëz që thonë se gjërat vërtet mund të jenë keq, po as rruga e protestës nuk është zgjidhje. Shkoni në parlament, përsërisin disa, se aty është vendi ku zhvillohet demokracia. Madje ka prej tyre që arrin të thonë, se protesta jonë dëmton demokracinë dhe integrimin. Këta janë përgjithësisht një pakicë që vetë jeton sidoqoftë më mirë se shqiptarët që sot s’kanë asnjë rrugë tjetër përveçse të protestojnë.

Janë ata që nuk kanë as dhimbjen e as ngutin tonë për Shqipërinë e shumicës që nuk shtyn dot muajin mes papunësisë, varfërisë e çmimeve të pafrenueshme të jetës së përditshme. Prandaj edhe kur flasim u dukemi sikur bëjmë politikën e arsyeve personale, jo betejën e vlerave qytetare. U them shumë thjesht: Ne e duam Shqipërinë si gjithë Evropa dhe e duam sot, këtu, në vendin tonë ku nuk do të lejojmë të instalohet një mbretëri e pashpallur dhe as do ngurrojmë të përballemi me fuqinë e rezistencës paqësore ndaj një pushteti që zgjedhjet i do lojë të paravendosur, parlamentin teatër të parashkruar, qeverinë pykë të palargueshme në rrugën mes nesh e të ardhmes evropiane të vendit tonë.

Kurse atyre që dashamirësisht thonë duam ta kemi të qartë kur, ku dhe si përfundon rruga e protestës u them, ejani bashkohuni me ne se s’dihet kur e as ku mbaron kjo betejë – ndryshe s’do qe betejë po fushë për t’u mbjellë me lule – po është e sigurt se sa më shumë dhe sa më të vendosur të jemi aq më shpejt fitorja e saj do të vijë për të gjithë.

EDI RAMA 16 Maj 2010: Ku ka në Evropën e lirë demokratike, kryeministër që t’i dalë popullit vetë përpara si triumfator

Kryeministri del dhe thotë sikur të ishte duke i dhënë popullit një lajm të mirë, nuk ka draft, nuk ka marrëveshje, nuk ka zgjidhje, nuk ka gjë në tavolinën time. Po atëherë çfarë bën zotrote në atë tavolinë në rast se nuk ke zgjidhje për këtë krizë që po e rrënon ekonominë, për këtë krizë që po rrënon demokracinë, shtetin e së drejtës, ekonominë?

Çfarë bën zotrote në atë tavolinë kur nuk je në gjendje të bësh detyrën minimale? Dhe detyra jote minimale është t’i japësh zgjidhje kësaj krize, prej të cilave kërcënohen zgjedhjet dhe zgjidhjet e ardhshme për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Çfarë bën zotrote në atë tavolinë, kur nuk je në gjendje të kuptosh dhe as të veprosh lidhur me këtë çështje të madhe me interes publik, që është transparenca. E në rast se në atë tavolinë nuk bën tjetër gjë zotrote veçse lexon Kushtetutën, si ka mundësi që atë Kushtetutë që e lexon përditë dhe na e këndon përditë ne të gjithëve, e ke shkelur më shumë se 30 herë i kapur në flagrancë nga Gjykata Kushtetuese e shumë e shumë herë të tjera.

Për cilën Kushtetutë flet zotrote, cilës Kushtetutë i referohen kukullat e tua që dalin dhe bëjnë çdo ditë paradën e recitimeve nëpër ekranet e televizioneve duke u kujtuar shqiptarëve një kohë të shkuar, kohën kur fliste parti dhe dëgjonte populli, nënshtrohej populli dhe kënaqej partia. Ka mbaruar ajo kohë Sali Berisha, ka ikur, ka perënduar.

Ku ka në Evropë, ku ka në botën e lirë demokratike, kryeministër që t’i dalë popullit vetë përpara si triumfator dhe t’i thotë, nuk ka zgjidhje, nuk kam zgjidhje, s’më kanë dhënë zgjidhje, nuk di për çfarë zgjidhje flasin. E kuptoni se ku është katandisur qeveria e këtij vendi? E kuptoni sesa të forta janë fijet e interesave personale të këtij oborri ku është mbyllur një pushtet i tërë duke i lenë shqiptarët jashtë rrugëve të zhvillimit dhe të mirëqenies.