Protesta e opozitës, mes zgjidhjes së vonuar dhe nevojës për ndryshim. Flasin; Zamira Çavo, Ilir Kaduku dhe Basir Çollaku

461
Kryeprokurori, protesta e opozitës, zgjidhja e vonuar dhe nevoja për ndryshim
Profesoresha Zamira Çavo, Profesor Ilir Kaduku dhe gazetari Basir Çollaku, flasin lidhur me protestën e opozitës dhe kauzën e saj në këto ditë të fundit të vitit
Opozita e bashkuar PD dhe LSI, ka paralajmëruar se në orën 09:30 të ditës së sotme do të mbaj një protestë para Kuvendit të Shqipërisë. Në këtë kohë brenda sallës së parlamentit, deputetet e maxhorancës do të votojnë për një nga tre kandidaturat e përzgjedhura në Komisionin e Ligjeve, për Prokuror të Përkohshëm. PD dhe LSI kanë edhe një skenar për organizimin e kësaj proteste. Ata i kanë bërë thirrje qytetarëve të bashkohen të gjithë për të mos lejuar Edi Ramën të kap drejtësinë, duke vendosur një prokuror sipas dëshirave të tij. Lidhur me këtë protestë kanë dhënë mendimin e tyre në gazetën Telegraf, Profesoreshë Zamira Çavo, Profesor Ilir Kaduku dhe gazetari Basir Çollaku. Sipas tyre, protesta është një nga mjetet demokratike e cila mund të ndalë çdo padrejtësi. Çavo është skeptike për rezultatet pozitive që mund të dalin nga kjo protestë dhe këtë ajo e lidh me faktin se opozita duhet të kishte dhënë kontributin e saj me përzgjedhjen e kandidatëve për KLP dhe të mos kishte dalë kundër ndërkombëtarëve. Ndërkohë Kaduku, shprehet se do të jetë në protestë, madje u bënë thirrje të gjithë atyre qytetarëve që ankohen për këtë qeveri të bëjnë të njëjtën gjë. Për gazetarin Basir Çollaku, nëse opozita e lejon Ramën të kap drejtësinë duke përdorur fletët e bardha për të vulosur çfarë do vetë, atëherë është e kotë të mbaj mandatet. 
Zamira Çavo: Protesta në kohën e gabuar, opozita pa strategji të qartë
Është e drejtë e opozitës të përdorë të gjitha mjetet demokratike për të arritur synimet e saj politike. Por unë mendoj se opozita shqiptare është sot më e pa organizuar dhe më e pabesueshme se asnjëherë. E them këtë, pasi nuk shoh te opozita, as strategji e as përdorim efikas të mjeteve që jep demokracia. Deri më sot kjo opozitë është mbështetur vetëm në sharje e fyerje personale dhe jo në alternativë tjetër. Dhe kauza që kanë zgjedhur për të protestuar në dukje ngjan i rëndësishëm, por jam e bindur se ka nën të interese klanore dhe jo interesat tona kombëtare. Kjo protestë, për mendimin tim, është krejtësisht spontane dhe e pamenduar fare. Z. Basha deklaroi vetë se “kryeprokurori do zgjidhet, por ama njerëzit do ta shohin se opozita ekziston!” Qoftë edhe kjo deklaratë e zhvlerëson protestën ende pafilluar. Nëse kryeprokurori do të zgjidhet, atëherë çfarë qëllimi ka kjo protestë? Vetëm një mendje foshnjarake mendon se me protesta në fundviti do rrëzohet qeveria “Rama”. Po të kishte vërtetë opozitë, PD dhe partitë e tjera opozitare, do të ishin aktivë në nxitjen e kandidaturave të shëndetshme për kryeprokuror dhe të mos lejonin kalimin në votim të individëve që lënë shumë për të dëshiruar. Pra cila është alternativa e opozitës? Të zgjatet mandati i Llallës? Nëse do të bëhej referendum mbi këtë emër jam e bindur se 90% e popullit do votonte kundër tij. Pra çfarë propozon opozita? Asgjë! Vetëm të mos zgjidhet kryeprokurori i ri i përkohshëm!

