Protesta e studentëve është shpresa, tërmeti që trondit tranzicionin 27-vjeçar

684
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Dhjetori i Dytë i demokracisë në Shqipëri: Edhe sot në rrugë, për të sfiduar arrogancën e qeverisë

Jetojmë në Dhjetorin e Dytë të demokracisë në Shqipëri. Studentët janë derdhur në rrugët e Shqipërisë dhe po i japin shpresë shqiptarëve për ndryshim, me pasionin, me pjekurinë, me energjitë e tyre rinore për të kërkuar të drejtat, ndërkohë që tronditin tranzicionin politik 27 vjeçar, derisa nuk pranojnë që kërkesat e tyre legjitime të ngjyrosen nga interesat politike, që kanë rrënuar Arsimin shqiptar.

Duam Shqipërinë si Evropa

“Duam Shqipërinë si Evropa”, – ishte thirrja studentore në rrugët e Tiranës. Shqiptarët e dëgjojnë sërish, pas 27 vjetësh. Kur në vitet e fundit, dëgjonim vetëm mandata të largimit masiv të të rinjve shqiptarë drejt kurbetit, ngaqë në Shqipëri u është vrarë shpresa. Këto ditë të Dhjetorit të Dytë, mijëra studentë, kërkojnë që Evropën ta sjellin në Shqipëri, kërkojnë që Arsimi të jetë sa më afër dijeve që marrin edhe në universitetet evropiane, studentët kërkojnë në rrugët e Tiranës DINJITET në dije.

Duam shkollim me dinjitet, ku studenti ka të drejtë!

“Duam shkollim me dinjitet, ku studenti ka të drejtë!”. Kjo është thirrja më e fundit e studentëve. Po kështu iu kanë bërë thirrje prindërve dhe pedagogëve të bashkohen me kërkesat e tyre. “Shqiptarët janë me ne”, “Studentët e bashkuar kanë për të fituar”, janë duke brohoritur studentë.

KËRKESA E PLOTË E STUDENTËVE

Studentët i dërguan dje ministres së Arsimit Lindita Nikolla kërkesat e tyre me 8 pika, duke i kërkuar, që, nëse nuk plotësohen të gjitha, studentët nuk do të largohen nga protestat e rrugës, por edhe dot të fillojnë grevën e urisë.

  1. Përgjysmim i tarifës së studimi 2. Rritja nga 10% në 50% e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan/rektor dhe rritja e përfaqësisë së studentëve në senatin akademik me 20%. 3. Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillat Studentore, Ligji i Arsimit të Lartë pika 2 kërkojmë që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe IAL-të dhe të shtohet një përfaqësues në këtë bord nga studentët. 4. Mbështetje e studentëve për kërkime shkencore. 5. Mbështetje e studentëve të doktoraturës me fonde për kërkimin shkencor. 6. Përmirësim i kushteve të konvikteve të Universiteteve. 7. Dyfishim i buxhetit për arsimin e lartë. 8. Pajisja e të gjithë studentëve me kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018-2019.

Presim përgjigje zyrtare me shkrim deri në orën 14:00. Kërkesa drejtohet nga Këshilli studentor.

Bashkë me protestuesit është bashkuar sërish dhe artisti Albert Aliaj Dragoti, i cili ka recituar me studentët dhe u ka bërë thirrje të mos përdorin dhunë. “Brezi im e la vendin në kaos nuk bëmë shumë për ju. Qëndroni kështu, mos përdorni dhunë! Mundohuni të keni integritet. Të jeni qytetarë. Kjo që po bëni është një mrekulli. Por duhet të bëni më shumë.”- tha ai.

Studentët largojnë me dhunë pedagogun: Jo politikë, duan të na përçajnë

Një incident ka ndodhur gjatë protestës së studentëve dje para Ministrisë së Arsimit. Kur pedagogu Jani Marka mori fjalën, studentët nuk e lejuan dhe e larguan, pasi sipas tyre, ai është pjesë e një lëvizje dhe ka qëndrim politik. “Po tentojnë të na përçajnë. Nuk e dimë kush është personi që tenton të flasë. Ne duam të plotësohen kërkesat tona. Kaq duam” – tha një student.

Policia e Shtetit në Gjirokastër arreston studentët, që protestuan pa …leje

Studentët në Universitetin “Eqerem Çabej” protestuan edhe dje, mirëpo Policia e Shtetit arrestoi disa studentë, me pretendimin se protesta e tyre ishte pa …leje. Ndërhyrja e policisë, natyrisht, u bë për të ushtruar shantazh dhe për të trembur studentët, që të mos protestojnë.

Kryeministri Rama: “I ftoj studentët të luftojmë bashkë korrupsionin”

