Protesta përpara policisë së Tiranës

521
Disa qindra protestues u mblodhën sërish dje në hyrje të Drejtorisë së Policisë së Tiranës për të kërkuar lirimin e 23 të arrestuarve, pas protestës kundër vend-pagesës në “Rrugën e Kombit”. Protesta që filloi mëngjesin e të dielës në Kukës nga familjarët e të arrestuarve dhe përfaqësues të shoqërisë civile u zhvendos në Tiranë pas lajmit se një pjesë e të ndaluarve ishin transferuar aty. Protestës iu bashkuan edhe deputetë të opozitës, të cilët akuzuan qeverinë për shkelje të të drejtave të protestuesve dhe kërkuan lirim të menjëhershëm të tyre. Arrestimet erdhën pas protestës së të shtunës në afërsi të Kalimashit, në të cilën pas tërheqjes së policisë pjesëmarrësit shkatërruan dhe dogjën vend-pagesën në rrugën që lidh Tiranën me Kukësin dhe më tej me Kosovën. Prokuroria e Kukësit njoftoi nisjen e hetimeve për shkatërrim prone, goditje ndaj policisë dhe prishje të qetësisë publike, ndërsa policia arrestoi në të gdhirë të së dielës 23 persona. Por arrestimi i tyre kundërshtohet si i paligjshëm nga të afërm dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Policia nga ana e saj u kërkoi protestuesve të largoheshin duke thënë se urdhër-arrestet ishin lëshuar nga Prokuroria e Kukësit dhe se atje duhej të kërkonin sqarime. Megjithatë, dhjetëra qytetarë qëndruan të paktën deri në mesnatë përpara zyrave të policisë së Tiranës, duke kërkuar lirimin e familjarëve. Ndërkohë të dielën Avokati i Popullit lëshoi dy raporte për arrestimet, duke vënë në dukje se kishte mungesë dokumentacioni në procedurat e arrestimit. “Nga ana proceduriale veprimet janë kryer me parregullsi dhe vonesa. Në ato pak procesverbale që u janë vënë në dispozicion përfaqësuesve të Avokatit të Popullit, mungonte ora e kryerjes së ndalimit. Në to citohej urdhri i ndalimit nga Prokurori, por urdhri nuk është vënë në dispozicion as të përfaqësuesve të Avokatit të Popullit dhe as të të ndaluarve”, thuhet në raportin e bërë publik nga Avokati i Popullit. AP po ashtu thotë se gjeti që për shkak të problemeve teknike në dokumentacion, të arrestuarit u lanë rreth 12 orë pa ushqim. Ndërkohë Këshilli Bashkiak i Kukësit, ku anëtarët e PD dhe PS janë bërë bashkë kundër tarifës së rrugës, bëri një kallëzim penal në Prokurorinë e Tropojës kundër prokurorisë dhe policisë së Kukësit, duke i konsideruar arrestimet të paligjshme.
Sigal