Protesta e opozitës, me mijëra qytetarë nisen drejt Kryeministrisë

73

Opozita do të protestojë sot para Kryeministrisë për të kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës nga posti i kryeministrit dhe krijimin e një qeverie tranzitore që do të përgatisë zgjedhjet e parakohshme.

Dy ditë pas protestës së të shtunës, e cila precipitoi në dhunë nga policia ndaj qytetarëve, PD dhe aleatët e saj në opozitë, vendosën të thërrasin një tjetër marshim, në formë kundërpërgjigjeje ndaj dhunës së ushtruar ndaj pjesëmarrësve në tubimin e fundjavës.

Nga qytete të ndryshme të vendit raportohet për mijëra qytetarë që janë nisur drejt Tiranës.

Pjesëmarrja më e lartë pritet nga Shkodra, Durrësi dhe Elbasani, ndërkohë që pavarësisht kushteve të motit, përfaqësues të opozitës shprehen se qytetarët i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes për të protestuar.

Referuar të dhënave, nga Korça drejt Tiranës janë nisur të paktën 1600 protestues, nga Devolli 900, Pogradeci 800 dhe nga Kolonja 500 qytetarë. Në Total nga qarku i Korçës janë nisur drejt Tiranës mbi 3500 qytetarë.

Gjithashtu nga Gjirokastra, Vlora dhe Fieri raportohet se janë nisur në total mbi 8000 qytetarë.

Nga Elbasani, sipas të dhënave do të udhëtojnë drejt Tiranës mbi 5000 qytetarë, ndërsa nga Shkodra pjesëmarrja llogaritet në mbi 6500.

Nga Kukësi dhe Dibra priten mbi 3000 qytetarë, ndërkohë nga Lezha priten mbi 3500.

Nga Durrësi priten mbi 5500 qytetarë që do t’i bashkohen protestës që do të nisë në orën 18:30.