Protesta e studentëve/ Tarifat e universiteteve në Shqipëri janë më të larta se vendet e tjera të Evropës. Protesta vazhdon në janar

573
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Studentët: Nëse nuk plotësohen kërkesat, protestat vazhdojnë edhe në janar

Pedagogët pohojnë se ligji “Për Arsimin e Lartë” ka rënë. Kryeministri premton rishikim të buxhetit

Dje studentët protestuan për herë të fundit për vitin 2018, duke u mbledhur fillimisht para Parlamentit, paskëtaj, kur parlamenti ndërpreu seancën, studentët u mblodhën para kryeministrisë. Studentët edhe një herë shprehën vendosmërinë e tyre, për të mos pranuar asnjë dialog me kryeministrin dhe me qeverinë, për të negociuar kërkesat e tyre, madje dhanë premtimin se protestat e tyre do të vazhdojnë pas Vitit të Ri, ndërkohë, që dyert e auditorëve, duke bojkotuar mësimet.

Incidenti me deputetin Braçe

Studentët protestues, që ishin mbledhur para Parlamentit, reaguan, kur në pedonalen e Tiranës, u duk deputeti socialist Erion Braçe, i cili, edhe pse është kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, është shprehur kundër protestave të studentëve dhe u kërkon atyre të ulen të tavolinën e negociatave. Studentët, për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj qëndrimit të deputetit Braçe, në prani të tij, thirrën: “Duan tarifat, sa është Braçja!” Deputeti Braçe, u revoltua, madje u drejtua dhunshëm në drejtim të studentëve, për t’u konfrontuar edhe fizikisht me ata. Në gjaknxehtësi, edhe deputeti Braçe, edhe studentët shkëmbyen replika me përmbajtje edhe banale, por në fund, palët e konfliktuara, u ndanë…paqësisht.

Kryeministri Rama, përballë studentëve të Arkitekturës: Buxheti duhet diskutuar

Kryeministri Edi Rama edhe dje vazhdoi dialogun me studentët e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, Arkitekturës dhe Urbanistikës, por fajin e gjendjes të universitetit publik E shkarkoi tek stafet akademike. Rama ka nisur të debatojë menjëherë me studentët, duke u thënë atyre se “nuk ka më qofte te daja…”. Por ata e kanë kundërshtuar menjëherë duke i ndërprerë fjalën. “Mos të flas për kushtet e tjera më minimale që mungojnë të gjitha. Po ashtu nuk dimë se ku shkojnë lekët tona, se kush është administratori për këto lekë që ne paguajmë”, tha një nga studentët. Kryeministri Rama, në përgjigje ndaj atij dhe gjithë të tjerëve, tha se pikërisht këto pyetje janë një provë pse ata duhet të ulen në dialog. “Ja pra kjo është një provë tjetër e qartë, që duhet dialogu për të gjitha këto që ju sapo thatë. Për sa u tha administratori nuk vendos për buxhetin dhe si ndahet, nuk vendosa as për si e qysh bëhet buxheti. Buxhetet diskutohen me departamente, me fakultet dhe në fund tek rektorati dhe senati. Po të shikoni ligjin që shumë kush e kundërshton, por nuk e lexon janë të gjitha të detajuara sesi ndahet buxheti. Dialogun e kërkoj se kërkesat tuaja janë të drejta. Senati duhet të funksiononte dhe të adresonte të gjitha këto që thatë ju këtu”, u shpreh Rama.

Është shkelur ligji! Kush mban përgjegjësi?

Gjatë bisedës me studentët Rama po shpjegonte se ligji është në rregull por nuk është zbatuar. Në këto moment një student ka ndërhyrë duke i thënë se kush mban përgjegjësi për këtë. “Është shkelur ligji! Nuk është zbatuar ligji! Askush nuk mban asnjë përgjegjësi! Kush mban përgjegjësi! Askush nuk ka dhënë dorëheqjen.”– u shpreh një student. Kryeministri Rama nuk i ka dhënë një përgjigje studentit për këtë pyetje, por është shprehur se, ‘nuk do të të jap përgjigjen që do ti’.

Pedagogu i Arkitekturës ia thotë në sy kryeministrit: Ligji ka rënë! Senati që na përfaqëson është një celulë malinje

Pedagogu: Ai senat që na përfaqëson atje, është një celulë malinje. Ligjin nuk e pyet njeri. Këtu ka rënë ligji. Kanë rënë edhe rektorati dhe Ministria. Përgjigjet që ka dhënë rektorati për kërkesat tona janë të nivelit qesharak.

Rama: Më thuaj një pikë të ligjit që është pengesë?

Pedagogu: Problem është për t’u zbatuar.

Rama: Ç’është ky kor? Në kopsht jeni këtu? Në cilin universitet të planetit e keni parë? Kush fillon në kor për të prishur. Nuk mund ta pranoj këtë. Profesori flet dhe ju bëni kor. Kam ardhur të bëj dialog dhe as të dëgjoj juve të bëni kore.