Protesta e opozitës, zbulohet mesazhi i ambasadës së SHBA-ve për qytetarët e saj

455
Sigal

Në një kohë kur opozita pritet që të protestojë sot përpara Kuvendit, ambasadat në vendin tonë, duket të jenë vendosur në Bllok kundër djegies së mandateve dhe vendimeve ekstreme.

Ambasada e SHBA-së ka dërguar sot një mesazh për shtetasit e saj, ku paralajmëron se protesta mund të shtrihet në disa pika të tjera të kryeqytetit, si dhe mund të ketë elemente dhune.

“Kohëzgjatja e protestës është e panjohur, protestuesit mund të marshojnë dhe në vende të tjera. Ekziston mundësia për dhunë. Shërbimet konsullore të planifikuara për sot në mëngjes janë anuluar. Demostruesit protestojnë kundër qeverisë shqiptare”, thuhet në mesazhin e ambasadës së SHBA-së në drejtim të qytetarëve të saj.

Ndërkohë që në një postim të bërë në Facebook, Ambasada shkruan: Shtetet e Bashkuara nxisin të gjithë pjesmarrësit në protestën e sotme që të ushtrojnë paqësisht të drejtën e tyre për t’u mbledhur dhe të refuzojnë dhunën, si dhe iu bëjnë thirrje qeverisë dhe forcave të sigurisë që të tregohen të përmbajtur.

Thirrje për të shmangur dhunën në protestën e sotme ka pasur dje dhe ambasadori i BE-së në vendin tonë Luigi Soreca, pas një takimi që zhvilloi në selkinë blu me kryedemokratin Basha.

Për shkak se mund të kishte elemente të dhunës, që është mohuar nga ana e opozitës, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi anuloi dhe seancën në Kuvend.

Kujtojmë se Policia e Shtetit u bëri thirrje organizatorëve të protestës, që zhvillohet sot para Kuvendit, që të distancohen hapur nga dhuna dhe të bëjnë thirrje për respektimin e ligjit nga ana e protestuesve.

Në deklaratën zyrtare, lidhur me masat e marra për tubimin që do të zhvillohet nga opozita, Policia thotë se ka të dhëna se synohet hyrja me forcë në Kuvend, si dhe për nxitje dhune e organizime me natyre kriminale.

“Nga informacionet e mbledhura nga shërbimet përkatëse, ka të dhëna për nxitje të dhunës dhe organizime me natyrë kriminale. Synohet hyrja me forcë në sallën e Parlamentit, duke ushtruar dhunë mbi personelin që ka detyrimin ligjor të sigurojë mbrojtjen e institucionit themelor të demokracisë. Për të parandaluar çdo mundësi të tillë, Policia e Shtetit u bën apel, në radhë të parë, organizatorëve që të distancohen hapur nga dhuna dhe të bëjnë thirrje për respektimin e ligjit nga çdo protestues”- tha Policia.