Protesta e studentëve/ Kryeministri Rama në Vlorë zbardh Paktin për Universitetin. Studentët nuk negociojmë! Sot para Kuvendit

607
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Dështoi dialogu i kryeministrit me studentët në Universitetin e Vlorës

Studentët: Bojkot auditorëve deri në rrëzimin e ligjit të Arsimit të Lartë. Sot protestojnë para Parlamentit

Edhe dje studentët protestuan sërish. Auditorët mbetën të zbrazura, ndërsa studentët u grumbulluan para Korpusit Universitar dhe para Kryeministrisë të vendosur për të protestuar me kauzën e përbashkët, studentët i qëndruan stoikë kërkesës për plotësimin e 8 pikave. Me zë dhe me pankarta në duar, ata treguan se nuk do të bien asnjëherë dakord për dialog, edhe nëse kryeministri Edi Rama shkon në Fakultetet e tyre. “Unë them që mirë bën që i viziton fakultetet, por jam i sigurt që studentët nuk do të dialogojnë”. “Nuk do të marr pjesë fare në atë takim, 8 kërkesat janë aq të qarta sa nuk ka nevojë për dialog”. “As nuk e mendoj, nuk do të shkoj fare, nuk kam arsye se pse. Ai i di kërkesat tona, nuk ka çfarë të diskutojë me ne”. Njëkohësisht me këtë protestë, auditorët në fakultete vijojnë të mbeten bosh. Por një nga pikat e rëndësishme për të cilën kanë ngritur shqetësimin studentët janë edhe kushtet e papërshtatshme, ku bëjnë mësim.

Sot studentët protestojnë para parlamentit

Sot studentët do të protestojnë para Parlamentit. Në ditën e gjashtëmbëdhjetë të protestës, studentët kanë nënshkruar një peticion, sipas të cilit vendosin që të bojkotojnë auditoret, deri në plotësimin e kërkesave. Peticioni u nënshkrua nga studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale të cilët kanë kërkuar gjithashtu që të rrëzohet ligji i Arsimit të Lartë.

Protesta edhe në janarin e 2019-s

Studentët vendosën, që edhe nesër do të protestojnë, paskëtaj, disa fakultete publike në Tiranë dolën në një përfundim se protestat do të ndërpriten për të vijuar sërish në Janar.

Kryeministri Rama studentëve në Vlorë: Po e çoni protestën për lesh, këtu ka një lojë

Për më shumë se tre orë Kryeministri Edi Rama ishte paraditen e djeshme, para studentëve të universitetit të Vlorës për të diskutuar me ta lidhur me 8 kërkesat që kërkojnë t’i plotësohen. Kryeministri Rama nënvizoi nevojën për dialog për zgjidhjen e 8 kërkesave të cilat nuk varen vetëm nga qeveria por dhe Universitetet të cilat tashmë kanë autonomi. Edi Rama:.. Unë ju them jam dakord, me 8 pikat jam dakord, tani çfarë doni… Doni që ta udhëheq unë protestën. Ju protestën po e çoni për lesh. Unë dua që kërkesat të bëhen angazhim të universiteteve, qeverisë dhe studentëve. Do ta ndryshosh këtë bashkë me mua, apo je ai që rri jashtë me megafon e thua Thellohu! Thellohu! Nuk e ka mundësinë qeveria se i kemi dhënë autonomi, si mendon t’ia heqim?! D.m.th., të kthehemi në komunizëm. Keni dëgjuar dhe këtë pjesën ky bën monolog, Ç’monolog?! Unë jam këtu para jush. Kryeministri hodhi dhe tezën se kjo protestë po përpiqet të shfrytëzohet nga të tjerë politikisht. Edi Rama: “Këtu ka një lojë edhe ata që dolën jashtë janë viktima e kësaj loje. Është lojë e atyre që duan ta përdorin për qëllime të tjera.”

Studentët bojkotojnë kryeministrin, ndërkohë që studentë të tjerë e kritikojnë

Një grup i madh prej dhjetëra studentësh kanë braktisur takimin e kryeministrit Rama duke i thënë: “Nuk kemi ç’të bisedojmë, plotëso 8 pikat pastaj flasim”. Disa studentë, që debatuan me kryeministrin, e pyetën për pasurinë e tij, për vilën që ka në Surrel, për luksin e qeverisë, ndërkohë, që studentët nuk kanë as ngrohje në auditor. Përballë këtyre pyetjeve, kryeministri u përgjigj: Unë nuk jetoj në luks, ti mund të qeshësh sa të duash, kam një shtëpi në një vend, ku janë ndërtuar 400 mijë në 20 e ca vite dhe mbi të gjitha kush më njeh e di mirë se nuk jetoj për të fituar, por fitoj për të jetuar. Në këtë punë nuk jam për të bërë pasuri, por për të dhënë atë që mund të jap, që fëmijët e mi nesër të kenë një vend më të mirë, se do të kishin, nëse nuk do të isha unë këtu dhe këtë do ta bëj. Shqipëria ka varfëri patjetër.

 

Kryeministri Rama zbardh “Paktin për Universitetin”

E paralajmëroi në Vlorë dhe nuk ka humbur kohë të bëjë publik “Paktin për Universitetin”. Menjëherë pas përfundimit të takimit mes Kryeministrit Rama me studentët, në portalin Shqipëria që duam, është publikuar pakti i propozuar nga kryeministri, por që pret dialogun e studentëve.

