Protesta ndaj Metës, PD-qytetarëve ‘Ejani nesër në 09:30 para Kuvendit’

454
TIRANE – Partia Demokratike u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës së nesërme të opozitës përpara dyerve të Parlamentit për të kërkuar dorëheqjen e Kryeparlamentarit Ilir Meta, pas akuzave të deputetit Tom Doshi.
Në një dalje për mediat, Kreu i Grupit Parlamentar të PD Edi Paloka kërkoi nga qytetarët që të bashkohen në protestën e nesërme, e cila do të nisë që në orën 09:30 të mëngjesit.
Sipas tij qytetarët nuk mund të lejojnë më që në Krye të Kuvendit të jetë një person i vënë nën akuzë për vrasjen e dy deputetëve të Parlamentit të Shqipërisë. Paloka akuzoi sërish se Meta, Rama dhe Tahiri po i bëjnë presion Prokurorisë për të manipuluar hetimin në lidhje me këtë ngjarje.
Më poshtë deklarata e plotë për media:
“Parlamenti dhe demokracia kanë pësuar goditjen më të rëndë të këtyre 25 viteve, kur Kryetari i institucionit më të rëndësishëm në vend, gjendet nën akuzën e porositjes së vrasjes së dy deputetëve. Megjithëse janë bërë 16 ditë që Ilir Meta gjendet publikisht nën akuzën më tronditëse të dy dekadave të fundit, ai jo vetëm nuk ka reflektuar, nuk ka dhënë dorëheqjen për t’i hapur rrugën drejtësisë, por në bashkëpunim të ngushtë me Edi Ramën, me Saimir Tahirin dhe gjithë strukturat shtetërore që kanë në dorë, po i bëjnë presion prokurorisë, dëshmitarëve kyç, po tentojnë fshehjen e të vërtetës. Partia Demokratike nuk do të lejojë që republika jonë të bjerë, që ky atentat ndaj ligjit, ndaj hetimit, ndaj drejtësisë, të ndodhë. Bashkë me qytetarët, me 12 mars, treguam njëzëri se kjo është kërkesa jonë, kërkesa legjitime e mbarë vendit e mbarë shqiptarëve, që Ilir Meta të dorëhiqet, e Edi Rama të mbajë duart larg hetimit, në mënyrë që të kemi një proces të plotë, të drejtë, të painfluencuar nga pushteti. Nesër që në 9 e 30 të mengjesit, bashkë me qytetarët e vendit, do ta ritheksojmë edhe një herë kërkesën tonë në dyert e Parlamentit. Ne nuk të ndalemi, derisa të ketë drejtësi, derisa të ketë ligj, derisa të zbardhet e vërteta. Ilir Meta nuk është më “de fakto” kryetar i parlamentit, asnjë qytetar i vendit nuk e njeh për të tillë. Ai e mban karrigen e numrit dy të vendit kundër vullnetit të popullit, vetëm e vetëm për të penguar hetimin, për të fshehur ngjarjen, e për të diktuar përfundimet që ai dëshiron. Kërkesa e qytetarëve sot është të kemi hetim të plotë, objektiv dhe të drejtë. Kjo është kërkesa e Partisë Demokratike. Ne do ta çlirojmë vendin nga sundimi i krimit. Nesër në orën 9 e 30 të mëngjesit, bashkë me të gjithë qytetarët që janë kundër krimit e padrejtësisë, që nuk duan që këtë vend ta sundojë krimi e terrori, të protestojmë në dyert e Parlamentit.” tha Paloka
Tashmë prej ditësh opozita zhvillon protesta ku kërkon largimin e Metës, ndërsa ashtu siç është paralajmëruar protestat pritet të jenë më të mëdha në numër të enjteve përpara dyerve të Kuvendit.  
Sigal