Protesta e Teatrit Kombëtar, 1 vit që ndezi shpresën e rezistencës në vend

406
Sigal

Protesta e artistëve për të mos lejuar shembjen e godinës së vjetër të Teatrit Kombëtar dhe ndërtimit të një godinë të re ka mbushur sot plot një vit.

Ajo tashmë është shndërruar në protestën më afatgjatë në kohë dhe ndër më aktivet që është organizuar ndonjëherë në vend.

Çështja e Teatrit është një nga pikat më të nxehta të debatit politik dhe publik e cila prej një viti është kthyer në një “mollë sherri” midis artistëve dhe qeverisë por jo vetëm. Mbi këtë çështje janë hedhur akuza të shumta që kanë të bëjnë me aferat korruptive që është tentuar dhe po tentohet të bëhen në emër të ndërtimit të një Teatri ri.

Kuvendi i Shqipërisë, ka miratuar vetëm me votat e maxhorancës, ligjin për prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar, gjë që ka shkaktuar një përplasje të vazhdueshme edhe ndërinstitucionale ku në mbështetje të artistëve ka dalë edhe opozita si edhe kreu u shtetit, Ilir Meta.

Kujtojmë se një grup i artistëve që dolën në fillim në mbrojtje të godinës u shkëputën nga protesta pas disa takimeve që u zhvilluan midis përfaqësuesve të qeverisë dhe aktorëve, arsye për të cilën shpesh është aluduar se u manipuluan.

Sipas atorëve protestues qeveria Rama është përfshirë në një aksion krejtësisht antikushtetues dhe të paligjshëm për zbatimin e një skeme korruptive për të zhvilluar në interes të miqve të Kryeministrit një pronë publike në qendër të Tiranës.

Sipas tyre, me këtë projekt që përfshin shkatërrimin e një prej pak ndërtimeve me vlerë historike dhe arkitekturore që mbetet në kryeqytet, Kryeministri po dëmton dhe kujtesën kulturore dhe historike të vendit.

Artistët dhe qytetarë të ndryshëm që mbështesin kauzën e tyre, sot në orën 18:30, mblidhen në Sheshin e Teatrit për të përkujtuar këtë vit rezistencës qytetare!