Pakti për Universitetin

PIKA 1

  • Tarifat të paguhen nga qeveria nga 100% deri në 50% me shkallëzim.
  • 100% për studentët me mesatare 9 deri në 10, për studentët nga familje në ndihmë ekonomike, si edhe për të verbrit dhe studentët paraplegjikë e tetraplegjikë. Këto dy kategori mund të kenë edhe një bursë prej 100 USD.
  • 75% për studentët me mesatare 8 deri në 9
  • 50% për studentët me mesatare 6 deri në 8

(50% po ashtu me mesatare më të ulët se sa 6, por deri në fundvitin akademik 2019-2020. Kjo bëhet për një mundësi të barabartë në një start të ri dhe për këtë arsye asnjë student, pavarësisht mesatares, nuk do të paguajë më shumë se sa 50% të tarifës deri në vitin e ardhshëm akademik). Skema e shkallëzimit meritokratik është ende në diskutim dhe të gjithë janë të ftuar të kontribuojnë me mendimin e tyre. Afati i zbatimit: Janar 2019

PIKA 2

  • Të krijohet një faqe online, ku të publikohen të gjitha buxhetet dhe shpenzimet e Ministrisë së Arsimit, Sportit e Rinisë dhe çdo IAL-i publik. Faqja të shërbejë edhe si një platformë, për ekspozimin e akteve të korrupsionit apo të shkeljeve të çdo lloji në universitet. Afati i zbatimit: Janar 2019

PIKA 3

  • Çdokush që ka njohuri për një praktikë ndërkombëtare, ku pesha e votës së studentëve në zgjedhjet në universitet është siç kërkohet në këtë pikë, është i lutur ta bëjë publike. Momentalisht po punohet për ta adresuar këtë pikë, duke parë me detaje çështjen e përfaqësimit të studentëve në vendimmarrje, sipas praktikave më të mira ndërkombëtare. Afati i vendimit: Janar 2019

PIKA 4

  • Transparenca e titujve shkencorë është aktualisht një detyrim ligjor i Universitetit. Sidoqoftë po punohet për një propozim konkret si më poshtë, që meriton të diskutohet.

 

  • Biblioteka Kombëtare të ngrejë një portal të unifikuar, ku të hidhen të gjitha doktoraturat. Të digjitalizohen doktoraturat që janë në letër (hardcopy). Kontrolli antiplagjiaturë i tyre të kryhet nëpërmjet një software-i të posaçëm dhe të gjitha rastet e dyshuara t’i kthehen Komisioneve të Posaçme Universitare për rivlerësim.
  • Ministria e Arsimit, Sportit e Rinisë nga ana e saj, të nisë Verifikimin e Kritereve të Ligjshmërisë për titujt akademikë. Afati i fillimit të zbatimit: Mars 2019

PIKA 5

  • Qeveria të shkarkojë të gjithë anëtarët e bordeve të emëruar nga MASR. Anëtarët e rinj të emërohen nëpërmjet një procesi të hapur, ku figura publike dhe ekspertë me profil të lartë, të zgjidhen rojtarë të interesit publik në administrimin e Universiteteve. Po hulumtohen praktikat më të mira ndërkombëtare për të parë mundësinë që njëri prej anëtarëve të vijë nga trupa studentore. Afati i zbatimit: Shkurt 2019

PIKA 6

  • Marrëveshja e nënshkruar në nëntor me Qendrën e Shërbimeve Arsimore Franceze, për ta bërë kartën tonë pjesë të European Student Card (ESC) është një bazë shumë e mirë për finalizimin e këtij procesi. Të miratohet VKM me shërbimet që do të ofrohen me çmim të reduktuar për studentët. Të fillojë procesi i pajisjes me Kartën e Studentit dhe të pajisen të gjithë studentët. Afati i zbatimit: Shtator 2019

PIKA 7

  • Të përfundojë procesi i blerjes dhe vënies në dispozicion të studentëve të Bibliotekës Universitare Digjitale. Të gjitha Universitetet në vend do të kenë akses në bibliotekën elektronike universitare, si dhe në databazën kombëtare të doktoraturave. Afati i zbatimit: Mars 2019

PIKA 8

  • Të nisë vlerësimi i performacës për çdo IAL në vend, ku elementët kyç do të jenë:

– Sondazhi Kombëtar i Studentëve për çdo pedagog, program mësimor; departament e fakultet;

– Vlerësimi i Produktit Kërkimor për çdo departament, fakultet dhe IAL;

– Vlerësimi i jashtëm i cilësisë, në përputhje me ”Kodin e Cilësisë së Arsimit të Lartë”. Afati i fillimit të zbatimit: Mars 2019

Në këtë draft të publikuar nga Qeveria, pjesa kryesore e kërkesave të studentëve nuk marrin zgjidhje, siç janë rritja e buxhetit në 5% të GBP-së, përgjysmimi i tarifave për çdo vit akademik, përmirësimi i kushteve në godina, rritja e peshës totale të votës së studentit, si dhe barazimi i votave në bordin e administrimit.