Protesta para Kuvendi për djegien e plehrave

120
Banorët e fshatit Verri të Fierit protestuan dje para Parlamentit kundër ndërtimit të një impianti për djegien e mbetjeve urbane pranë shtëpive të tyre. Banorët protestuan kundër ndërtimit të inceneratorit pranë banesave të tyre dhe në mesin e një zonë të gjerë bujqësore. Ata kërkuan shfuqizimin e këtij vendimi nga qeveria, e cila sipas tyre, nuk ka përfillur mendimin e tyre, duke u çuar befas një industri ndotëse te dera e shtëpisë dhe rrezikon një krahinë të njohur për bujqësi dhe blegtori. Fshati ka 300 familje me 1 mijë banorë, ndërsa impianti është llogaritur të ndërtohet 9 km nga qyteti dhe 700 metra nga fshati, ndaj protestuesit i kërkuan ndihmë 16 deputetëve të qarkut të Fierit. Protestës iu bashkua edhe Aleanca kundër Importit të Plehrave, e cila prej disa vitesh kundërshton projektet e industrive që bazohen në përpunimin e mbetjeve nga jashtë dhe brenda vendit. Veprimtari i mjedisit, Lavdosh Ferruni thotë se inceneratori në Fier është kontrata klienteliste të qeverisë, e cila duhet shfuqizuar sa më parë për të shmangur një ndotje të gjerë, që do të prekë ujërat e zonës së Myzeqesë, që përdoren për vaditje, po ashtu bagëtitë e shumta që prodhojnë mijëra litra qumësht si edhe prodhimet bujqësore. Protesta u zhvillua jashtë ndërkohë që brenda sallës së parlamentit po mbahej një interpelancë me ministrin e Energjisë, Damian Gjiknuri për këtë temë. Ministri tha se gjithçka në lidhje me këtë investim ishte në përputhje me ligjin dhe ishte i gatshëm për çdo hetim parlamentar dhe çdo grup ekspertësh të kësaj fushe shkencore. Por përfaqësuesit e opozitës hodhën dyshime për korrupsion për këtë ndërtim të rrezikshëm, sipas tyre, në një zonë të banuar, i cili prek shëndetin e banorëve dhe jetën e tyre ekonomike në tërësi, që është e lidhur me bujqësinë. Ato pohuan se përfitimi nga këto industri është mjaft i vogël, krahasuar me dëmin e madh që ato sjellin në shëndetin e njerëzve dhe ndotjen e papranueshme të natyrës shqiptare. Dekadën e fundit në Shqipëri po shtohen protestat dhe ndjeshmëria për çështjet mjedisore. Qytetarët kanë protestuar kur qeveritë e fundit demokrate dhe socialiste u përpoqën të kalojnë në parlament ligjin për përpunimin e integruar të mbetjeve, dhe lejimin e importit të mbetjeve nga shtete te tjerë. Qytetet po rriten dhe trajtimi i mbetjeve urbane po kthehet në një sfidë të vërtetë, por ekspertë të pavarur mendojnë se në shumë raste autoritetet marrin veprime të nxituara për të lejuar ngritjen e teknologjive të prapambetura, të pastudiuara mirë dhe pranë zonave të banuara, duke rrezikuar qytetarët. Polemikat janë të hapura edhe nga ana shkencore, shëndetësore, ekonomike ashtu si edhe dyshimet për afera korruptive me biznese të mbeturinave nga shtete fqinje.