Protesta në Greqi për çështjen e emrit “Maqedoni”

560
Qindra mijëra grekë protestuan dje në qytetin verior të Selanikut kundër përdorimit të fjalës “Maqedoni” në çdo zgjidhje mes Athinës dhe Shkupit mbi emrin e ish-Republikës Jugosllave. Greqia thotë se emri “Maqedonia”, nënkupton një pretendim territorial mbi rajonin e vet verior me të njëjtin emër. Të dy vendet ranë dakord këtë muaj për të ripërtërirç përpjekjet për të zgjidhur ngërçin e vjetër 25-vjeçar, i cili ka bllokuar përpjekjet e ish-Republikës Jugosllave për t’u bashkuar me aleancën e NATO-s dhe Bashkimin Evropian. Dëshmitarët thanë se rreth 300 mijë njerëz u mblodhën në Selanik – qyteti më i madh në rajonin e Maqedonisë e Greqisë – shumë prej të cilëve kishin ardhur nga rajonet anembanë vendit. Ishte një nga protestat më të mëdha në Greqi në vitet e fundit. Protestuesit valvitën flamuj grekë, mbanin pankarta me mbishkrimin “Ka vetëm një Maqedoni dhe është Greke!” dhe brohorisnin kur një drejtues në miting kërkoi një referendum mbi emrin, ndërsa u mblodhën rreth statujës së Aleksandrit të Madh në qendër të qytetit dhe përgjatë shëtitores bregdetare dhe në port. Deri në zgjidhjen e mosmarrëveshjes, Athina ka rënë dakord që vendi të mund të referohet ndërkombëtarisht si ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, emër sipas të cilit u pranua në Kombet e Bashkuara më 1993. Të dy vendet thonë se shpresojnë të arrijnë një marrëveshje deri në qershor, por një sondazh javën e kaluar tregoi se shumica e grekëve nuk duan që “Maqedonia” të përdoret në ndonjë zgjidhje për emrin.
Sigal