Kur them se opozita është pa alternativë dhe në ditën e saj më të keqe, nisem edhe nga sjellja e saj politike ndaj ndërkombëtarëve. Është e kotë të përsëris që ndërkombëtarët kanë luajtur dhe do vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në politikën tonë. Kjo, sepse jemi vend i vogël, por edhe sepse kemi një elitë politike krejtësisht të nënshtruar ndaj ndërkombëtarëve. Kur ndërkombëtarët kërkojnë me ngulm vazhdimin e procesit në zgjedhjen e një kryeprokurori të përkohshëm, opozita, e cila nuk le mundësi pa u mbështetur apo pa kërkuar mbështetjen e ndërkombëtarëve, sot del kundër në një veprim aspak për t’u duartrokitur. Për të gjitha këto them, që kjo protestë është në kohën më të keqe dhe me kauzën më të dobët! 
Ilir Kaduku: Protesta e qytetarëve të nëpërkëmbur, jo e partive politike, të gjithë në rrugë!
Pavarësisht rezervave që kam ndaj opozitës dhe lidershipit të saj të kalbur, të hënën unë do të jem në protestën përballë parlamentit. Më këtë veprim nuk bëj gjë tjetër veçse vazhdimin e revoltës time antiqeveritare, revoltë që e kam filluar që me 8 Dhjetor 1990. Thirrja ime vlen për të gjithë qytetarët që ankohen në mënyrë konstante në rrjetet sociale ndaj kësaj qeverie që ka shkelur me të dyja këmbët çdo marrëveshje të bërë me këtë popull tepër të durueshëm. Kur qeveria na gënjen, është detyra jonë të reagojmë! Jo nën komandën e pseudo liderit Basha apo nën siglën false “Fronti Opozitar”, por me vullnetin e qytetarëve të lirë! Asnjë qytetar i ndershëm nuk duhet të kuptojë se protesta e nesërme është e PD, PS, LZHK apo LGBT, por e njerëzve të zhgënjyer nga klasa politike. Duhet të pozicionohemi përtej naivitetit dhe të mos mendojmë se këto “të mira” që na ofrojnë politikanët do të na bien nga qielli apo do të jenë dhuratë nga Zoti! Duhet të kuptojmë më së fundi, se është klasa politike shqiptare ajo që për 27 vite na i ka mohuar këto të drejta themelore dhe duhet të reagojmë. Nuk arrij të kuptoj se me çfarë fytyre “lideri” i opozitës do që të rreshtojë në krahun e popullit të thjeshtë edhe ata që deri para tre muajve ishin në pushtet (LSI). Dihet se gjithë fushata elektorale e PD në zgjedhjet parlamentare nuk ishte kundër PS, por vetëm dhe vetëm kundër LSI. Mesa duket “liderit” Basha ka filluar t’i duket populli si një tufë me budallenj, të cilët ai mund t’i përdorë si të dojë për interesat e tij perverse. Ta harrojë ky mashtrues patologjik se mund të fantazojë një “Çadër të Re Lirie” apo “Republike të Re”! Populli tashmë është zgjuar dhe po e kupton, më së fundi, se në çfarë katastrofe morale, politike dhe ekonomike e ka degdisur klasa aktuale politike. Populli shqiptar duhet të reagoje në mënyrë urgjente në lidhje me krizën e thellë morale që mban siglën e klasës politike. Jemi duke rrëshqitur drejt një diktature moderne. Ia vlen të kujtoj aksiomën e babait të revolucionit francez, të madhit Viktor Hygo: “Kur diktatura thërret, revolucioni është detyrë!” Nëse nuk ndërmerret një vendim i tillë atëherë ne, skllevërve të lirisë, nuk na mbetet gjë tjetër por të çohemi të shporrim këtë klasë politike! Në mënyrë të vetëdijshme është kuptuar më së fundi se dalja nga kjo situatë katastrofike nuk vjen më nga lufta parlamentare (e cila është false dhe e kompromentuar), por shqiptarët duhet ta kuptojnë se shpëtimi i vendit dhe instalimi i demokracisë reale vjen nga një revolucion i vërtetë demokratik, i cili ka si qëllim kryesor: një luftë frontale kundër sistemit antidemokratik të binomit Rama – Basha! Duhet kuptuar se është më humane dhe fisnike të ngrihemi kundër kastës politike aktuale sesa të durojmë denigrimin që na bëjnë këta politikanë, këta hiena që janë dhjamosur me gjakun tonë dhe na kanë kthyer në skllevër, në njerëz pa dinjitet! Ju siguroj se nuk janë aq trima sa duken! Pushtetin e tyre “guinplenat” e kohërave moderne e kanë të bazuar në intriga, presion ekonomik dhe shantazhe kriminale. Nëse çohemi të bashkuar, ata nuk mund të vrasin një popull të tërë që aspiron për demokraci, prosperitet dhe për të ardhmen e fëmijëve! 