Kryeministri Rama, nëpërmjet një video që publikoi në rrjetin e vet social, ka kërkuar që sot, të debatojë me studentët. Kryeministri Rama: “Problemet e arsimit të lartë nuk janë të reja dhe të panjohura. Nevoja për më shumë financim, kushte sociale në tërësi është e ditur. Dua ta them qartë se: As ulja e tarifave, as problemet e tjera, nuk adresojnë sëmundjet, por thjesht simptomat e saj. Duhet të bëjmë shumë më shumë akoma. Unë nuk dua që ata të shpërndahen me një fitore prej lëmshi. Kjo e imja nuk është taktikë, por një bindje, se pikërisht tani duhet hartuar një strategji studentët-qeveri, por edhe me ata pedagogë, që duhet të dalin nga rrethi vicioz. Studentët pa qeverinë dhe anasjelltas nuk bëjnë asgjë. Të kuptohemi mirë, studentët dhe forcat e shëndetshme akademike nuk janë pa mëkate. As qeveria nuk është pa kusure, mua as nuk më shkon mendjen se qeveria duhet ta lë pas këtë duke kaluar lumin me uljen e tarifave e pastaj, t’i bëjë naftën kalit. Të rrimë shtrembër sa të duam, por të flasim drejt. Për mua, që ta dini s’është e lehtë të kërkoj në qeveri një manovër taktike, por për hir të vërtetës që studentët duhet të flasin përmes një përfaqësie, kjo është pak e çuditshme që s’po ndodh. Adresimi i disa kërkesave financiare-logjistike nuk do të luante ujin e ndenjur” tha Rama. Do të kemi mundësi të komunikoj këtu nesër live ne mejdanin social. Protesta s’është politike, por po i shpëton hijenave. O bashkë sot dhe për nesër. Ju pres të gjithëve, edhe pa dallim edhe atyre të ngelsave”, tha Rama.

Ndërsa në Twitter: Negociata? Kush po kërkon negociata se unë kërkoj Dialog, jo negociata. Frikën nga Dialogu e kam parë tek politikanët që sot presin t’i nxjerrin gështenjat nga zjarri duke mos treguar duart. Mos vallë kush po i pengon studentët me megafon kundër Dialogut bën telefonin e prishur?

Studentët nuk pranojnë. Jo negociata. Të plotësojë kërkesat

Studentët i janë përgjigjur menjëherë ftesës së Edi Ramës për një bashkëbisedim me studentët. Ata janë shprehur se nuk ka negociata me asnjë prej qeverisë, as Edi Ramën e asnjë tjetër. ‘Studentët nuk pranojnë. Jo negociata. Të plotësojë kërkesat. Ne jemi këtu në shesh të gjithë bashkë, nuk ka përfaqësi. Nuk ka negociata’, janë shprehur studentët të gjithë së bashku.

“Zëri i Amerikës”: Studentët thanë se janë mosbesues ndaj negociatave

Disa mijëra studentë të universiteteve publike shqiptare zhvilluan sot për të pestën ditë një tubim proteste para ministrisë së Arsimit. Ata kërkojnë përgjysmim të tarifave dhe lehtësi të tjera për periudhën e studimeve. Studentët thanë se janë mosbesues ndaj negociatave, ndaj vendosën që të mos pranojnë asnjë bisedim ose negociatë, por thjesht presin që kërkesat e tyre të plotësohen nga autoritetet. Protestuesit thonë se janë fyer nga deklaratat e kryeministrit Rama, se bëhej fjalë për disa studentë ngelës.

Ndaj ata dolën me mijëra nëpër rrugët e Tiranës dhe qyteteve të tjera universitare për të treguar se bëhej fjalë për një abuzim të shtetit me paratë e familjeve të tyre. Ata thonë në tubimet e tyre, se qeveria po u shtrenjtonte studimet me masa shtesë, duke ua vështirësuar më tej jetesën e periudhës universitare. Protesta nisi nga universitetet publike të Tiranës dhe shpejt atyre iu bashkuan me tubime studentët e universiteteve të Durrësit, Korçës, Elbasanit, Shkodrës, Vlorës. Shumë prej tyre udhëtuan drejt kryeqytetit për ta marrë pjesë në tubimet e Tiranës. Edhe studentët e Universitetit ‘Eqrem Çabej’ të Gjirokastrës iu bashkuan të dielën protestave, pasi ishin të fundit deri sot të papërfshirë në reagime publike. Në një tubim përpara Universitetit, ata kërkuan frenimin e korrupsionit, uljen e tarifave, përmirësimin e kushteve në konvikte. Qeveria plotësoi një nga pikat e kërkesave të protestuesve dhe u shpreh e gatshme për dialog mbi temat e tjera, por studentët pohuan se do ta vazhdojnë tubimet deri në plotësimin e të gjitha kërkesave.

Deutsche Welle ndjek hap revoltën e studentëve: Nuk duan politizim

Media e njohur gjermane Deutsche Welle po i ndjek hap pas hapi, zhvillimet e protestës studentore në Shqipëri. Kjo medie ka shkruar për të dytën herë sot për protestën e studentëve shqiptarë, ku njofton se protesta po mbështet nga prindër dhe pedagogë. Më herët, DW njoftoi se edhe studentët shqiptarë të diasporës, nga Shqipëria dhe Kosova, ishin duke protestuar në Gjermani në mbështetje të shokëve të tyre. Artikujt si më poshtë dhe fotot nga DW: “Studentë të Universitetit të Tiranës të mbështetur edhe nga studentët e Universiteteve Publike në disa rrethe protestojnë për të pestën ditë përballë Ministrisë së Arsimit, duke kërkuar përgjysmimin e tarifave shkollore dhe kushte më të mira në Universitete. Protestat kanë çuar në pezullimin e mësimit në auditore, ndërsa qeveria po përballet me kërkesat e tyre. Studentët refuzojnë mbështetjen nga partitë politike, ndërsa prindër dhe pedagogë janë vendosur përkrah tyre.” Studentët e diasporës nga Shqipëria dhe Kosova mbështesin kërkesat e studentëve që protestojnë në Shqipëri. Ata dolën me pankarta këtë të shtunë (8.12) edhe në Bon, në Gjermani.