Basir Çollaku: Nëse Rama zapton drejtësinë sipas qejfit, përse duhen mandatet e opozitës
Protesta është një mjet demokratik që në këtë ngjarje është e duhura për të rritur dhe presionin, për të ndaluar hyrjen zyrtare në diktaturë. Prokurori që do të zgjedh Edi Rama është një prokuror i përveçëm, sepse bart pëlqimin e një pale, më saktë të një njeriu politik, shefit të qeverisë. Ajo që kanë përcjellë lajmet dje se disa deputetë të majtë kanë firmosur një letër të bardhë, sepse të tjerat i di partia, është tregues i frikshëm. Në atë letër të bardhë ku janë hedhur firma mund të shkruash gjithçka dhe kjo na e bën të ditur edhe një herë, se demokracia është bërë, për: “Ndjesë pastë!” Për ty mendon dhe firmos partia edhe shefi i saj. Protesta e thirrur nga opozita duhet të jetë fillimi ku dhe marrëdhënien me Kuvendin ta lexosh nëpërmjet protestës. Nëse Rama zgjedh të gjitha pushtetet me fletë të bardhë, e përse u dashka Kuvendi. Nesër do të zgjedhë një popull tjetër me një shkresë të ngjashme. Kapja e prokurorisë do të thotë asgjësim i akuzës dhe gradualisht përdorja e saj për qëllime politike, duke e bërë drejtësinë një ‘market’ me një pronar. Opozita duhet të jetë e qartë dhe e vendosur. Ligjet duhen zbatuar sipas dakortësisë së votuar më herët. Nuk mund të bësh bukë gruri me miell misri dhe të gatuash Nene hibride në ligj kur të duhet kapja e një institucioni. Nëse maxhoranca mbaron punë dhe me drejtësinë sipas qejfit, përse duhen mandatet e opozitës?! Atëherë opozita lë ta braktisë Kuvendin dhe maxhoranca të përballet me presionin e qytetarëve, të cilët duhet të marrin vesh, se kurthi i shumicës parlamentare është të “betohet” për kokë të ligjit për të shpëtuar veten. Ky vend përballet me krimin dhe mafian, jo me një prokuror të ri, por me një qeveri tjetër. Sepse kjo qeveri nuk ka treguar se ka vullnet të luftojë krimin dhe shkëpusë fijet që e lidhin me të. Ndërkombëtarët kanë nisur të qartësohen se kanë mbështetur njeriun e gabuar. Njëlloj po e kuptojnë dhe binden dhe qytetarët, ndonëse vullneti i tyre është deformuar. Nëse opozita mblidhet pak minuta për një qokë kronike televizive apo selfie rinore, më mirë të bëjë një konferencë shtypi. Nesër ajo duhet të reflektojë demonstrim force demokratike.
Sigal